Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet vendimin e qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, si përgjigje proporcionale ndaj sulmit kibernetik të organizuar dhe sponsorizuar në nivel shtetëror me objektiv “shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare”.
Përmes këtij sulmi, RIS ka minuar çdo akt dhe parim të së drejtës ndërkombëtare që rregullon raportet mes 2 vendeve që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me njëra tjetrën. Aq më tepër, që sulmi ndaj një vendi anëtar të NATO, përbën kërcënim serioz ndaj të gjithë aleancës, duke e bërë të domosdoshme kundërpërgjigjen proporcionale me rrezikun që kanoset.
Nga ana tjetër, KASH i bën thirrje qeverisë shqiptare që të marrë masa urgjente për rritjen dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të infrastrukturës digjitale, në dritën e paralajmërimeve të shtuara të NATO dhe BE për potencialin e shumëfishuar të sulmeve kibernetike ndaj vendeve anëtare, veçanërisht pas agresionit rus kundër Ukrainës.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë të sigurojnë mbikqyrje të plotë të masave të marra nga AKSHI, përpara dhe pas këtij sulmi kibernetik, për mbrojtjen e insfrastrukturës strategjike digjitale të vendit.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors