Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret arritjen e dakordësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që në thelb është veçse zbatimi i Marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin 2011, sipas termave të rëna dakord nga palët asokohe.
Tërheqja e Serbisë prej dokumenteve shoqëruese shtesë për kalimin kufitar, dhe e Kosovës nga përgjigja në mënyrë reciproke ndaj kësaj praktike, është vendimi më i mirë që u shërben qytetarëve të të dy vendeve.
Ky vendim është gjithashtu mënyra më e dobishme për t’i shërbyer normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si dhe për t’i dhënë kuptim dialogut të ndërmjetësuar nga BE, me mbështetjen e ShBA.
Zotimet e ndërmarra nga të dy vendet në këtë dialog duhet të gjejnë zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakthyeshëm.
Dialogu nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një mekanizëm frigoriferik të statukuosë, por të përparimit të qenësishëm, në përputhje me qëllimin e tij.
KASH përshëndet angazhimin e të dërguarve të posaçëm të BE dhe ShBA, Lajçak dhe Eskobar, Përfaqësuesit të Lartë Borrell dhe Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg, për frenimin e përshkallëzimit të situatës dhe rikthimin në tryezën e një dialogu përmbajtësor të të dy vendeve.
KASH u bën thirrje BE dhe SHBA, për vazhdimin e angazhimit intensiv për arritjen e një marrëveshjeje të plotë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që stabilizon marrëdhëniet politike, përfshin njohjen reciproke mes dy shteteve bashkë me detyrimin dhe përgjegjësinë për zbatimin e pakthyeshëm të zotimeve të marra.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors