Tiranë, më 21 Dhjetor 2024
Ashtu siç dhe pritej, viti politik 2024 rezultoi shumë më i ngarkuar dhe i ngjeshur me ngjarje, veprimtari, samite, konflikte, luftra dhe mosmarrëveshje se paraardhësi i tij. Spikatin veçanërisht konfliktet e trashëguara, sidomos agresioni rus kundër Ukrainës, kriza në Lindjen e Mesme, rrëzimi më 8 Dhjetor i regjimit diktatorial të Assadit në Siri, përplasjet e Perëndimit me Kinën, tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe ngjarje të tjera të krijuara rrishtaz dhe me ndikime madhore për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë, në Europë dhe në rajon.
2024-a ishte pothuajse kudo në botë një Vit i Madh Zgjedhor. Mbi të gjitha në SHBA nga primaret dhe deri te data 5 Nëntor, kur ish Presidenti Donald Trump korri një fitore bindëse, të bujshme dhe shumëdimensionale, me pasoja dhe rrjedhoja ende të paparashikushme për politikën, diplomacinë, ekonominë dhe sigurinë botërore. Po ashtu, më 6–9 Qershor, në të 27 vendet anëtare të BE-së, u zhvilluan zgjedhjet e 10-ta të drejtpërdrejta për Parlamentin e ri Europian. Në Holandë, Francë, Austri, Belgjikë, Lituani, Irlandë, Gjermani dhe në Britaninë e Madhe u zhvilluan zgjedhjet në nivel kombëtar dhe vendor. Me përjashtim të Britanisë së Madhe, ku mbas 20 vitesh ri-erdhën bujshëm në pushtet laburistët, kudo gjetkë ekstremi i djathtë dhe ai i majtë në Francë i forcuan pozitat dhe e zgjeruan hartën e shtrirjes së tyre gjeopolitike.
Ndërkohë, agresioni rus kundër Ukrainës, në vend të një armpushimi apo paqeje të pretenduar, vazhdon të përshkallëzohet, me shumë pasoja të rënda dhe të gjithanshme, pavarësisht nga samitet, veprimtaritë, sanksionet dhe demarshet diplomatike për paqe; megjithë ecejaket e shumta, edhe kriza në Lindjen e Mesme pak zbutje ka treguar; lajmi i mirë qetësues ishte marrëveshja e realizuar më 26 Nëntor 2024 midis Izraelit dhe Hezbollahut për vendosjen e armëpushimit 60 ditor. Në Ballkanin Perëndimor, krahas disa zhvillimeve pozitive që përmenden më poshtë, dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur në vend, madje me acarim të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, çka u shfaq rishfaq brutalisht më 28 Nëntor 2024 me shpërthimin e fuqishëm në Zubin Potok, një akt i pastër terrorist.
Mbi këtë bazë, pa u futur në thellësi të ngjarjeve, fakteve, dukurive dhe argumentave të njohura dhe të përmendura dhe më parë, në këtë material do të ndalemi në mënyrë të përmbledhur në momentet më kulmore të gjendjes dhe ngjarjeve politike, ekonomike, dhe diplomatike në botë, të shoqëruara me reflektime, përfundime dhe sugjerimet përkatëse të Këshillit të Ambasadorëve.
Krejt ndryshe nga sondazhet dhe parashikimet, zgjedhjet e shumëpritura presidenciale amerikane përfunduan me fitoren bindëse, të bujshme dhe shumëdimesionale të ish Presidentit Donald Trump. Me diferencë edhe në votën popullore, ai siguroi 312 vota elektorale nga 270 të nevojshme, shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Trump rikthehet më 21 janar 2025 në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 47 i SHBA-ve, duke shënuar rikthimin më të madh politik në historinë amerikane.
Analizat mbi “psetë” dhe sekretet e tjera të kësaj fitoreje plebishitare janë të shumta dhe të gjithanshme. Aktori dhe faktori i parë përcaktues dhe që bëri dallimin ishte personaliteti frymëzues i Trump, i cili bashkë me zëvendësin e tij J.D. Vance zhvilloi një fushatë fituese, frymëzuese dhe mobilizuese, me oferta konkrete për shqetësimet e përditshme dhe më të prekshme të amerikanëve të thjeshtë, me sloganet e njohura “Amerika e para” dhe “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”.
Në diskurset e veta publike, Trump shprehu në mënyrë të drejtpërdrejtë zhgënjimin, zemërimin dhe shqetësimin e gjerë publik ndaj qeverisë dhe politikave të saj të gabuara, duke tërhequr pas vehtes dhe një numër të madh votuesish të thjeshtë demokratë që nuk e gjenin më vehten te PD-ja ose të tradhëtuar prej saj.
Faktori tjetër fitues ishte energjia pozitive, forca dhe rezistenca e paepur që Trump tregoi ndaj sulmeve të shumta të kundërshtarit dhe të pushtetit gjyqësor. Këtë qëndrim stoik ai e shfaqi dhe mbas atentatit të parë të dështuar, kur dhe pse i plagosur, fotoja e tij me grushtin lart “bëri xhiron e botës”. Ndërkohë, me retorikën dhe prononcimet e tij me gjuhë të thjeshtë, të qartë dhe me doza të lehta humori ndaj Biden dhe Harris, Trump siguroi një mbështetje të gjerë popullore, përfshirë gratë, zgjedhësit me origjinë arabe dhe shtetet e lëkundura.
Besnikët e tij jo vetëm nuk u ndikuan, por e shtuan dhe më shumë mbështetjen e tyre dhe përballë dhjetra proceseve penale, dy atentateve dhe sulmeve të tjera verbale nga media, politika dhe njerëz të tjerë.
Ndërkohë, Presidenca 4 vjeçare Biden – Harris kishte lënë pas një faturë të rëndë politike për ta, e cila ishte tjetër avantazh për Trump-in. Nënpresidentja Harris nuk dha oferta konkrete, sidomos për shqetësimet e përditshme – ekonominë, papunësinë, inflacionin – çka e bëri shumë më mirë Trump. Shumica e zgjedhësve në këtë fushë vazhdimisht kanë parapëlqyer Trump, falë përvojës së tij sipërmarrëse dhe presidencës së kaluar, ku ekonomia amerikane shënoi rritje. Trump ka premtuar masa për de-rregullimin e ekonomisë, forcimin e proteksionizmit tregtar, duke vendosur tarifa deri 25 për qind ndaj produkteve të huaja, qoftë dhe të BE-së, Kanadasë, etj.
Kriza e azilit të paligjshëm dhe pasojat mbi sigurinë e qytetarëve ka qenë dhe mbetet shqetësim tjetër alarmant për votuesit amerikanë. Në vitin 2022 në SHBA kishte 12 milion emigrantë të paligjshëm, baraz me 3 për qind të popullsisë amerikane nga 13 për qind që zenë të gjithë emigrantët. Zonja Harris ishte disi e kompromentuar, sepse bashkë me Presidentin Biden janë treguar të pafuqishëm për të frenuar dhe ofruar zgjidhje të qëndrueshme për azilin e paligjshëm me dyndjet në masë nga Meksika.
Ndërkohë, Trump, krahas të tjerash, ka premtuar dhe ka nisur të përcaktojë masa konkrete për realizimin e operacionit më të madh të dëbimit të azilantëve të paligjshëm në historinë amerikane, duke e forcuar ndjenjën e sigurisë në të gjitha shtetet e prekura.
Ndonëse jo në një masë dhe aq të madhe, politika e jashtme ishte faktor tjetër i rëndësishëm që ndikoi në fitoren e Trump. Kandidaten Harris e rëndonin tej mase dështimi i realizimit të premtimeve të mëparshme për një politikë të jashtme aktive, në shërbim të forcimit të demokracisë dhe vlerave perëndimore dhe për një paqe të qëndrueshme. Vetëm me dy samite kushtuar demokracisë, dhe ato në “zoom”, disa “non-grata”, por duke mos bërë asgjë ndaj liderëve autokratë në favor të stabilokracisë, nuk mund të flitet për sukses të Administratës Biden në këtë drejtim. Vetë raporti i Projektit Botëror të Drejtësisë i bërë publik ditët e fundit tregon përkeqësimin e ndjeshëm të sundimit të ligjit dhe demokracisë në 80 për qind të shteteve në botë. Po kështu, ashpërsimi i toneve nga Kina, dalja dhe zgjerimi i bllokut sfidues “BRICS” e deri te ngecja në vend e dialogut Prishtinë–Beograd, janë dështime të qarta dhe të Administratës Biden-Harris.
Veç kësaj, në 4 vitet e fundit, konfliktet dhe luftrat masive e kanë kërcënuar dhe minuar më shumë se kurrë paqen në botë. Qytetarët e thjeshtë amerikanë e perceptojnë këtë edhe pasojë të diplomacisë së gabuar të Perëndimit dhe SHBA-ve.
Vazhdimi pa afat i luftës në Ukrainë, me pasoja të mëdha financiare për SHBA-në, e ka ndarë vendin më dysh. Republikanët janë shumë më të rezervuar për të mbështetur më tej Ukrainën dhe mbështesin një paqe të shpejtë, pavarësisht nga kostoja e saj. Duke theksuar se do t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë, Trump “ngjiti” më shumë te zgjedhësit amerikanë.
Integritetin dhe imazhin e politikës së jashtme dhe diplomacisë amerikane e ka cënuar ndjeshëm sulmi terrorist i 7 tetorit 2023 nga Hamasi dhe përshkallëzimi i rrezikshëm i gjendjes në Lindjen e Mesme, kërcënimet e Iranit, etj. Gjithashtu, fakti që Natanjahu po i kalon “vijat e kuqe”, ka krijuar zemëratë dhe zhgënjim masiv e shprehur dhe në protestat e shumta nga forcat pro-palestineze. Këto të fundit shkuan deri në distancimin e tyre për mbështetjen ndaj Harrisit, e përkthyer kjo në një humbje të konsiderueshme votash.
Lidhur me këto ngjarje, premtimet dhe qëndrimet e Trump për “diplomacinë e fuqisë” duket se kanë zenë më shumë vend, sikurse ka ndodhur dhe në Europë me rritjen e ndjeshme të forcave të ekstremit të djathtë. Shënojmë me këtë rast se më 2020 Trump arriti të realizonte “Marrëveshjet Abrahams” me vendet Arabe dhe Izraelin, dhe një dakordësim mes Prishtinës dhe Beogradit, të cilat, ndonëse jo të plota, ishin hap premtues drejt stabilizimit të situatave respektive.
Vetëkuptohet se rrjedhojat dhe pasojat e Presidencës Trump do të jenë të shumta në të gjitha drejtimet kudo në botë dhe në Rajonin tonë. Gjithsesi, për nje tabllo më të qartë dhe reale të tyre, veç tematikave të lartpërmendura të cilat do të zgjerohen gjatë kësaj analize më poshtë, premtimeve dhe pohimeve zgjedhore dhe të tanishme, duhet pritur deri në “kolaudimin” e tyre përfundimtar.
Zgjedhjet e reja për Parlamentin Europian në të 27 vendet anëtare të BE-ë më 6 – 9 Qershor 2024 dhe ato kombëtare dhe vendore në disa vende të tjera ishin ngjarja më e madhe europiane e këtij viti. Në vijim të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, më 1 Dhjetor filloi funksionimi i Parlamentit të ri, dhe, pas miratimit prej këtij të fundit, filloi dhe veprimtaria e Komisionit të ri, të 27 Komisionerëve të lartë të BE-së, të Shefes së re të Politikës së Jashtme dhe Presidentit të ri të Këshillit Europian.
Në këto zgjedhje, sfida më e vështirë ishte neutralizimi i tentativave të së djathtës ekstreme, e cila synonte të spostonte të dy partitë e mëdha tradicionale në tribunën parlamentare më të fuqishme e demokratike të botës. Kjo kryesisht si pasojë e rritjes së vrullshme të “Vëllezërve të Italisë”, që kanë mbi 2 vite në pushtet në Itali, të “Tubimit Kombëtar” të Le Penit në Francë, të “AfD”-së gjermane, të partive simotra hungareze, spanjolle, slovake, autriake, etj. Piksynimi i tyre u arrit deri diku, por jo plotësisht, për shkak të përçarjeve mes tyre, çka nuk bënë të mundur bashkimin në një grupim të vetëm. Grupi i Partive të djathta Popullore (EPP) doli sërish i pari, ndërsa i dyti u rendit Grupi i Partive Socialiste dhe Social-Demokrate, por ky i fundit me “firo” të mëdha zgjedhore. Liberalët dhe të Gjelbërit rezultuan humbësit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve krahasuar me 5 vite më parë. Gjithsesi, ky ishte konfirmim i fuqisë në rritje të ekstremit të djathtë, që tani qeveris në disa vende anëtare të BE-së/NATO-s, në nivel vendor dhe kombëtar.
Ashtu si SHBA-të, edhe BE-ja me institucionet e reja ndeshet me sfida të mëdha gjeopolitike dhe brenda për brenda vendeve anëtare, të cilat trajtohen më poshtë.
BE-ja është dobësuar ndjeshëm dhe si pasojë e gjendjes shqetësuese në “boshtin/ motorrin” e saj. Franca dhe Gjermania po humbasin aftësitë drejtuese të BE-së. Gjithashtu, partitë tradicionale në të dy vendet po rrezikohen seriozisht, sidomos qendra e majtë nga përshkallëzimi i ekstremeve të djathtë e të majtë.
Ndryshe nga disa vite më parë, tani nuk bëhet më fjalë për fitore simbolike, për të fituar disa vende në parlament, por për ardhjen në qeverisje, vendore dhe kombëtare, madje dhe në nivel europian, sikurse ka ndodhur me të djathtën ekstreme e cila drejton qeveritë në Itali, Suedi, Danimarkë, Holandë, Sllovaki, Estoni, Finlandë, etj.
Kështu në Francë, në zgjedhjet europiane të muajit Qershor, “Rilindja“ e Macron fitoi vetëm 14 kundrejt 31 për qind të “Tubimit Kombëtar” të Le Penit, çka bëri që ai të shpallte me ngut zgjedhjet e parakohshme më 30 qershor. Falë një marrëveshje të Macron me Frontin e Ri të Bashkuar, raundi i dytë i atyre zgjedhjeve – më 7 Korrik – përfundoi me fitoren e frontit të majtë me 182 vende, i ndjekur nga Aleanca centriste e Macronit me 168 vende – 2 herë më pak se në zgjedhjet e mëparshme. Ndryshe nga parashikimet, “Tubimi Kombëtar” u rendit i treti me 145 vende, gjithsesi rezultati i saj më i lartë.
Kësisoj, vendi ka hyrë në një udhëkryq politik, sepse asnjë nga këto parti nuk e krijonte dot qeverinë e vetme. Mundësia për koalicione ishte e pamundur, për shkak të pozicioneve të tyre të papajtueshme ideologjike. Ndonëse votat e Frontit të Ri Popullor dhe Aleancës centriste “Bashkë” e bënin të mundur formimin e një koalicion qeveritar, në praktikë kjo ishte e pamundur – radikalët e majtë të Melenchon-it janë kundër BE-së, kundër NATO-s, anti-gjermanë, dhe anti-semitë, sikurse janë dhe tejet të rezervuar për mbështetjen ndaj Ukrainës. Dhe më i vështirë, për të thënë i pamundur, është bashkëpunimi i tyre, i socialistëve dhe të Gjelbërve me makronistët.
Kësisoj, i vetmi “jelek shpëtimi“ për Macronin mbetej bashkëjetesa me Partinë Republikane, që më në fund pranoi të hynte në koalicion. Kjo “bashkëjetesë“ me një parti që kishte vetëm 6,5 për qind të votave ose 46 vende në Parlament funksionoi vetëm 3 muaj, ndonëse me një kryeministër të mirënjohur pro-europian, si Michel Barnier, ish Kryenegociator i BE-së për negociatat në kuadrin e BREXIT. Ai ishte i detyruar dhe i bëri shumë lëshime ekstremit të djathtë të Le Penit, e cila gjithsesi e rrëzoi në votëbesimin parlamentar të datës 4 Dhjetor.
Më 13 Dhjetor, Presidenti Macron emëroi Kryeministrin e ri, personalitet të mirënjohur të qendrës, François Bayrou për krijimin e qeverisë së re. Bayrou ka vijuar me takime të shumta me krerët e partive të tjera, në përpjekje për krijimin e një koalicioni sa më jetëgjatë qeveritar. Por dhe ai ka hasur në shumë kundërshtime dhe pengesa. Ndërkohë, liderët e forcave të tjera politike akuzojnë Macronin, se sipas tyre kërkon të zvarritë problemet dhe pa bashkëpunim të sinqertë me to. Ky i fundit po bën çmos për ta shtyrë sa më shumë të jetë e mundur këtë çështje, duke shpresuar në ndonjë ndryshim të favorshëm të qëndrimit të elektoratit në zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat, sipas ligjit përkatës, nuk mund të zhvillohen përpara muajit Korrik 2025. Për pasojë, krijimi dhe funksionimi i qeverisë së re do të karakterizojë dhe gjysmën e parë të vitit të ardhshëm apo ndoshta dhe krejt vitin, me pasoja politike dhe ekonomike për Francën dhe BE-në.
Ndërkohë, mbas humbjes së votëbesimit të qeverisë dhe Kancelarit Olaf Scholz më 16 Dhjetor në Bundestag, më 23 Shkurt 2025 edhe Gjermania do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në një kohë kur SPD-ja qeverisëse dhe aleati i saj i Gjelbër janë në nivelet më të ulta historike të popullaritetit
Shkaku kryesor i pakënaqësisë masive me SPD-në dhe Kancelarin Scholz është se ata nuk i kanë mbajtur premtimet zgjedhore të 4 viteve më parë. Perceptimi në masë është se ata nuk kanë realizuar kërkesat dhe nevojat më minimale të popullsisë – shmangien e azilit të paligjshëm, adresimin e çështjeve të sigurisë ndaj krimit dhe bandave, punësimin, strehimin dhe forcimin e ekonomisë. Më konkretisht, në tre vitet e kancelarisë Scholz papunësia u rrit në 5,9 për qind, rritja ekonomike ra në – 0,2 për qind dhe falimentet e bizneseve u shtuan nga 14.500 në 20.000 subjekte. Për pasojë, kostoja e jetesës është rritur me 19,5 për qind. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes me 30 për qind të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe mbi 35 për qind të tarifave të gazit dhe energjisë elektrike. Këto të fund si pasoja të ndërprerjes së furnizimit nga Rusia mbas vitit 2022.
Sa më lart, do të ndikojë në dobësimin e efektivitetit të boshtit/motorrit historik të BE-së, si aktor i pazëvendësueshëm me asnjë binom tjetër, veçanërisht në kushtet dhe rrethanat e tanishme gjeopolitike. Dobësimi i boshtit franko-gjerman e për pasojë dhe i BE-së, do të ketë ndikim në marrëdhëniet e tyre dhe kësaj të fundit me “të mëdhenj“ të tjerë gjeopolitikë, me SHBA-të, Turqinë, Italinë, me NATO-n, në politikën me Kinën, Rusinë dhe agresionin e saj kundër Ukrainës, si dhe palët e përfshira në Lindjen e Mesme, Afrikë, ku roli dhe ndikimi i tyre vitet e fundit është rrudhur ndjeshëm.
Ndikim edhe më të madh në sensin negativ do të ketë ky dobësim në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe në secilin vend të tij, si dhe në dialogun Kosovë-Serbi. Për tu theksuar se roli/kontributi i Francës dhe i Gjermanisë nuk i dha pritshmëritë e shumta. Ai u kompromentua për shkak të diplomacisë së tyre të gabuar qetësuese dhe përkëdhelëse ndaj Beogradit dhe ndëshkuese ndaj Kosovës, përfshirë refuzimin për anëtarësimin në KiE dhe mosheqjen e masave ndëshkuese.
KPE konsiderohet gjerësisht dështim i BE-së dhe posaçërisht i Presidentit Macron, i cili e lançoi këtë nisëm më 9 Maj 2022. Vetëm me pesë samite simbolike, pa seli, pa adresë, pa instancë drejtuese, pa program, pa të ardhme dhe shumë “pa” të tjera, KPE-ja është reduktuar në një samit ambulant dhe në një mundësi, sidomos për vende të vogla, për të mikpritur samite simbolike, ku ka thjesht marketing politik por asgjë më shumë. Nëse do ta vazhdojë kështu, atëhere do të vërtetohen parashikimet e analistëve se KPE-ja do të kthehet në një mbivendosje të panevojshme të OSBE-së dhe KiE-së.
Sfidat e jashtëzakonshme madhore për NATO-n gjatë këtij viti u bënë më të qarta veçanërisht në Samitin e saj jubilar, të mbajtur më 9–11 Korrik në Uashington, aty ku dhe u themelua 75 vite më parë. Ky samit u prit me shumë vëmendje dhe interes për vetë kushtet e ndërlikuara politike, ekonomike dhe ushtarake të tanishme.
Sipas shumë politologëve dhe ekspertëve të mirënjohur, asnjëherë në historinë e saj 75 vjeçare, NATO nuk ka qenë e rrethuar, e kërcënuar dhe e përfshirë si tani, jo nga një apo dy si disa dekada më parë, por me shumë vatra të nxehta, kriza dhe konflikte me emra të frikshëm, në të njëjtën kohë dhe nga shumë drejtime.
Për tu theksuar se këto zhvillime brengosëse nuk e kanë gjetur NATO-n me atë kohezion politik dhe ushtarak të disa dekadave më parë. Pavarësisht se sot është gati trefishuar në anëtarësisë së saj, NATO është larg shkëlqimit të saj të Luftës së Ftohtë, kur brenda saj kishte unitet të plotë mendimi dhe veprimi, begati ekonomike në të gjitha vendet anëtare dhe kur përballë kishte vetëm një superfuqi armiqësore, ish Bashkimin Sovjetik, por ku gjithkush kishte “sinoret” e veta gjeopolitike. Veç kësaj, Kina, Koreja e Veriut, Irani atëhere ishin në plan të dytë e të tretë, ndërsa sot janë bërë bllok serioz tejet kërcënues.
Ndonëse ndihma dhe mbështetja për Ukrainën dhe lufta deri në fitore kundër agresorit rus është diskutuar në shumë forume të tjera madhore dhe në Samitin e mëparshëm vitin e kaluar në Vilnius, në Uashington ajo zuri me të drejtë vendin qëndror, për shkak të problematikave të mëdha në 29 muajt mbas agresionit rus.
Në vijim të strategjisë me 4400 faqe që NATO miratoi vitin e kaluar për qëndrimin ndaj Rusisë, në këtë Samit u diskutua mbi zbatimin e saj.
Në Uashington Aleanca reagoi me shumë alternativa në favor të fitores së Ukrainës, të cilat janë pasqyruar në Deklaratën e njohur përfundimtare. Samiti i Uashingtonit hodhi hapa përcaktues drejt një kthese historike për të kryer transformimin më të madh ushtarak për sigurinë kolektive të NATO-s dhe në mbështetje të Ukrainës. Ndër masat më me ndikim janë: vendimi historik për stacionimin në Gjermani të sistemit modern të raketave hipersonike me rreze veprimi deri në 2500 km; krijimi i Qendrës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike; shtimi i pranisë me trupa dhe armatime në kufirin lindor të Europës; paketa prej 40 Miliard Euro për vitin 2025; krijimi i koalicionit ajror perëndimor, duke filluar me dërgimin e shpejtë në Ukrainë nga pesë vende të NATO-s të 125 avioneve ushtarakë F–16, si dhe dërgimin e 5 sistemeve të mbrojtjes kundërajrore ”Patriot”; krijimi i Qendrës Komando në Wiesbaden, për dërgimin e armatimit dhe trajnimin e ushtarakëve ukrainas me 700 trupa, etj.
Arritje tjetër domethënëse e këtij Samiti ishte mesazhi i qartë mbi ”rrugën e pakthyeshme e të pandalshme të anëtarësimit“ të Ukrainës në NATO, ndonëse me gjuhë të kujdesshme ”kur të jenë krijuar dhe të jenë plotësuar kushtet e duhura”.
Paqja dhe siguria ndërkombëtare po përballen me rreziqe shumë të mëdha edhe në Zonën e Indo – Paqësorit dhe Ngushticën e Tajvanit me Kinën. Pikërisht në ditët e Samitit, Kina kreu një numër rekord fluturimesh, me 66 avionë ushtarakë pranë dhe mbi Tajvanin. Nën kërcënime serioze nga Korea e Veriut janë dhe Korea e Jugut me Japoninë.
Për pasojë, vitet e fundit NATO e ka shtrirë veprimtarinë e saj dhe në atë zonë strategjike; Japonia dhe Korea e Jugut kanë kryer kohët e fundit stërvitje të mëdha të përbashkëta ushtarake me SHBA-të, ndërsa liderët e tyre kanë marrë pjesë në takimet dhe forumet e tjera të larta të NATO-s.
Në këtë kontekst, nuk mund të neglizhohet ngjarja tejet brengosëse më 2 Dhjetor në Seul, kur Presidenti Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Për të justifikuar këtë akt të pashembullt për një regjim demokratik në kohë paqeje, ai fajësoi opozitën më të madhe të vendit, e cila, sipas tij, kishte rrezikuar qeverisjen dhe funksionimin normal të jetës në vend. Gjendja u qartësua dhe u qetësua shumë shpejt dhe pa pasoja, falë vendosmërisë së Parlamentit dhe protestave masive, të cilat e kundërshtuan me forcë zbatimin e dekretit të Presidentit; ky i fundit u tërhoq nga ajo masë ekstreme dhe e pajustifikueshme për një vend me rend demokratik. Pavarësisht pretendimeve të pabaza të Presidentit jugkorean, Parlamenti e shkarkoi atë me shumice votash me 13 Dhjetor. Tani këtë vendim pritet ta miratojë Gjykata Kushtetuese dhe më vonë mund të ketë dhe hetim penal ndaj tij. Ky incident i rëndë kushtetues dhe shmangia e tij e shpejtë treguan sa forcën aq dhe brishtësinw e demokracisë, qoftë dhe në një vend me tradita të konsoliduara lidhur me shtetin e të drejtës si Korea e Jugut, vend me rëndësi të madhe gjeostrategjike për atë rajon dhe shumë më gjerë. Ndaj me të drejtë ky incident i rrezikshëm anti-demokratik po analizohet me përfundimet përkatëse dhe në vendet e tjera perëndimore.
Nga ana tjetër, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Afërme mbas atentatit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023 në Gaza, rreziku që paraqet Irani, veç kërcënimit për shtrirjen e tij në gjithë atë hapësirë delikate gjeopolitike, mund të ndikojë në shpërqëndrimin e vëmendjes dhe kapaciteteve ushtarake të NATO-s nga vatrat e tjera të nxehta, duke përfshirë dhe rajonin tonë.
Ndaj shihet si shumë pozitiv fakti që Samiti iu referua dhe i kushtoi rëndësinë e merituar në punimet e tij dhe në Deklaratën përfundimtare gjendjes së rënduar në Ballkanin Perëndimor.
Edhe tani, 25 vite mbas ndërhyrjes së saj ushtarake, NATO është e obliguar dhe e përkushtuar të mbajë kontigjente të përforcuara në Kosovë, e angazhuar të mbrojë fort paqen dhe stabilitetin rajonal. Krahas të tjerash, marrëveshjet e nënshkruara gjatë Samitit ndërmjet vendit tonë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Italisë do të ndihmojnë ndjeshëm për një lëvizshmëri më të shpejtë operative të trupave të NATO-s drejt rajonit tonë në rast rreziku nga forca/vende armiqësore.
Gjithsesi, NATO dhe këto vitet e fundit ka treguar se mbetet aleanca më e fuqishme demokratike, sfidues dhe fitues mbi çdo rrezik apo kërcënim.
Padyshim që kryesfida përcaktuese për Perëndimin, sidomos për NATO-n dhe BE-në mbetet fati dhe vazhdimi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, që më 24 shkurt do të hyjë në vitin e saj të katërt. Kjo sfidë përfshin:
–Ndihma, mbështetja politike, ekonomike dhe ushtarake për përparimin e Ukrainës në frontin e luftimeve si kusht i domosdoshëm për paqe.
Ndryshe nga sa shpresohej, kundërofensiva e shtyrë pranverore e Ushtrisë së Ukrainës nuk dha rezultatet e pritshme. Madje Rusia po bën hapa përpara, duke përshkallëzuar veprimet agresive me sulme masive dhe me kërcënime dhe shfaqje force me përdorimin e armëve më moderne, siç dhe bëri më 21 Nëntor, duke goditur Dnipron në Ukrainë me një raketë eksperimentale ndërkontinentale me rreze të mesme veprimi, e cila më vonë mund të ketë dhe shumë mbushje bërthamore.
Për më tepër, falë aleancës së saj me Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe shumë vende të BRICS dhe të Jugut Global, Moska i ka përballuar relativisht mirë sfidat dhe pengesat e krijuara nga 15 paketat me sanksione ekonomike të BE-së dhe atyre amerikane.
Ndërkohë, mbështetja ndaj Ukrainës dhe brenda vendeve perendimore praktikisht ka ardhur duke u zbehur. SHBA dhe BE-ja me shumë vonesë arritën konsensusin e nevojshëm politik për t’i dhënë Kievit të dyja bashkë 110 miliard Euro me ndihma, plus më shumë pajisje dhe armatime ushtarake aq të nevojshme për përparimin e Ukrainës në frontin e luftimeve. Kundërshtimi te republikanët në SHBA dhe në disa vende anëtare të BE-së kanë hedhur hije dyshimi, të cilat jane rritur me fitoren e Trump. Trysnia po rritet dhe në Gjermani, e cila shquhet për numrin e madh të ”miqve të Putinit” dhe pacifizëm.
Edhe Samiti i G 20 i zhvilluar më 19–20 Nëntor në Rio De Janeiro nuk e përmendi në Deklaratën përfundimtare agresionin rus kundër Ukrainës, duke e anashkaluar me frazën “për vuajtjet njerëzore dhe nevojën për paqe!”.
Ndërkohë, në vitin 2024 dhe sidomos gjatë muajit Qershor u zhvilluan disa veprimtari, forume dhe takime kushtuar mbështetjes së mëtejshme ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës. Konferenca e donatorëve për rindërtimin e Ukrainës (Berlin, 10–11 Qershor) dhe Samiti i G-7 (Pulia, Itali, 13–14 Qershor) patën rezultate premtuese, ku spikatin miratimi i ndihmave prej 50 miliard Euro me përqindjet e interesave të pasurive ruse në Europë, paketa e 15-të e sanksioneve europiane dhe ato amerikane ndaj 300 personave/firmave të lidhura me Rusinë, marrëveshja në fushën e sigurisë SHBA-Ukrainë, livrimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore dhe të tjera.
– Shqyrtimi i mundësisë për t’i ulur të dyja palët ndërluftuese në tryezën e negociatave për një paqe të mundshme.
Projektet dhe demarshet nuk kanë munguar. Kina, Brazili, Indonezia, Afrika e Jugut, vetë Ukraina dhe Rusia kanë dalë me kohë me projektet e tyre të paqes, të cilat janë diskutuar në Kiev, Moskë, Uashington, Bruksel dhe në metropole të tjera, por pa asnjë rezultat konkret deri tani.
Kjo ka ndodhur sepse këto nisma, ndoshta vullnet mirë, më shumë se procese për realizimin e një paqeje të vërtetë rezultojnë “eskapada”, pra mjete të përkohshme shpëtimi, për efekte të brendshme zgjedhore, për protagonizëm diplomatik, për të qenë “politikisht në rregull“ dhe për imazhin e një vendi paqedashës.
Realiteti në terren është krejt i ndryshëm dhe larg pritshmërive. Megjithë pohimet dhe demarshet paqebërëse, realisht është e pamundur që Putini të ulet e të flasë për paqe, kur erërat duket se po fryjnë në favor të tij. Madje, siç e shprehu hapur dhe më 14 Nëntor, atij nuk i intereson të ulet në tryezë, me përjashtim të kushtit që Rusisë t’i lihen të katër rajonet e pushtuara në Ukrainë, “çmilitarizimit dhe denazistifikimit të Ukrainës” dhe mos anëtarësimit të saj në NATO.
Vlerësohet gjerësisht së çfarë kërkon Putin nuk do të ishte paqe, por pushtim për Ukrainën. Në këto kushte, as Ukrainës nuk i intereson të ulet në tryezë për paqen, pa përparime ushtarake dhe pa rimarrë disa territore të pushtuara pas 24 Shkurtit.
Ka tërhequr së fundmi vëmendjen propozimi i Presidentit Zelenski për anëtarësimin në NATO, duke mos përjashtuar lënien jashtë të disa territoreve. Ai ka gjetur jehonë në disa qarqe të larta politike dhe ushtarake perendimore. Më 1 Dhjetor këtë ide e mbështeti publikisht dhe ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Gjithsesi, ai nënvizoi domosdoshmërinë e kushtit për garancitë e nevojshme nga ana e NATO-s ndaj Rusisë. Në fakt këtu qëndron problemi dhe vështirësia më e madhe – cilat janë mundësitë e rimarrjes më vonë, me diplomaci apo ushtri të territoreve të pushtuara nga Rusia. Në një intervistë të dt. 18 dhjetor, Zelensky ka pranuar se Ukraina e ka të pamundur të rimarrë me forcë Krimenë dhe Donbasin.
Këto prononcime mund të analizohen edhe si kambanë e fortë alarmi për gjendjen jo premtuese ukrainase në frontin e luftimeve. Ideja e pranimit të Ukrainës në NATO dhe me territorin e saj të lirë është hedhur dhe më parë nga protagonistë të tjerë politikë europianë, me mendimin se kjo do të shkurajonte Putinin dhe do ta detyronte atë të tërhiqej nga lufta. Kjo duket e parealizueshme, mbasi Putini nuk do ta pranojë kurrë anëtarësimin në NATO! Veç kësaj, sipas disa ekspertëve të njohur ushtarakë, kjo alternativë mund të çojë në përshkallëzim dhe më të madh të luftës atje! Edhe sikur të realizohej, ajo nuk do të jepte asnjë garanci për sigurinë e Ukrainës dhe të Europës në të ardhmen, mbasi do të nxiste dhe më tej oreksin luftënxitës të Moskës!
Ndaj, për Ukrainën tingëllon dhe më aktuale alternativa “Paqe nëpërmjet luftës”, me ndihmën dhe përkrahjen e fuqishme të Aleancës Perëndimore. Drejtësia e kësaj teze del në pah dhe kur i referohesh Konferencës Ndërkombëtare të Paqes të mbajtur në Luzern të Zvicrës më 15-16 Qershor, si nismë e qeverisë zvicerane me praninë e liderëve dhe përfaqësuesve të lartë nga 92 vende dhe organizata ndërkombëtare, ndërmjet të cilëve 50 krerë shtetesh dhe qeverish. Ashtu siç dhe pritej, ajo përfundoi pa rezultat, me një deklaratë ku 80 vende mbështesin integritetin territorial të Ukrainës. Mosprania e Rusisë dhe Kinës e zbehën ndjeshëm rëndësinë dhe jehonën e Luzernës. Problem tjetër serioz ishte se megjithë demarshet e shumta diplomatike, perëndimore dhe të vetë Presidentit ukrainas Zelenski, Deklaratën e Konferencës nuk e nënshkruan vende me peshë gjeopolitike si India, Indonezia, Tajlanda, Brazili, Arabia Saudite, Afrika e Jugut. Kësisoj, kjo konferencë ishte më tepër një forum ndërkombëtar për të shprehur dëshirën e mirë për paqe, por jo më shumë se aq.
Krahas ekspertëve të tjerë të mirënjohur, shkakun tjetër kryesor të pamundësisë së diplomacisë klasike për arritjen e paqes në Ukrainë e ka shpjeguar më së miri Alexander Rhotert, ndër ekspertët më të njohur gjermanë, kur thotë se: ”mësimi i parë i madh është që diplomacia dhe negociatat nuk mund e nuk duhet të bëhen gjatë procesit të luftimeve. Ato lihen për në fund, mbasi kanë mbaruar veprimet në teatrin e luftimeve, kur agresori është dobësuar në kulm, duke e ulur atë në tryezë; sepse vetëm trysnia ushtarake i detyron diktatorët dhe agresorët të pranojnë paqen, veçse me kushtet tona, jo të tyret”.
Nisur nga këto faktorë gjeopolitikë, eseisti dhe filozofi i shquar francez i kësaj fushe, Nicolas Tenzer me librin e tij më të ri “Lufta jonë”, kërkon me zë të lartë zbatimin nga Perëndimi të “diplomacisë së luftës“. Sipas tij, kjo është e pashmangshme kur tjetri të kërcënon hapur se do të të shkatërrojë; atëhere këtu nuk ka më vend për diplomacinë klasike, takime, propozime dhe ulje në tryeza diplomatike dhe plane paqësore; përkundrazi, gjithçka duhet kthyer dhe vënë në dispozicion të përgatitjeve për luftë pa kompromis kundër agresorit.
Ja pse, ajo çka kërkohet tani e tutje është përshkallëzimi dhe përshpejtimi i ndihmave ushtarake për Ukrainën dhe deklarimin e qartë se Perëndimi është i vendosur për fitoren e Ukrainës dhe disfatën e Rusisë.
Ndaj, po rritet shkalla e ndërgjegjësimit ndërkombëtar se vendet perendimore duhet të shtojnë dhe përshpejtojnë ritmet e dërgimit të armatimit të fuqishëm dhe vendimtar në Ukrainë sa nuk është vonë. Presidenti Biden më në fund në mesin e muajit nëntor autorizoi Ukrainën të godasë dhe në brendësi të territorit rus me sistemin e tij modern raketor me rreze të gjatë veprimi. Veçse kjo po ndodh shumë vonë, mbasi Rusia ka marrë me kohë masat për t’iu kundërpërgjigur, prandaj efektiviteti i tyre nuk ka qenë dhe vështirë të jetë ai që pritej.
Me 1 Dhjetor, Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa dhe Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas e filluan detyrën dhe misionin e tyre të ri jo në zyrat e tyre komode në Bruksel, por në Kievin me sirena alarmi, si një mesazh simbolik solidariteti, me besimin se ky mesazh do të shoqërohet me më shumë ndihma dhe mbështetje politike, ekonomike dhe ushtarake Euro-Atlantike.
Po ashtu, më 19 Dhjetor, mbas Samitit të BE-së, krerët e vendeve kryesore të NATO-s zhvilluan një takim në Bruksel me Presidentin Zelenski, ku rikonfirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën. Pavarësisht nga garancitë që u dhanë, duhet pritur inaugurimi i Presidentit Trump për të parë konkretisht linjat e reja të politikës perëndimore ndaj Ukrainës.
Siç dihet, mbas ofensivës disa ditore që forcat rebele siriane HTS nisën më 29 Nëntor kundër regjimit të diktatorit Asad, duke pushtuar qytetet kryesore, më 8 Dhjetor ato hynë fitimtarë në Damask, mbasi Presidenti Assad ishte larguar fshehurazi për në Moskë.
Përmbysja e regjimit të Assadit ishte tërmet i fortë politik për diktatorët në botë dhe për shpresën e popujve për liri dhe paqe. Përfundimisht, ajo që nuk u arrit të bëhej në kuadrin e “Pranvera Arabe” 10-15 vite më parë nga forcat perëndimore, u realizua në pak ditë nga forcat e opozitës rebele siriane me mbështetjen e Turqisë.
Edhe pse kjo ngjarje e shënuar meriton analiza dhe vlerësime të tëra shteruese në të ardhmen, ajo çka mund të thuhet me siguri është se në planin gjeopolitik, shembja e rregjimit kriminal 54 vjeçar të Assadit dobësoi ndjeshëm pozitat e Rusisë, Iranit, Hezbollahut dhe Hamasit në rajon. Veç të tjerash, ajo i privon forcat e tyre ushtarake nga qasja në bazat strategjike, rrugët dhe korridoret e nevojshme të transportit të mjeteve ushtarake kundër Izraelit dhe për veprime të tjera agresive. Ndërkohë, forcohen ndjeshëm pozitat e Turqisë dhe të Perëndimit në përgjithësi, duke i dhënë impulse të reja të fuqishme politikave dhe diplomacisë perendimore, për ta shfrytëzuar momentin historik për një ”breakthrough” drejt një paqeje të qëndrueshme, sigurisë, stabilitetit dhe begatisë në atë rajon të trazuar.
Këtij qëllimi i shërbeu dhe takimi i parë i Ministrave të Jashtëm të SHBA-ve, Turqisë, Lidhjes Arabe dhe BE-së në Aman më 14 Dhjetor; aty u konturuan masat përkatëse fillestare, me qëllim që gjendja e krijuar në Siri mbas rënies dhe largimit të Assadit të administrohet sa më drejt, në funksion të paqes dhe demokracisë, duke shmangur përfundimisht rishfaqjen e forcave të dikurshme terroriste. Me siguri diskutimet dhe demarshet, si për Sirinë dhe gjithë atë rajon të nxehtë do të vijojnë gjatë vitit 2025, sidomos me ardhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Trump më 20 Janar 2025.
Ca më tepër se mbas datës 7 tetor 2023, i cilësuar me të drejtë si “11 Shtatori” i Lindjes së Afërme, kjo zonë gjeostrategjike shpërthyese ndodhet në një udhëkryq të madh me plot të panjohura; krahas Izraelit, Hamasit dhe Autoritetit Palestinez, atje ndikojnë dhe diktojnë situatën shumë aktorë/faktorë madhorë politikë, ekonomikë dhe ushtarakë, me përplasje të forta interesash gjeopolitike – SHBA, BE, vendet arabe, Kina, Rusia, Irani, tashmë me pretendime të mëdha politike dhe ushtarake.
BE-ja, vite më parë shumë më aktive në atë rajon. Pas dështimit të ”Pranverës Arabe” ku ajo u investua shumë politikisht dhe ushtarakisht, siç e ka pohuar dhe ish-Përfaqësuesi i saj i Lartë, Borrrell, BE ia la në dorë Lindjen e Mesme SHBA-ve. Tashmë ka ardhur koha që BE-ja të rikthehet dhe të forcojë rolin e saj gjeopolitik në atë rajon, dhe të mos kufizohet vetëm në donatore ndihmash.
Një rol tejet negativ dhe të rrezikshëm për zhvillime sado pak normale në rajon, luan Irani. Pas lehtësimit të pavend të sanksioneve ekonomike vite më parë, pas arritjes së Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse (edhe pse nga kjo e fundit, SHBA, nën Presidentin Trump, u tërhoq në vitin 2018), Irani arriti të siguronte fitime të majme dhe financoi lehtësisht të ashtuquajturit ”unazën e zjarrit” apo ”ushtritë e tij rezervë” – Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban dhe Huthët në Jemen.
Në Perëndim, problemi tjetër i madh është ndarja e opinionit publik në vendet Europiane, dukshëm në favor të Palestinës. Shfaqjet anti-semitiste janë trefishuar në Gjermani, por dhe në Francë, Britani, Itali dhe gjetkë.
Ndërkohë, SHBA-të, mbas 7 Tetorit, ka bërë një rikthim të fuqishëm në atë rajon. Pas Presidentit Biden, gjatë 12 muajve të fundit Sekretari i Shtetit Blinken ishte 12 herë në Lindjen e Mesme, veç ndërmarrjes së masave të tjera të shtuara ushtarake. Siç pohojnë shumë ekspertë dhe politologë, roli i SHBA-ve në rajon ishte dobësuar ndjeshëm. Vitet e fundit, Lindja e Mesme u la në plan të dytë, duke e spostuar vëmendjen nga Kina dhe më vonë te Rusia.
Gabimi tjetër i bashkësisë ndërkombëtare dhe Perëndimit në veçanti, ishte ”mbyllja e njërit sy” ndaj akteve ekstremiste të Izraelit, kur ai ”shkelte me të dyja këmbët” rezolutat e KS të OKB-së, injoronte Perëndimin, shtonte vendbanimet e paligjshme në Gaza, etj. Për pasojë, SHBA-të dhe Perëndimi tani duhet të veprojnë në rrethana dhe në një terren më të pafavorshëm dhe me besueshmëri në rënie. Ca më tepër, ai tani përballet me shtete dhe blloqe të lëkundura kundërshtare, çka ia vështirëson së tepërmi punën. Duke filluar nga Turqia, aleat dhe aktor madhor perendimor dhe tejet i rëndësishëm në rajon, simpatizant i kahershëm i Palestinës. Padyshim që blloku më sfidues këtu për Perëndimin mbetet BRICS dhe i ashtuquajturi ”Jugu Global” që në përgjithësi janë kundër Izraelit dhe në favor të shtetit palestinez, ndonëse formalisht e kanë dënuar Hamasin.
Ndërkohë, Rusia dhe Kina, ndonëse hiqen si asnjanjëse e të gatshme për ndërmjetësim, kanë si interes të tyre zgjatjen e konfliktit në Lindjen e Mesme. Në këtë mënyrë, ato largojnë vëmendjen perëndimore ndaj tyre.
Këto përplasje dhe mosmarrëveshje po pasqyrohen dhe në OKB, e cila po tregon sërish paaftësinë e saj për menaxhimin e gjendjes, dhe si garantuese e sigurisë dhe paqes. Në vazhdën e pakënaqësive ndaj OKB-së, Tel Avivi ka kërkuar dhe dorëheqjen e Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Antonio Gueterres, madje muajt e fundit e shpalli atë person ”non grata”.
Shumë analistë dhe politologë seriozë pohojnë se në këtë kaos të rrezikshëm ka përgjegjësinë e vet dhe Izraeli me qeveritë e tij dhe Kryeministri Netanjahu, i cili ka drejtuar në 10 vitet e fundit. Brenda vendit është dëmtuar kohezioni politik dhe social, prej demarsheve të ndryshme jo tërësisht demokratike, mbas disa palë zgjedhjesh të parakohshme, prej sulmeve kundër pavarësisë së drejtësisë dhe gjyqësorit e duke provokuar protesta masive kundër tij. Sipas sondazheve më të fundit, 4/5 e izraelitëve kërkojnë largimin e Netanjahut, edhe për përgjegjësinë e tij për humbjen e vigjilencës dhe thyerjen e mitit të mbrojtjes së vendit.
Lidhur me synimin e shpallur nga Netanjahu për ta çmontuar Hamasin, si kusht dhe garanci për paqe dhe siguri për Izraelin dhe gjithë rajonin, shumë ekspertë të mirënjohur shprehin dyshime dhe e quajnë thjesht slogan propagandistik. Në fakt, ky objektiv mund të arrihet, por vetëm duke ”futur në lojë” Autoritetin Palestinez, çka ai e kundërshton. Hamasi mund të humbasë forcën e tij tërheqëse, vetëm nëse Palestinës i garantohet një e ardhme e sigurt dhe në paqe me Izraelin.
Veç kësaj, sipas dhe disa ekspertëve izraelitë, qeveria dhe Netanjahu nuk e kanë ende as drejtimin e duhur dhe as një qëllim të qartë strategjik se çfarë dhe si ta realizojnë. Kjo konfirmohet së fundi dhe në Letrën që Ministri i Mbrojtjes i Izraelit Yoav Gallant i dërgoi më 27 Tetor 2024 Netanjahut. Në atë letër, sipas burimeve të besueshme të bëra publike, ai e “qorton” Netanjahun, duke i kërkuar fiksimin e këtyre qëllimeve detajuara për Hamasin, Libanin, Iranin, Palestinën dhe në përgjithësi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ndërkohë, siç ka pohuar dhe filozofi i shquar izraelit, profesor në Nju Jork, Omry Boehm, as zgjidhja me dy shtete nuk po e bind shumicën e hebrejve. Netanjahu nuk mund të vijojë të qeverisë pa ekstremin e djathtë. Ky i fundit, i vetëdijshëm për këtë rol, dikton vendimet e tij, sidomos lidhur me moslirimin e pengjeve, mosbashkëpunimin me Autoritetin Palestinez dhe moszgjidhjen sipas parimit të dy shteteve në paqe dhe siguri.
Në këto kushte, lufta shihet gjithmonë e më shumë si rrugëdalje nga kjo gjendje. Por vetëm me luftë nuk mund të ketë paqe.
Në këtë rebus të ndërlikuar, sigurisht ka përgjegjësinë e vet dhe Autoriteti Palestinez në Rramallah, me një apathi e mungesë të theksuar lëvizjesh politike dhe diplomatike, me një qëndrim refraktar, jo bashkëpunues me aleatët e vet dhe me mungesë të dukshme vizioni dhe lidershipi.
Në Sesionin e 79 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2024, Ministri i Jashtëm Jordanez, Ayman al-Safadi deklaroi se 57 vendet islamike janë gati të garantojnë sigurinë e Izraelit, me kusht që të lejohet krijimi i shtetit të Palestinës. Këtë pohim pakkush e beson – në vendet arabe në përgjithësi vërehet një anti-semitizëm në rritje kudo, në shkolla, institucione, te kultet fetare, në një kohë kur politika atje shoqëria civile dhe aktorë të tjerë nuk bëjnë asgjë kundër anti-semitizmit. Natyrisht, që dhe veprimet e Izraelit e qëndrimet e tij të pajustifikueshme, përfshirë së fundi nxjerrjen jashtë ligjit të UNRËA, organizata e shpërndarjes së ndihmave humanitare, nuk ndihmojnë në zbutjen e tij.
Këtë gjendje tejet të nderë, e ndërlikoi më tej Urdhër Arresti për Netanjahun dhe ish Ministrin e Mbrojtjes nga Gjykata Penale e Hagës më 20 Nëntor 2024; ky akt ka shkaktuar ndasi të tjera dhe vetë brenda kampit perëndimor si dhe ka dëmtuar imazhin dhe perceptimin publik për Izraelin.
Nisur nga sa sipër, mund të imagjinohet se sa i vështirë është qoftë dhe frenimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, le më pastaj gjetja dhe zbatimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme, e cila do të kënaqte të gjitha palët e lartpërmendura. Gjithsesi, edhe pse për këtë do të duhen vite, për të mos thënë dekada me demarshe diplomatike, thelbi i kësaj zgjidhjeje mbetet pranimi dhe realizimi i politikës ”së dy shteteve” bashkë me krijimin e masave të besimit dhe sigurimit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, shmangien e dhunës dhe vendosjen e Rripit të Gazës, krahas bregut Perendimor nën administrimin e shtetit të ardhshëm të Palestinës.
Marrëveshja e 26 Nëntorit 2024 mbi vendosjen e armëpushimit 60 ditor midis Izraelit dhe Hamasit është hap në drejtimin e duhur; ai jep shpresa për një rigjallërim të procesit poblematik të paqebërjes në këtë rajon të nxehtë.
Më 5-10 Maj 2024, Presidenti kinez Xi Jingping vizitoi Parisin, Beogradin dhe Budapestin, ndërsa më 14-23 Nëntor, mori pjesë në Samitin e Azi-Paqësorit në Lima, në Samitin e G–20 në Rio De Janeiro dhe realizoi disa vizita të tjera bilaterale në Amerikën Latine.
Për disa arsye thelbësore gjeostrategjike, turi kinez i nivelit më të lartë në Europë ishte ngjarje me rëndësi gjeopolitike. Ishte vizita e parë e Presidentit kinez mbas Pandemisë COVID–19 në Europë, kur kjo e fundit kishte hyrë në fushatën e zgjedhjeve përcaktuese për Parlamentin Europian më 6-9 Qershor, si dhe në një kohë që po kërkon përgjigje për sfida të shumta, ku megjithë tensionet ekzistuese, kontributi kinez është i domosdoshëm. Mjaft të përmendim ndryshimet klimatike, tregtinë botërore, krizën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, të cilat janë vendimtare për paqen, sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Turi në Amerikën Latine ishte konfirmim i marrëdhënieve më të ngushta me shumicën e atyre vendeve dhe rritjen e ndikimit kinez, nëpërmjet projektit gjigand “Një brez një rrugë” dhe Grupimit “BRICS”, ku Pekini është “violinë e parë”.
Kjo vizitë, takimet e Xi jinpingut me Presidentin amerikan Biden më 16 nëntor në Samitin e Azi-Paqësorit dhe kontakte të tjera kanë patur ndikim pozitiv për uljen e tensioneve politike, ekonomike dhe ushtarake ndërmjet Kinës dhe Perëndimit dhe në gjetjen e rrugëdaljeve nga kriza dhe konfliktet që i kanë karakterizuar ato – lufta e ashpër tregtare, incidentet në Detin e Kinës Jugore, etj.
Gjithsesi, tani pritet me interes politika dhe qëndrimet e Administratës së re të Presidentit Trump kundrejt Kinës. Objektivi është që të mbahet sa më larg konflikti i armatosur, Kina të mos mbështesë Putinin dhe Korenë e Veriut, sidomos lidhur me mospërdorimin e armëve bërthamore, dhe, në vend të konflikteve, të ketë sa më shumë konsensus mes tyre. Duhet theksuar se të gjitha palët kanë interesa të përbashkëta ekonomike dhe ushtarake. Në fakt, për SHBA-të, Kina përbën sfidën e saj më të madhe në të gjitha planet. Fftesa e Presidentit të zgjedhur, Donald Trump për homologun kinez Xi Jinping, për të qenë i pranishëm në ceremoninë solemne të inaugurimit të tij në Uashington më 20 Janar 2025, vlerësohet si një gjest i vullnetit të mirë dhe fillim i mbarë i marrëdhënieve sfiduese mes tyre.
Intensifikimi i përpjekjeve, nismave dhe proceseve të ndryshme, me synim forcimin e bashkëpunimit rajonal në përgjithësi dhe në mes vendeve të tij ka vijuar gjatë gjithë vitit 2024 në forma dhe formate të ndryshme. Veçanërisht në kuadrin e Procesit të Berlinit u organizuan disa takime të rëndësishme ministeriale dhe Samiti i tij në Berlin më 14 Tetor, që morri disa vendime të rëndësishme për krijimin e Tregut të Përbashkët dhe zbatimin e Planit të Rritjes Ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Këto tema u diskutuan në dy samitet e Komunitetit Politik Europian dhe në disa forume rajonale në kryeqytetet e Ballkanit, në Austri, në Nju Jork, Bruksel, etj.
Së fundmi, siç dhe është bërë e njohur, tematikat më shqetësuese të Ballkanit Perendimor u trajtuan me theks të veçantë dhe me kërkesa ultimative në Samitin e BE-Ballkani Perendimor të zhvilluar në Bruksel më 18 Dhjetor.
Gjithsesi, pavarësisht nga këto dhe të tjera veprimtari dhe demarshe, shqetësimi i madh është se gjendja, klima dhe atmosfera në rajon dhe midis disa vendeve të tij mbetet e trazuar, e ndezur, shpërthyese, me shumë rreziqe dhe pasiguri.
Ndërkohë, akti i rëndë terrorist në kanalin e ujësjellësit në Zubin Potok në veri të Kosovës më 29 Nëntor 2024, dëshmoi dhe njëherë qartë rreziqet dhe kërcënimet serioze për sigurinë e Kosovës.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptare iu bashkua institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, SHBA-ve dhe BE-së në dënimin e këtij akti dhe kërkesën për nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve të tij.
Lajmi tjetër brengosës dhe burim i rrezikshëm konflikti, që kërkon vëmendje dhe ndërhyrje vendimtare nga BE-ja dhe SHBA-të, është njoftimi mbi ndarjen e mundshme të Republika Srpska nga Bosnia, në kuadrin e krijimit të botës serbe, e shpallur nga Dodik.
Për pasojë, edhe gjatë vitit 2024 Ballkani Perendimor, megjithë përpjekjet dhe ndonjë arritje, mbetet terren i tensionuar dhe që i mbajti të gozhduara Presidencën belge dhe atë hungareze të BE-së në demarshet e tyre të shumta diplomatike.
Këtu ndikon për keq bllokimi dhe gjatë vitit i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, mos zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, në veçanti trysnia e vazhdueshme nga BE-ja mbi Prishtinën për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mos heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe mosmarrëveshje të tjera mes palëve.
Për pasojë, preokupimi real diplomatik ndërkombëtar këtë vit ishte dhe mbetet shmangia dhe frenimi i përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes dhe dalja nga ngërçi.
Të gjitha shpresat dhe pritshmëritë janë zhvendosur në periudhën e krijimit dhe fillimit të punës të ekipeve të reja drejtuese në Bruksel dhe Uashington, si dhe përfundimit të zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë më 9 Shkurt 2025.
Ajo çka kërkohet tani e tutje është një përqasje, strategji dhe praktikë cilësisht e re diplomatike ndaj Beogradit dhe Prishtinës:
Nëse Serbia nuk pranon, siç e ka shprehur qartazi, atëherë duhet kaluar në formate të tjera e jo si deri tani, “tërhiq dhe mos këput!”. Në këtë mendim të ri strategjik duhet rishikuar dhe qëndrimi perëndimor ndaj Kosovës në të gjitha elementët e saj, pa e trajtuar kryesisht me “kërbaç” dhe “si të njerkës”.
Në përgjithësi, politika në Prishtinë ka mbajtur qëndrime të drejta në shumë aspekte dhe me argumentet përkatëse. Mirëpo tani ka ardhur momenti që krahas sovranizmit, ajo të shfaqë dhe vullnetin e duhur politik; të bëjë më shumë realpolitik dhe jo diplomaci morale, duke u linjëzuar me politikën dhe diplomacinë e SHBA-ve dhe BE-në; krahas argumentimit me parime politike, Prishtina të merret më shumë me procedura teknike, çka i ka munguar diplomacisë së saj, sidomos lidhur me krijimin e Asociacionit.
Veçse kjo të bëhet, siç po vepron me të drejtë politika në Prishtinë dhe tani, duke këmbëngulur fort me lobimet përkatëse, si dhe mbështetjen e diplomacisë sonë, që dhe Serbia të zbatojë në frymë dhe në gërmë detyrimet e saj.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka ndjekur me interes dhe shqetësim të madh negociatat e stërzgjatura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Veç kontakteve direkte me shtetarët në Prishtinë, si dhe me shumë diplomatë e qendra të Organizatave Ndërkombëtare, brenda e jashtë vendit, me disa deklarime dhe dokumenta zyrtare ai është shprehur kundër presionit që i bëhet Kosovës për të rënë dakord për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbasi ky presion minon sovranitetin e Kosovës dhe inkurajon qëndrimin serb për mosnjohje.
Sipas KASH-it, roli dhe kontributi i pazëvendësueshëm i BE-së duhet të fokusohet në lehtësimin e një dialogu të drejtë që respekton pavarësinë e Kosovës. Ai ka sugjeruar që BE-ja të caktojë negociatorë të saj për dialogun Kosovë-Serbi diplomatë/politikanë të cilët do të ishin të mirëpritur dhe të pranueshëm nga të dyja vendet, në mënyrë që të rritet niveli i besueshmërisë mes të gjitha palëve.
Më 15 Tetor, në Luksemburg u mblodh Konferenca e II Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila shënoi dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit për Grup Kapitujt e parë ose “Themeloret” siç njihen. Padyshim një ngjarje me rëndësi të madhe, dhe pse e vonuar; 15 vjet mbas kërkesës zyrtare, 10 vjet mbas dhënies së statusit kandidat, 4 vjet mbas vendimit për çeljen e tyre dhe 2 vjet mbas Konferencës së Parë Ndërqeveritare të zhvilluar në Brukel me 22 Korrik 2022.
Arritja tjetër e radhës në këtë fushë ishte çelja e grup kapitullit të 6-të mbi politikën dhe marrëdhëniet me jashtë, në Konferencën e Tretë Ndërqeveritare BE – Shqipëri më 17 Dhjetor në Bruksel. Dhe nga ana praktike/psikologjike (ky është kapitulli më i lehtë – jemi plotësisht të linjëzuar në politikën e jashtme me BE-në), ky fakt shërben si nxitës për realizimin e objektivit të anëtarësimit në BE në vitin 2030.
KASH i ka përshëndetur këto ngjarje madhore, duke nënvizuar se çelja e negociatave për kapitujt jetikë të drejtësisë, gjyqësorit, shtetin e të drejtës, luftën kundër korrupsionit, dhe politikën e jashtme është moment me rëndësi të madhe politike, institucionale, diplomatike dhe sociale për vendin tonë.
Ato janë sintetizim i përpjekjeve të shumta gjatë këtyre dy viteve të fundit, përmes shqyrtimit të suksesshëm analitik të legjislacionit dhe praktikave të ndryshme nga institucionet e ndryshme shtetërore dhe ato jo qeveritare.
Me këtë rast, KASH ka përshëndetur dhe përgëzuar ekipin e negociatorëve, institucionet pjesëmarrëse në këtë proces, MEPJ-në, në veçanti Këshillin Kombëtar të Integrimit, si institucioni më gjithëpërfshirës dhe mbikqyrës i këtij procesi jetik, aktorë dhe faktorë madhorë si opozita, shoqëria civile, media, grupet e interesit, etj për ndihmën dhe përpjekjet e tyre për një përfaqësim sa më dinjitoz dhe të frytshëm.
Padyshim, arritjet dhe realizimet në fushat që përfshihen në këto grup kapitujsh janë bazë e mirë për një ecuri normale të procesit të gjatë të këtyre bisedimeve. Po ashtu, trajnimet, seminaret, shkëmbimi i përvojës me shumë vende anëtare të BE-së, ndihma dhe mbështetja e gjithanshme e kësaj të fundit në procesin e afrimit të legjislacionit tonë me atë europian, niveli i lartë i kualifikimit i negociatorëve tanë, etj përbëjnë premisa të favorshme në këtë drejtim.
Megjithatë, dhe në Deklaratën e tij më 14 Tetor 2024, KASH theksoi nevojën e një kujdesi dhe vlerësimi më të drejtë dhe pa eufori të këtij procesi të ndërlikuar. Madje, pa mohuar aspektet pozitive, theksi të vihet në mangësitë dhe shqetësimet e krijuara vitet e fundit, të cilat ndikojnë negativisht në kohëzgjatjen e negociatave. Ca më tepër se problemet janë shkaktuar pikërisht në grup kapitujt e parë, që janë dhe thelbi i përmbajtjes së negociatave. Prej tyre varet realizimi dhe përparimi në pesë grup kapitujt e tjerë, nga fillimi deri në fund të këtij procesi.
Lidhur ngushtë me përparimin e mëtejshëm të negociatave tona të anëtarësimit, merr rëndësi të veçantë zbatimi në vazhdimësi i sugjerimeve dhe përfundimeve të Samitit të Përbashkët BE-Ballkani Perendimor, zhvilluar në Bruksel më 18 Dhjetor; aty nënvizohet me përparësi shmangia dhe zgjidhja me frymë mirëkuptimi i incidenteve dypalëshe, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nevoja për dialog politik gjithëpërfshirës dhe zbatimi i reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Gjithashtu në këtë Samit, krahas vlerësimeve për disa përparime, BE-ja bëri një sërë vërejtjesh dhe paralajmërimesh të qarta për më shumë kujdes, sidomos lidhur me zbatimin e ligjeve, që dhe draft-ligjet e reja të mos bien ndesh me frymën dhe gërmat e ligjeve europiane, siç ka ndodhur me ato të investitorëve strategjikë, amnistisë penale, si dhe për korrupsionin galopant, krimin e organizuar dhe shqetësimet lidhur me zbatimin e reformës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Nisur nga sa sipër, KASH i ka bërë thirje qeverisë, mazhorancës dhe opozitës parlamentare që në procesin e hartimit dhe sidomos miratimit të ligjeve të mbajnë më mirë parasysh frymën, legjislacionin dhe praktikat e BE-së, të bëjnë konsultimet përkatëse, në mënyrë që ato ligje të mos kthehen në shkaqe, pengesa dhe vonesa të mëtejshme.
KASH pajtohet me mendimin se anëtarësimi në BE nuk i takon vetëm qeverisë dhe diplomacisë, por gjithë shoqërisë, ekonomisë, medias, publikut të gjerë, të gjithëve. Gjithsesi, në krye të këtij procesi historik dhe përgjegjësja kryesore është qeveria. Me rëndësi vendimtare këtu është krijimi i një fronti të gjerë mbipartiak europian, me qëllim që të përshpejtohet ritmi nëpërmjet dialogut, konsensusit dhe frymës së kompromisit mbipartiak. Shpallja e vitit 2030 si objektiv për anëtarësimin tonë në BE duhet të reflektojë një mobilizim total, së pari nga qeveria, për të krijuar një klimë, terren dhe mjedis shumë më të favorshëm, afrues dhe pajtues dhe me opozitën, e cila ka rolin e vet të rëndësishëm.
Përvoja e deritanishme kërkon një vlerësim të drejtë dhe të barabartë të Komisionit, Këshillit, Parlamentit dhe Shërbimit të Jashtëm Europian, pa mbivlerësuar apo nënvleftësuar asnjerin prej tyre, siç dhe ka ndodhur.
Po ashtu, kjo kërkon zhvillimin e marrëdhënieve sa më të mira dhe pa asnjë incident me të 27 Shtetet Anëtare të BE-së e veçanërisht me vendet fqinje; kjo është dhe mënyra më e mirë për të shmangur çdo veto apo bllokim të mundshëm në të ardhmen. Kujtojmë se Metodologjia e Zgjerimit e vitit 2020 i jep të drejtën çdo vendi anëtar të BE-së të kërkojë ndërprerjen dhe pezullimin e negociatave, kur sipas tyre vendi aspirant nuk përmbush vlerat dhe standardet e duhura europiane.
Me këtë rast, KASH ka shprehur keqardhjen dhe shqetësimin për ndarjen në këtë proces të Maqedonisë së Veriut nga vendi ynë për shkaqe të njohura. Shpresojmë shumë që autoritetet përkatëse në Shkup por dhe në Sofje të reagojnë dhe të zgjidhin bashkë e në mirëkuptim europian mosmarrëveshjet, duke zbatuar detyrimet e tyre me rastin e hapjes së bisedimeve dy vite më parë.
Pavarësisht nga ky veçim që urojmë të jetë i përkohshëm, janë të gjitha mundësitë që të dy vendet tona të vijonë dhe forcojnë bashkëpunimin e tyre në këtë fushë, ashtu si në 20 vitet e fundit, me shpresë që sa më shpejt të jenë dhe të përparojnë sërish bashkë dhe në këtë proces jetik.
Gjithashtu, ashtu si dhe më parë, KASH ka shprehur gatishmërinë për të dhënë ndihmesën e vet në këtë proces historik, falë përbërjes së tij, me diplomatë të lartë, ambasadorë dhe ish ministra të jashtëm, të cilët kanë shërbyer me devotshmëri në Tiranë dhe në shumë metropole europiane dhe vazhdojnë të kontribuojnë në këtë proces historik në detyra dhe funksione të tjera elitare, me dijet, përvojën, prononcimet publike, mediatike dhe disa botime tematike të vlerësuara.
Zgjedhja e ish Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerit si Europarlamentar, lirimi i tij nga burgu dhe sidomos përfundimi i zgjedhjeve të pjesshme vendore në Himarë më 4 Gusht me mesazhet e tyre përkatëse krijuan premisat e para premtuese për kapërcimin e ngërçit 20 mujor dhe për një dinamikë të re në marrëdhëniet tona dypalëshe me Greqinë fqinje. Për shkak të ngërçit në fjalë, ka patur shumë pak hapa dhe lëvizje politike dhe diplomatike midis dy vendeve tona. Edhe vizita e zv.ministrit të jashtëm grek të diplomacisë ekonomike, zotit Kostas Fragkogiannis në fillim të muajit Nëntor në Tiranë kaloi pa vëmendjen e duhur dhe pa u shfrytëzuar për një impuls të ri për këto marrëdhënie. Në këtë drejtim ishte pozitive fjala e Kryeministrit Rama në Takimin me Ambasadorët e vendit më 26 Gusht në Tiranë, ku theksoi se marrëdhëniet me Greqinë, Italinë dhe Turqinë janë strategjike, duke nënvizuar nevojën e forcimit të tyre përparësor.
Kjo ka shumë rëndësi sepse bëhet fjalë për dy vende fqinje, anëtare të NATO-s dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, ndërkohë që ne jemi te portat e Brukselit, për të cilat Greqia ka rolin e vet të rëndësishëm. Në këtë konteks, kapërcimi i ngërçit me Athinën është përparësi urgjente, me shumë rëndësi për imazhin tonë, perspektivën e anëtarësimit në BE, për bashkëatdhetarët tanë atje, për bashkëpunimin tonë dy dhe shumëpalësh, etj.
Kapërcimi i këtij ngërçi kërkon që të lihen mënjanë për momentin disa incidente të së kaluarës, natyrisht pa shpërfillur problematikat e njohura, dhe të shohim përpara, si dy vende fqinj, miq, aleate në NATO dhe në BE më vonë.
Po ashtu, lipset që të vihet më shumë dhe më mirë në lëvizje diplomacia jonë në Tiranë dhe në Athinë, si dhe në Bruksel, Strasburg, Vjenë dhe gjetkë. Takimet e Ambasadores sonë në Athinë, të drejtuesve të lartë të MPJ-së, pse jo dhe të një të dërguari të posaçëm, forumet dhe samitet rajonale dhe europiane janë raste të mira për të shkëmbyer mendime, për të matur pulsin dhe pajtimet e rastit nëpërmjet “diplomacisë së butë qetësuese”. Ndërkohë, mund të bëhet dhe një ”inventar” i problematikave dypalëshe që presin zgjidhje.
Rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka Presidenca e Republikës dhe Kuvendi; sidomos ky i fundit nëpërmjet Grupit Parlamentar të Miqësisë me Greqinë, i cili tani ka rastin për të dhënë kontributin e tij, të munguar gjatë gjithë kësaj periudhe.
Po aq e rëndësishme është shoqërimi i këtyre demarsheve diplomatike me veprimtari publike, kulturore, artistike, sportive, çelje ekspozitash, etj të cilat evokojnë traditat tona më të mira dhe na rikujtojnë se jemi dy popuj me kulturë dhe tradita të lashta, të destinuar të bashkëpunojmë në paqe dhe begati.
Dihet se Italia sidomos gjatë dy viteve të fundit me qeverinë e ekstremit të djathtë të Melonit i ka kushtuar theks dhe rëndësi të veçantë intensifikimit të rolit të saj në të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë dialgun Serbi–Kosovë. Ka disa arritje të njohura dhe midis dy vendeve tona, ku spikatin mbështetja për çeljen e negociatave të anëtarësimit, zbatimin e Planit të Rritjes Ekonomike dhe sidomos nënshkrimi i Marrëveshjes së ndërsjellë të pensioneve, nga e cila pritet të përfitojnë mbi gjysëm milionë bashkëatdhetarë në Itali dhe në fusha të tjera.
Gjithsesi, marrëdhëniet tona me Italinë gjatë vitit 2024 janë mbizotëruar në të gjitha nivelet, dhe në atë europian nga përpjekjet dhe hapat për zbatimin e Marrëveshjes dypalëshe të muajit Nëntor 2023 për pritjen dhe trajtimin e refugjatëve të paligjshëm të kapur në brigjet italiane; po ashtu fillimi i funksionimit me vonesa në Tetor të këtij viti të Qendrës së Pritjes së tyre në Shëngjin.
Ndonëse i promovuar me bujë si ’’Masterplani Meloni’’ që ka ngjallur interes si model për t’u ndjekur në shumë vende të Europës, edhe javët e fundit në median e huaj mes ekspertëve përmenden problemet, dyshimet dhe dobësitë e kësaj nisme. Disa organizata jo qeveritare, Amnesty International, e majta ialiane, media dhe vetë brenda radhëve të shumicës italiane shprehen me kritika dhe mosbesim. Prania për një periudhë tre mujore e një ekipi vëzhgues të UNHCR-së është tregues i vëmendjes dhe shqetësimit përkatës ndërkombëtar.
BE-ja e cila është në hall të madh për këtë “nyje gordiane” të politikës së saj të azilit ka ftuar vendet e tjera për të ndjekur shembullin shqiptar; por deri tani asnjë vend tjetër nuk ka dhënë ndonjë sinjal pozitiv, qoftë dhe midis rreshtave. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, fillimisht e entusiazmuar nga kjo alternativë, u dërgoi letër të gjitha vendeve anëtare për ta mbështetur këtë nismë. Gjithsesi, kjo thirje nuk gjeti jehonë as në Samitin e BE-së, të zhvilluar në Budapest më 7 Nëntor. Madje, liderët e vendeve më të mëdha anëtare, Scholz, Macron dhe Sanchez u distancuan nga ky model, sipas tyre jo funksional.
Ndërkohë, Gjykata në Romë anulloi qysh në dy rastet e para zbarkimin në Gjadër dhe urdhëroi kthimin e refugjatëve në Itali, duke e kaluar çështjen në Strasburg. Kjo është shoqëruar me debate të shumta në rrethet politike, mediatike dhe publike në Itali, mes një vale kundërshtimesh në rritje.
Kryesorja, ky variant kritikohet, mbasi më shumë tregon dobësitë dhe dështimin e BE-së se sa krijon një zgjidhje të vërtetë dhe funksionale.
Sa për palën tonë, ajo justifikohet se gjithshka i takon palës italiane. Mirëpo në fakt, nisma të tilla po qe se dështojnë, do të kenë ndikim negativ dhe cënojnë imazhin e vendit tonë. Dashje pa dashje, krijohet perceptimi publik se vendi po kthehet në depo plehrash dhe strehë emigrantësh të paligjshëm.
Për pasojë, mes këtyre paqartësive dhe pasigurive, imazhi dhe jehona e kësaj nisme nuk është ajo që pritej. Këtu ka ndikuar negativisht dhe mënyra se si u bë ajo marrëveshje, mungesa e transparencës publike, mos konsultimi me aktorë dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm politikë, ekonomikë dhe institucionalë deri te opozita dhe shoqëria civile në të dyja vendet tona.
Gjithsesi, ecuria e këtij procesi në drejtim të uljes së ndjeshme të flukseve migratore dhe funksionimi i kësaj qendre do jenë faktorë të rëndësishëm për migrimin dhe suksesin e qeverisjes së Melonit si dhe imazhin e vendit tonë.
Marrëdhëniet me Turqinë kanë vijuar normalisht me shumë veprimtari dhe kontakte të niveleve më të larta në Ankara, në Tiranë dhe në forume dhe formate të tjera shumëpalëshe, të cilat kulmuan me vizitën e Presidenit Erdogan në Tiranë në fillim të muajit Tetor. Si dy popuj dhe vende aleatë dhe anëtarë te NATO-s, me rrënjë dhe tradita të lashta historike, janë të gjitha mundësitë për intensifikimin e tyre të mëtejshëm dhe përpjekjet nga të dyja vendet nuk kanë munguar.
Ashtu siç është nënvizuar nga shumë analistë dhe politologë vendas dhe të huaj, në këtë drejtim do të ndikojnë pozitivisht kapërcimi i disa problematikave të trashëguara dhe të krijuara rrishtazi, sidomos lidhur me qëndrimet e elementëve dhe institucioneve të akuzuar si gylenistë, ndarja e qartë e shtetit nga kultet dhe institucionet fetare dhe mos personalizimi i marrëdhënieve politike. Padyshim që në rrethanat e sotme europiane, miqësia, bashkëpunimi dhe partneriteti strategjik me Turqinë është garanci solide për paqen, sigurinë, begatinë dhe demokracinë.
Shërbimi i jashtëm dhe diplomacia jonë kanë rolin dhe përgjegjësinë e tyre në rritje për të përballuar dhe shmangur pasojat që rrjedhin nga zhvillimet e lartpërmendura dhe të shfrytëzojnë në maksimum përfitimet përkatëse.
Në këtë kuptim, KASH-i ka përshëndetur disa arritje të shënuara gjeopolitike të shërbimit tonë të jashtëm dhe diplomatik, sidomos çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, kryesimin tonë në disa nisma rajonale dhe në aspekte të tjera.
Ndërkohë, KASH-i ka përshëndetur ndryshimin, dhe pse me shumë vonesë të shumicës dërmuese të titullarëve të përfaqësive tona diplomatike, të cilët kishin deri në 10 vjet apo më shumë në të njëjtin post. Megjithatë, ka ende 2–3 ambasadorë që në mënyrë të pajustifikueshme vazhdojnë të qëndrojnë atje, krahas shumë diplomatëve të tjerë që “vegjetojnë” nëpër ambasada, më tepër falë lidhjeve të tyre nepotike se sa aftësive profesionale.
Ashtu si vitin e kaluar, KASH ka kritikuar disa emërime të panevojshme të ambasadorëve politikë nga jashtë sistemit dhe në përgjithësi raportin e padrejtë ndërmjet ambasadorëve të karrierës me shumë përvojë dhe atyre nga jashtë sistemit. Ndërkohë, me dëshirën për të kontribuar në përpilimin dhe miratimin e një ligji sa më të mirë për Shërbimin e Jashtëm, që t’i rezistojë kohës dhe për të patur një trupë diplomatike të karrierës, mbas një konsultimi të gjerë brenda anëtarëve tij, duke iu referuar praktikave më të mira në rajon dhe në vendet e BE-së, dhe duke vlerësuar në parim shqetësimin dhe qëllimin e shprehur për rregullimet dhe përmirësimet e synuara në një Projekt-ligj të ri të shërbimit të jashtëm diplomatik, më 20 Gusht i dërgoi MEPJ dhe Kuvendit një Material të gjatë me shumë ide, mendime, vërejtje dhe sugjerime konkrete, “në frymë dhe në gërmë” për atë Projekt-Ligj. KASH-i ka ngritur shumë shqetësime alarmante mbi dëmet e mëdha dhe të pariparueshme që do t’i shkaktonte shërbimit tonë diplomatik miratimi i këtij Ligji, nëse nuk do të mbahen parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e shumta që janë bërë nga shumë diplomatë dhe ekspertë dhe veçanërisht nga KASH-i dhe anëtarë të tij edhe publikisht. Ky materiali i gjerë dhe i hollësishëm i KASH-it pati jehonë të gjerë publike në gjithë median e shkruar dhe televizive shqiptare, falë dhe intervistave të shumta nga anëtarët e KASH-it.
Siç del dhe nga kjo analizë e përmbledhur, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka ndjekur me shumë vëmendje, interes dhe shqetësim të gjitha ngjarjet dhe aspektet e lartpërmendura; gjithashtu ai ka shprehur qëndrimet e tij publikisht, nëpërmjet Deklaratave me jehonë në median shqiptare, me letra dhe dokumenta zyrtare për institucionet përkatëse sipas problematikave, me takime me ambasadorë dhe diplomatë në Konferenca, evente, pritje dhe dreka pune me titullarë të përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë dhe duke ofruar ndihmën dhe konsulencën e tij në trajtimin e problemeve të ndryshme.
Në këtë drejtim, vlen të nënvizohet se, veç të tjerash, Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë i është besuar së fundmi roli drejtues i një projekti rajonal nga Fondi i Ballkanit Perëndimor.
Në partneritet me Këshillin e Ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut, Këshillin Atlantik të Bosnjës dhe Hercegovinës (ACBiH), Institutin për Zhvillim të Qëndrueshëm Demokratik në Kosovë dhe Horizontin e Ri në Mal të Zi kemi hartuar një agjendë gjithëpërfshirëse për përfaqësuesit e OSHC-ve të të gjitha niveleve.
Në zbatim të projektit, do të organizohen dy ëorkshope, në Shkup, më 22/23 Janar 2025 dhe në Golem, më 6/7 Shkurt 2025.
Programi dy-ditor do të synojë të pajisë përfaqësuesit e shoqërisë civile me aftësitë dhe teknikat e nevojshme për komunikim efektiv diplomatik, duke u mundësuar atyre të angazhohen në mënyrë produktive me zyrtarët, organizatat ndërkombëtare dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një kontekst kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në takimet tona në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Malin e Zi jemi dakordësuar që të vazhdojmë bashkëpunimin edhe në të ardhmen, mbi parimet e respektit dhe besimit reciprok dhe të zgjerojmë partneritetet në aktivitetet tona, duke përfshirë edhe organizata të tjera të vendeve tona fqinje dhe më gjerë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të përfitojë nga ky rast të falenderojë Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian për mundësinë për të kontribuar me përvojën tonë të gjerë në forcimin e dialogut me shoqërinë civile për rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit në rajonin tonë.
Ndërkohë, KASH është bërë partner me Shoqatën Ekonomike Shqipëri–Gjermani. Drejtori Ekzekutiv i KASH, zoti Genci Muçaj në muajin Nëntor mori pjesë me ftesë të tyre në një veprimtari të rëndësishme të saj.
KASH ka vijuar bashkëpunimin e tij aktiv me homologët amerikanë, italianë, të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës; ai ka shkëmbyer njoftime dhe analiza të dobishme politike mbi ngjarjet në botë me ta dhe subjekte të tjera të interesuara.
Po ashtu, një numër i madh i anëtarëve tanë janë treguar shumë aktivë me shkrime të shpeshta në shtypin e përditshëm, intervista televizive dhe botimin e librave përkatës, duke ndikuar pozitivisht në zgjerimin e imazhit të Këshillit tonë.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors