Tiranë 18 Janar 2022
Viti 2022 ishte shumë më i ngarkuar se vitet e tjera me ngjarje madhore në të gjitha fushat dhe në të gjithë globin, duke prekur Europën dhe gjithë rajonin tonë. Padyshim që mbizotëron agresioni Rus ndaj Ukrainës, i shoqëruar nga akte, veprime, forume dhe vendime të shumëllojshme nga qendrat më të mëdha të politikës dhe diplomacisë botërore, europiane dhe rajonale.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i ka ndjekur vazhdimisht me vëmendje dhe interesim të veçantë këto ngjarje. Ai ka lëshuar deklarata për çdo zhvillim, ka organizuar dhe ka marrë pjesë në shumë veprimtari dhe evente të ndryshme, ka kryer vizita pune në SHBA, Prishtinë, Shkup dhe gjetkë, ka bërë takime në formate të ndryshme me shumicën dërmuese të Ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ka nënshkruar memorandum Bashkëpunimi me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, Italianë, të Maqedonisë së Veriut dhe me organizata të tjera që veprojnë në lëmet e diplomacisë e sigurisë nga Sllovenia, Kosova, Bosnje Hercegovina, si dhe vazhdon demarshet për shtrirjen e këtij bashkëpunimi dhe me homologët e tij në vende të tjera.
Mbi këtë bazë, më poshtë po ndalemi shkurt në momentet dhe eventet më kryesore që kanë ndodhur në botë, bashkë me një analizë “flash” të pasojave dhe rrjedhojave të tyre, e me theks rajonin dhe sidomos vendin tonë. Nisur nga numri i tyre i madh, për lehtësi praktike dhe për të shmangur përsëritjen tematike, me përjashtim të vendit tonë, ku do të ndalemi posaçërisht dhe në fund të këtij materiali, këto ngjarje kryesore nuk po i paraqesim një e nga një, por së bashku, në lidhjen dhe vartësinë e tyre të natyrshme.
Më 24 shkurt 2022, Rusia filloi agresionin ushtarak në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, fqinjit të saj në jugperëndim, duke vazhduar me një përshkallëzim shumë më të gjerë frontal sulmin dhe aneksimin e Krimesë dhe pjesës lindore në vitin 2014. Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi traktate që i tërheqin rajonet e pushtuara të Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia në Federatën Ruse.
Agresioni rus, me objektiv pushtimin e Ukrainës, si konflikti më i madh i armatosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka shkaktuar dëme dhe pasoja të pallogaritshme njerëzore, materiale dhe financiare; veç mijra viktimave ushtarake e civile, janë zhvendosur 15.7 milionë ukrainas (8 milionë persona të zhvendosur brenda vendit dhe 7.7 milionë refugjatë). Sipas të dhënave paraprake, dëmet materiale dhe në infrastrukturën ukrainase llogariten në 300 miliardë Euro, ndonëse ato pritet të jenë shumë më të larta. Gjithashtu, GDP-ja ka rënë në masën 45 për qind. Po ashtu, ai ka çuar në ndëshkime&sanksione ndërkombëtare dhe kërcënime bërthamore, tërheqjen e qindra kompanive investitore nga Rusia dhe përjashtimin e kësaj të fundit nga forumet dhe ngjarjet e mëdha politike, sportive e kulturore.
Ka një konsensus mbizotërues ndërkombëtar, duke përfshirë dhe aleatë të saj, se Rusia kreu një agresion dhe një luftë të padrejtë, të pajustifikuar dhe të paprovokuar ndaj një vendi fqinj, i cili aspiron integrimin Euro – Atlantik; kjo e fundit është vendim sovran i Ukrainës dhe organizatave përkatëse. Sa për gjoja kërcënimin nga NATO, dihet se ajo është aleancë politiko-ushtarake me karakter mbrojtës dhe asnjëherë në historinë e saj 73 vjeçare nuk ka kërcënuar, aluduar apo sulmuar kërkënd. Madje, NATO dhe Rusia kanë patur bashkëpunim ushtarak dhe një Komitet të Përbashkët, për trajtimin dhe zgjidhjen paqësore të problemeve dhe mosmarrëveshjeve që lindin. Pranohet gjithashtu gjerësisht se duke sulmuar dhe goditur edhe ushtarakisht Ukrainën, Rusia synonte t’i jepte mësime dhe mesazhe kërcënuese Aleancës politike, ushtarake dhe ekonomike perendimore si dhe përçarjen e saj.
Agresioni rus ndaj Ukrainës shkaktoi një cunam të vërtetë, duke tronditur nga themelet rendin botëror, të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare planetare. Veç cënimit brutal të armatosur të sovranitetit dhe integritetit territorial të një vendi të pavarur, antar i OKB-së, OSBE-së, KiE-së, etj., Rusia ka vënë në rrezik paqen, rendin, sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë Europën dhe më gjerë. Sepse agresori është një vend i madh, me potencial të konsiderueshëm ushtarak dhe ekonomik, antar i Këshillit të Përhershëm të Sigurimit të OKB-së, prodhues dhe eksportues nga më të mëdhenjtë në botë të naftës, gazit, drithrave, etj.
Ky agresion rrezikon seriozisht kthimin prapa në periudhën famëkeqe të Luftës së Ftohtë. Për fat të keq, liderët rusë injoruan të gjitha thirjet dhe demarshet e liderëve perendimorë; në vend të kanaleve diplomatike, foli dhe veproi me gjuhën e forcës, të tankeve, raketave dhe kërcënimit bërthamor.
Gjithsesi, Rusia dështoi në synimin e saj për një fitore të shpejtë; në fakt ajo ka dështuar në të gjitha planet, politike, ekonomike, dhe të sigurisë. Populli, ushtria dhe lidershipi politik ukrainas, me qëndresën e tyre heroike dhe mbështetjen e fuqishme të Perëndimit po triumfon dhe në planin ushtarak.Rusia ka dështuar rëndë dhe në planin diplomatik dhe të imazhit ndërkombëtar.
OKB ka dënuar me disa rezoluta këtë agresion, madje duke kërkuar dhe hetimin e saj për genocid dhe krime lufte; shumica dërmuese e vendeve antare kanë vendosur sanksione të rënda ekonomike; edhe Kina, ndonëse aleate e saj, i ka kundërshtuar kërcënimet ruse për luftë bërthamore dhe është shprehur kundër aneksimit të Ukrainës.
Rusia dhe Putini dëshmuan se i kishin bërë gabim llogaritë politike dhe ushtarake; ndryshe nga sa shpresonte, Perëndimi, BE dhe NATO, SHBA-të dhe Europa, Japonia, Korea e Jugut, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re, pavarësisht nga mosmarrëveshjet e mëparshme, u bashkuan në një kohezion të paparë politik dhe ushtarak të ngjashëm me atë të Luftës së II Botërore.
Vështirë të ketë forum dhe organizatë ndërkombëtare që nuk e ka dënuar këtë agresion dhe nuk ka shprehur solidaritetin me Ukrainën. G – 7, G-20, FMN dhe Banka Botërore në Samitet e tyre gjatë këtij viti kanë ndërmarrë masa të ashpra ekonomike dhe tregtare ndaj Rusisë; ndërkohë, ato kanë premtuar dhjetra miliarda Euro ndihma të gjithanshme për Ukrainën dhe në përgjithësi shmangien e efekteve negative të krizës energjitike dhe ushqimore.
Shquhet në këtë fushë padyshim SHBA-të, të cilat kanë premtuar një shumë prej 52 Miliard Euro ndihma financiare, veç ndihmave të tjera të shumta ushqimore, ushtarake, teknike, etj. Po ashtu, veç ndihmave dypalëshe, BE-ja, ka premtuar 38 Miliard Euro ndihma financiare dhe ka miratuar 9 paketa me sanksione nga më të ashprat ndaj Rusisë, ose një paketë në muaj!
Agresioni Rus ndryshoi gjithë rrjedhën dhe axhendën gjeopolitike planetare, programet, strategjitë dhe forumet e çdo shteti dhe të organizatave ndërkombëtare; axhendat e tyre janë rishikuar dhe po u përshtaten dinamikave të luftës në Ukrainë dhe tematikave të nxehta që diktoi agresioni Rus. Gjithçka, veprimtaritë politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake, të sigurisë, etj., kanë ndryshuar katërcipërisht.
Në këtë kuadër, Perëndimi po i bën një analizë tërësore doktrinave, shkollave të mendimit dhe veprimit ideologjik, politik, ekonomik dhe tregtar. Lufta në Ukrainë u dha fund spekulimeve mbi globalizmin naiv, sipas të cilit problemet dhe konfliktet sado të dhunshme mund të lehtësohen dhe vihen në rrugën e zgjidhjes nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, ose “change through trade” (ndryshim nëpërmjet tregtisë) duke përfituar nga tarifat e lira Ruse, Kineze, etj., sidomos në rastin e gazit, naftës dhe energjisë. Tashmë, në krye të përparësive dhe në fushën ekonomike/tregtare ka dalë aspekti politik, besueshmëria dhe garancitë politike, duke reduktuar ndjeshëm bashkëpunimin ekonomik me vendet autoritariste.
Gjithsesi, dhe për disa vite, vendet e BE-së, sidomos Gjermania, Italia, Austria, Hungaria, etj., pavarësisht nga masat e menjëhershme në këto fusha, do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e politikave të tyre të gabuara të vartësisë ndaj gazit dhe energjisë ruse e kineze. Kështu, BE-ja deri tani siguronte 40% të nevojave të saj të gazit nga Rusia, ndërsa Gjermania dhe vende të tjera dhe më shumë.
Natyrisht që NATO ka qenë dhe mbetet në krye të punës, masave e përpjekjeve për t’iu kundërvënë me sukses në të gjitha planet agresionit të egër Rus. Spikat Samiti i saj në Madrid më 30 Qershor, i cili përcaktoi strategjinë e re të sigurisë së NATO-s 2030, me theks të veçantë në qëndrimin ndaj Rusisë dhe Kinës si rivale kërcënuese. Ajo pasqyron ndryshimet epokale në vendet antare në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në këtë drejtim u shqua Gjermania, e cila më 27 Shkurt shpalli “Zeitëende”, dmth ndryshimin historik në strategjinë e saj të mbrojtjes dhe të sigurisë; këtu përfshihet fondi special i garancisë së mbrojtjes prej 100 miliardë Euro, ose dyfishi i atij ekzistues, realizimi i kuotës mbi 2% të GDP-së për NATO-n, levrimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake për Ukrainën, çka më parë ishte ndaluar për shkak të pacifizmit tradicional gjerman, etj.
Ndërkohë, NATO po merr masa për shtimin dhe modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse luftarake në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, krijimin dhe dislokimin e komandave dhe njësitë të gatishmërisë së lartë në kufijtë me Rusinë, sofistikimin kibernetik, etj. Ajo do të shtojë numrin dhe praninë në stërvitjet e ndryshme ushtarake në vendet e Europës lindore, ku përfshihet dhe vendi ynë. Highlight tjetër ishte konsensusi jo i lehtë për shkak të kundërshtimit turk për antarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Krahas dhe bashkë me NATO-n, është angazhuar fort BE-ja, e cila vendosi më 17 Qershor që tí japë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë në një kundërpërgjigje gjeopolitike dhe mbështetjeje politike dhe morale ndaj Ukrainës dhe vendeve të tjera që ndihen të kërcënuara prej Rusisë:
Bashkimi Europian bëri një rishikim tërësor të politikës së jashtme dhe sigurisë, duke synuar vendosjen e një pakete sanksionesh ndaj Rusisë të cilat shenjestrojnë shtyllat politike dhe ekonomike ruse që furnizojnë makinerinë e saj të luftës dhe mbajnë gjallë propagandën anti-europiane dhe anti-perëndimore.
Bashkimi Europian ra gjithashtu dakord për disa paketa mbështetjeje për Ukrainën, pa lënë mënjanë përpjekjet për të krijuar konsensusin e nevojshëm së brendshmi, për një front të përbashkët të pathyeshëm përballë agresionit Rus.
Presidenti francez propozoi krijimin e një Komunitetit Politik Europian që synonte zgjerimin e formatit të dialogut me vendet që përfshihen në programin e saj të fqinjësisë dhe vendet e paketës së zgjerimit, si një hapësirë politike që ndan qëllime të përbashkëta për paqe, stabilitet dhe promovimin e demokracisë liberale.
Dyshimeve të arsyeshme se ky komunitet do të tjetërsonte agjendën e zgjerimit të Bashkimit Europian, si Presidenti Makron ashtu edhe Këshilli Europian i dhanë përgjigje të drejtpërdrejtë përmes vendimit të Këshillit se procesi i zgjerimit nuk do të pësonte asnjë ndryshim dhe se negociatat e anëtarësimit do të vijonin sipas rezultateve të zbatimit të reformave.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përparojnë me celjen e procesit të negociatave të anëtarësimit.
Në korrik të këtij vitit Bashkimi Europian vendosi për celjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas miratimit të dy Kornizave Negociatore për secilin vend. Ky vendim i tejshtyrë në kohë, u arrit pas negociatave të vështira mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, pas disa mosmarrëveshjeve lidhur me pretendimet bullgare për disa elemente identitare të gjuhën dhe historisë së kësaj të fundit.
Që nga korriku 2022 ka hyrë në fuqi Kuadri Negociator që hartëzon rrugën e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, ku përfshihen parimet kryesore udhëheqëse, procedurat dhe kushtëzimet të cilave do tu nënshtrohet ky proces. Që nga shtatori, Shqipëria po i nënshtrohet procesit të skanimit, në përfundim të të cilit do të ketë një bilanc të plotë e të hollësishëm për numrin e ligjeve të transpozuara plotësisht, pjesërisht dhe ato që nevojiten të transpozohen në përputhje me acquis, deri në momentin e anëtarësimit.
Sikundër parashikohet në Kuadrin Negociator, nisja e negociatave të shportës (cluster) së parë të grup-kapitujve, nga gjashtë shporta gjithsej, do të varet nga përmbushja e kushtëzimeve hyrëse (opening benchmarks). Gjithashtu, shporta e grupkapitujve të parë do të jetë e para që do të hapet dhe e fundit që do të mbyllet. Kjo do të thotë që Shqipëria do të duhet t’i japë përparësi absolute kësaj shporte kapitujsh dhe të sigurojë përparim të pandërprerë për sa kohë dëshiron që procesi i anëtarësimit të ecë me shpejtësi.
Nisja e negociatave është një mundësi historike për Shqipërinë të rifitojë kohën e humbur, tashmë që përparimi i negociatave nuk do të jetë i lidhur me asnje vend tjetër të rajonit, por ekskluzivisht me zbatimin e detyrimeve dhe reformave në vend.
Një tjetër moment i rëndësishëm në marrëdhëniet me BE është paralajmërimi i rrezikshëm i Komisionit Europian për rivendosjen e vizave me Shqipërinë, të reflektuar në raportin e Mekanizmit të Pezullimit të Vizave të datës 6 dhjetor. Shqipëria do të duhet të frenohet nga miratimi i skemës shtetësi-për-investime, të linjëzojë politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Europian si dhe të marrë masa për frenimin e migracionit të paligjshëm dhe azilkërkuesve shqiptarë drejt BE sa më shpejt të jetë e mundur. Paralajmërimi i Komisionit për penalizimin e Shqipërisë në rast mosprapësimi është veçanërisht shqetësues, pas kërkesës së mëparshme për pezullim të depozituar nga Holanda.
Dialogu politik ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian ka njohur zhvillime intensive gjatë këtij viti, me dy Samite të posaçme BE-Ballkani Perëndimor në qershor dhe dhjetor 2022. Për herë të parë, Tirana u bë vendi pritës i një Samiti të përbashkët më 6 dhjetor, i pari që zhvillohet jashtë vendeve anëtare të BE.
Ky Samit dha një mesazh të qartë me përzgjedhjen e Shqipërisë, si vendi që njohu përparim me çeljen e negociatave, si vendi me mbështetjen më të madhe pro-europiane, dhe si vendi që zbaton plotësisht politikën e sanksioneve kundër Rusisë, në kontekstin e vazhdimin të luftës në Ukrainë.
Në fund të këtij Samiti u morën një numër i madh angazhimesh të përbashkëta ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian, ndërsa deklarata e përbashkët nuk mori miratimin e Serbisë.
Gjatë këtij viti Tiranën e kanë vizituar gjithashtu një numër i madh udhëheqësish europianë, përfshirë Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Presidenti dhe Kancelari gjerman, Presidenti Italian, Kryeministrat e Finlandës, Luksemburgut, Holandës, Spanjës, etj.
Përmes këtyre takimeve u dhanë mesazhe të qarta dhe të drejtpërdrejta mbështetjeje për Shqipërinë dhe perspektivën e saj europiane, përfshirë vlerësimin për linjëzimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, këto samite dhe ture janë shoqëruar me procese të rëndësishme politike, të cilat kanë në qendër të vëmendjes Rajonin tonë.
Më 3 Nëntor në Berlin u zhvillua takimi i rradhës i Procesit të Berlinit, me praninë e 6 liderëve të rajonit, të 10 vendeve antare të BE-së, Znj. Von der Leyen dhe Charles Michel. Në kuadër të këtij Procesi u arritën 3 marrëveshje të rëndësishme që lidhen Tregun e Përbashkët Rajonal, njohjen e diplomave dhe kualifikimeve profesionale dhe tarifave roaming.
Në nëntor Parlamenti Europian miratoi një rezolutë në kuadër të paketës së zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur perspektivën europiane të të 6 vendeve. Elementë të vecantë në këtë rezolutë ishin kërkesa e fortë ndaj Serbisë për zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ndarjen e saj të qartë nga politikat e dyfishta, si dhe hedhja poshtë e nismës Ballkani i Hapur, si një nismë që nuk i shërben qasjes gjithëpërfshirëse rajonale për sa kohë në të nuk marrin pjesë të 6 vendet e rajonit me status të barabartë.
Nisma e Balkanit të Hapur vijoi të jetë cështje mosmarrëveshjeje në rajon, ku qëndrimeve mospajtuese të Kosovës iu shtuan edhe qëndrimet refuzuese të Presidentit malazez, Presidentit maqedon, dhe disa udhëheqësve nga Bosnje Hercegovina, duke krijuar asimetri qëndrimesh jo vetëm ndërmjet 6 vendeve por edhe brenda secilit vend.
BE-ja, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të po intensifikon përpjekjet e saj për stabilitet në Bosnje–Herzegovinë, kundër tentativave përçarëse të nacionalistëve pro serbe të Dodik, dhe për ta afruar atë drejt BE-së. Ditët e fundit, Këshilli Europian vendosi t’i japë dhe statusin kandidat në BE. Më tej, më 14 Dhjetor Këshilli i BE-së vendosi më në fund liberalizimin e vizave me Kosovën, jo më vonë se 1 janar 2024, ndërsa kjo e fundit më 15 Dhjetor dorëzoi në Presidencën çeke në Pragë kërkesën zyrtare për antarësimin në BE, si mesazh i qartë i kursit të saj Euro – Atlantik.
Në Podgoricë, qeveria e koalicionit të Kryeministrit malazez Dritan Abazoviç ra pasi Parlamenti i Malit të Zi miratoi një mocion mosbesimi, pas grindjeve brenda koalicionit mbi një marrëveshje që qeveria nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe. Disa javë më parë Parlamenti votoi pro ligjit që pakëson kompetencat e Presidentit të Republikës, çka ka nxitur dhe shtuar tensionet dhe manifestimet e protestës në vend. Kësisoj, është krijuar një krizë politike dhe institucionale, me pasoja të rënda për sigurinë dhe stabilitetin e vendit dhe perspektivën e tij europiane.
Në fakt, aty ka përplasje të shumta midis forcave pro europiano-atlantike dhe atyre pro serbe. Rruga e vetme është ajo e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por që po kundërshohet nga forcat pro-serbe, në favor të krijimit të një koalicioni të ri qeveritar pa mbështetjen e Partisë së Presidentit Gjukanovic dhe shtyrjes së zgjedhjeve për në vitin 2024.
Dialogu Prishtinë – Beograd mbetet padyshim procesi më delikat, më i vonuar dhe më i vështirë për paqen dhe sigurinë rajonale e më gjerë. Për fat të keq, ky është tashmë realiteti i hidhur i dialogut Prishtinë – Beograd, plot 11 vjet pas lançimit të tij. Bujë, zhurmë, pohime, premtime, përbetime, por produkti politik pothuajse asgjë! Me ritëm të ngadaltë, i shoqëruar me provokime serbe e probleme dhe pastaj tratativa për zgjidhjen e tyre! Për pasojë, vijojnë dyshimet, skepticizmi dhe pesimizmi i rastit. As modeli franko-gjerman apo europian nuk e ka shtuar optimizmin dhe shanset për sukses, kryesisht për faj të politikës refraktare serbe.
Kjo e fundit, pas “periudhës së gjatë të mjaltit” me BE-në dhe me SHBA-të po ballafaqohet me kërkesat për t’u impenjuar seriozisht në dialogun me Kosovën; jo më me deklarime dhe pohime kundrathënëse, por me angazhimin konkret për njohjen pa vonesë të Kosovës, heqjen dorë nga fushata e çnjohjeve dhe pengesave të antarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, me qëndrime të prera dhe të qarta kundra Rusisë, linjëzimin me politikën e jashtme të BE-së në sanksionet e saj dhe së fundi si nxitëse e azilit të paligjshëm nëpërmjet “Rrugës Ballkanike”.
Kambanat Euro-Atlantike po ushtojnë fort për Beogradin, që të përcaktojë drejtimin e vet strategjik, me Lindjen apo Perëndimin, me BE-në dhe SHBA-të apo me Rusinë dhe Kinën.
Megjithë vlerësimin maksimal për demarshet e SHBA-ve dhe të BE-së, ka një mendim të përhapur se është naivitet politik të besosh në suksesin e këtij dialogu, kur ai zhvillohet në një klimë, mjedis dhe atmosferë të helmuar dhe terren të minuar. Për pasojë, dhe ndonjë fjalë të mirë e premtim e ”merr shumë shpejt era” duke ia lenë vendin dhunës, tensionimit dhe kërcënimeve për konflikte të armatosura siç po ndodh dhe tani së fundi në veri të Kosovës.
Mirëpo, ”disinfektimi dhe çminimi” i këtij mjedisi, klime dhe terreni, ku të paktën të ketë mirëkuptim minimal kërkon vullnet politik, energji dhe demarshe të shumta, të cilat duan kohë dhe durim, që duket se kanë shteruar. Për fat të keq, edhe antarësimi në BE dhe NATO që deri vonë shihej si çelësi magjik i progresit, pajtimit dhe bashkëpunimit në Ballkan ka humbur shumë besimin, forcën joshëse dhe frymëzimin për shkak të vonesave “historike”. Natyrisht këtu ka pjesën e vet të fajit BE-ja, e cila ka ndjekur strategji veprimi më shumë në favor të stabilitetit, në dëm të demokracisë, duke e mbajtur “me hatër” Serbinë.
Samiti BE – Ballkani Perëndimor në Tiranë më 6 Dhjetor, i pari në Rajon dhe në Tiranë ishte ngjarje shumë e rëndësishme dhe simbolike për Rajonin dhe veçanërisht vendin tonë; në Tiranë “zbarkuan” 26 Presidentë dhe Kryeministra të BE-së, Presidentët e Komisionit dhe Këshillit Europian dhe të 6 liderët e rajonit tonë.
Siç nënvizohet dhe në Deklaratën e Këshillit Ambasadorëve Shqiptarë, ky Samit shënoi hapin e parë serioz të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në tryeza të rëndësishme vendimarrëse europiane, ku diskutimi shkon përtej politikës tonë të brendshme. Ai riktheu dhe një herë rëndësinë e posaçme që ka mbajtja hapur e dyerve të perspektivës europiane dhe përshpejtimi i procesit të zgjerimit me vendet e rajonit në axhendën e institucioneve më të larta të BE-së dhe Shteteve të saj Antare.
Liderët e BE-së dhanë disa mesazhe të fuqishme në këtë Samit, ku spikati mbështetja pa rezerva për popullin e Ukrainës dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë; po ashtu, shtimi i kujdesit dhe vëmendjes për vendet me demokraci të brishtë në Ballkanin Perendimor, për të shmangur çdo rrezik dhe kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonal dhe më gjerë.
Gjithashtu, vendimet e Samitit të Tiranës rikthyen vëmendjen te përshkallëzimi i krizës ekonomike dhe energjitike, si pasojë e agresionit Rus ndaj Ukrainës dhe mbështetja për këta sektorë jetikë.
Vazhdimësia e zbatimit të projekteve të përbashkëta në kuadrin e Procesit të Berlinit, duke u dhënë mundësi të rinjve në Ballkanin Perëndimor për të studiuar në Universitetet Europiane me tarifa më të ulëta ishte një lajm tjetër premtues për integrimin e tyre në vlerat dhe arsimin europian.
Emigracioni dhe lufta kundër azilit të paligjshëm që po çojnë në shpopullimin e vendit është një tjetër çështje me rëndësi të madhe, veçanërisht për vende si Shqipëria; ndaj, bashkëpunimi me BE-në për të përshtatur legjislacionin tonë me korpusin e saj legjislativ “Aquis Communitaire” dhe për të përftuar nga ekspertizat më të mira europiane është bërë më emergjente se asnjëherë tjetër.
Po ashtu, linjëzimi i politikës së vizave me atë të BE-së dhe veçanërisht menaxhimi i migracionit janë domosdoshmëri parësore, të cilat kërkojnë plane veprimi të shpejta dhe reforma tërësore nga qeveria dhe autoritetet përkatëse.
Samiti rikonfirmoi mbështetjen për përpjekjet diplomatike të BE-së dhe SHBA-ve për arritjen e Marrëveshjes Përfundimtare mbi normalizimin e marrëdhënieve Serbi – Kosovë dhe liberalizimit të vizave me Republikën e Kosovës.
Më tej, ky Samit rikonfirmoi Procesin gjithëpërfshirës të Berlinit, si një proces tërësisht i mbështetur nga BE, i cili nuk mund të zëvendësohet dhe kompensohet me asnjë nismë tjetër.
Gjatë vitit u zhvilluan zgjedhjet e reja parlamentare në Francë, Suedi, Danimarkë, Itali, Brazil, Izrael dhe Bullgari, dhe ato të mesmandatit në SHBA, me rezultate dhe të papritura të mëdha.
Në zgjedhjet e mesmandatit më 8 Nëntor në SHBA, Republikanët rimorën me diferencë të vogël Kongresin, ndërsa demokratët siguruan me një vote diferencë Senatin. Ish Presidenti Trump dhe Republikanët dështuan të realizonin fitoren e bujshme ose «valën blu». Gjithsesi, për demokratët dhe Presidentin Biden puna vështirësohet jo pak për zbatimin e reformave madhore, të cilat kërkojnë shumicën e votave në Kongres.
Në Francë rifitoi mandatin e dytë Presidenti Macron, por duke humbur shumicën absolute në Parlament, çka e dobëson pushtetin dhe aftësinë për zbatimin e reformave të rëndësishme brenda, por veçanërisht jashtë vendit, sidomos në fushën e reformave të BE-së, NATO-s, etj. Suksesi i tij do të jetë vendimtar për të shmangur fuqizimin e ekstremit të djathtë të Lë Pen.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 Shtatorit në Itali, Giorgia MELONI, liderja karizmatike 45 vjeçare e ”Fratelli d’Italia” (Vëllezërit e Italisë) fitoi bindshëm. Fitorja e Melonit shënoi një kthesë të madhe historike në peisazhin politik italian dhe europian. Për herë të parë pas vitit 1945, fitoi bujshëm një koalicion i të djathtës i kryesuar nga partia post-fashiste “Vëllezërit e Italisë“, me pjesëmarrjen e ”Lega“ të Matteo Salvinit dhe ”Forza Italia” të Silvio Berlusconit. ”Vëllezërit e Italisë” siguroi 25,5 për qind të votave, nga vetëm 4 për qind më 2018, duke fituar shumicën absolute në të dy dhomat; Meloni do të jetë e para grua kryeministre e Italisë. Gjithsesi, ndryshe nga retorikat paragjykuese, deri tani Meloni ka treguar afërsi dhe pajtim me BE-në dhe NATO-në, çka e tregoi dhe në vizitën saj të parë në Bruksel, fill pas fitores së bujshme.
Në Danimarkë, rifitoi socialistja Frederisken e cila krijoi një qeveri koalicioni me dy parti liberale.
Surpriza më e madhe ndodhi në Suedi. Për herë të parë fitoi një parti e ekstremit të djathtë, por që po vuan për krijimin e një koalicioni.
Në Bullgari, sërish asnjë parti nuk po krijon dot koalicion, çka rrezikon që vendi të shkojë në zgjedhjet e pesta parlamentare brenda 2 vitesh; rekord me vehte!
Skandali i korrupsionit, pastrimit të parave dhe veprimtarisë kriminale në zemër të Brukselit, në Parlamentin Europian, me protagoniste ish zv.Presidenten e tij Eva Kaili dhe bashkëpuntorë të tjerë të lartë tronditi të gjitha institucionet dhe besueshmërinë e BE-së. Hetimet vijojnë dhe mendohet se kjo është vetëm maja e ajsbergut.
Ky skandal nxorri në pah shumë të meta dhe mangësi në Parlamentin Europian, lidhur me mungesën e kontrollit dhe zbatimit të rregullave për shmangien e korrupsionit dhe veprimtarisë kriminale në drejtim të lobimit në gjirin e eurodeputetëve. Tanimë kërkohet dhe po fillon një reformë e thellë në të gjitha drejtimet, e sidomos në atë të organizimit dhe administrimit të lobimit në BE.
Në fushën e klimës, mbrojtjes së mjedisit dhe luftës ndaj ngrohjes globale, veprimtaria më e rëndësishme e vitit ishte Samiti i COP 27 për Klimën në Sharm El Sheik në Egjipt me 17 – 28 Nëntor, me praninë e 30.000 ekspertëve, zyrtarëve, ministrave, Kryetarëve të Shtetit/qeverive nga 140 vende të botës. Vendimi më i rëndësishëm që u muar me konsensus, ndonëse pa përcaktuar hollësitë e nevojshme teknike, ishte krijimi i një fondi të madh për mbulimin e «costs&damages» (kostove dhe dëmeve) të shkaktuara nga ngrohja globale.
Megjithatë, pati shumë zhgënjime prej COP 27, mbasi nuk u bë pothuajse asgjë për çështjet e tjera të rëndësishme, sidomos energjitë alternative, pritshmëritë e shumta për shmangien e ngrohjes globale me 1,5 grade celcius dhe reduktimin e gazrave karbonike.
Në Shqipëri, veç sa u përmend më lart, spikati zgjedhja për herë të parë si Antar Jo i Përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së ( 2022 – 2023) si arritje e shënuar diplomatike për vendin tonë. Ajo është rezultante e përpjekjeve dhe demarsheve të shumta diplomatike në planin dy dhe shumëpalësh gjatë 2 dekadave të fundit. Padyshim është një arritje me ndikim të rëndësishëm gjeopolitik, duke e bërë më të njohur vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Ky antarësim, kryesimi i KS të OKB-së gjatë muajit Qershor dhe Tetorin e ardhshëm janë dëshmi të kapaciteteve diplomatike që ne kemi krijuar në këto 30 vitet e fundit.
Rëndësia e këtij antarësimi u shtua më shumë pas agresionit rus në Ukrainë, për shkak të gjithë atyre akteve, fakteve, dhe veprimeve politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike që janë ndërmarrë në plan global, europian dhe rajonal, përfshirë rezolutat e rëndësishme që dënojnë agresionin rus, si shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare.
Kjo përgjegjësi në fushën marrëdhënieve ndërkombëtare dhe partneriteti me SHBA-të u konfirmua dhe forcua më tepër me shpalljen e vendit tonë nga SHBA-të si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
2022 ishte 100 Vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe. Ky jubile u përkujtua dhe festua me shumë veprimtari politike, ekonomike, ushtarake, diplomatike, kulturore, etj në të dyja vendet tona. Në muajin Nëntor, me SHBA-të u zhvillua në Ëashington dhe Dialogu mbi Bashkëpunimin Strategjik.
Në këtë kuadër, veç shkrimeve dhe kujtimeve nga antarë të tij, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë organizoi një Konferencë “Vizita e parë e një Presidenti Amerikan në detyrë, George W. Bush me praninë e shumë personaliteteve të larta të vendit dhë të huaj.
Gjithsesi, pavarësisht nga sukseset dhe arritjet e lartpërmendura, politika jonë e jashtme nuk është pa probleme. Dosja e Detit Jon rrezikon të marrë një zgjidhje të disfavorshme për palën tonë. Vështirësia bëhet më e madhe sepse kjo dosje është përfshirë në Kornizën e Negociatave me BE-në si një detyrim me pasoja për ne. Shënojmë se mungesa e transparencës në trajtimin e kësaj çështjeje me rëndësi kombëtare është gjithashtu problematike.
Nisma “Ballkan i Hapur”, në fakt ishte mbivendosje dhe zëvendësim i Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal të BE-së; Problematike paraqitet zhvendosja e theksit politik dhe diplomatik të Tiranës zyrtare te Beogradi e perceptuar nga opinioni publik në dëm të Prishtinës.
Nga ana tjetër, qeveria ka krijuar një impas të madh lidhur me freskimin dhe qarkullimin e ambasadorëve tanë jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e diplomacisë sonë ndodh që mbi 70 për qind e Ambasadorëve dhe Konsujve tanë të Përgjithshëm kanë tejkaluar mandatin kohor ligjor, duke qëndruar në të njëjtin post mbi 2 herë më gjatë, veç shumë të tjerëve që kanë mbushur me kohë dhe moshën e pensionit. Në Deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve të muajit nëntor jemi shprehur qartë për këtë anomali diplomatike, duke kërkuar ndryshimin e menjëhershëm të gjendjes.
Veç sa sipër, difekti dhe shqetësimi tjetër serioz është asimetria dhe kontrasti i thellë midis politikës sonë të jashtme, përgjithësisht e suksesshme, me performancën tonë të brendshme plot probleme dhe pengesa.
Renditemi të parët për çmimet dhe kostot e larta, sidomos për korrupsionin, ku këtë vit zbritëm 27 vende më poshtë dhe të fundit për të ardhurat, nivelin e pagave, shpenzimet për arsimin, shëndetësinë, kulturën, rininë, etj. Një studim i muajit Dhjetor nga Komisioni Europian na rendit të fundit në Europë mbasi 69 për qind e banorëve nuk plotësojnë dot as nevojat më minimale të jetesësë! Perspektiva duket e zymtë, kur sheh se të rinjtë deri në moshën 30 vjeç i kanë shanset e trajnimit dhe punësimit tri herë më të vogla se në vendet e BE-së.
Ky katalog vijon me azilin e paligjshëm, që për nga përmasat e medha tashmë është kthyer në shpopullim, me një rritje prej 160 për qind kundrejt vitit të kaluar. BE-ja dhe sidomos Britania e Madhe janë alarmuar, sepse javët e fundit atje janë futur mbi 2 për qind e popullsisë sonë dhe dyndjet në ”La Mansh” vazhdojnë. Sipas Eurostatit, zemë vendin e parë në Europë për kërkesat për azil për frymë me koeficient 5/1000 banorë, në një kohë kur 57 për qind e popullsisë sonë jeton jashtë vendit.
Sofistikimi dixhital dhe kibernetik i pasigurtë, ndonëse janë shpenzuar me miliona Euro për atë sistem. Sulmet e hakerave iranianë e shembën gjithë ngrehinën qeveritare, sepse nuk ka mbetur gjë pa dalë në shesh!
Veç të tjerash, këto dukuri, ndikojnë në ritmet e procesit të antarësimit tonë në BE. Ndonëse po këmbëngulet fort që ai të realizohet me sforco nga BE-ja në rrafshin gjeopolitik, me sa duket po harrohet se sado të bëjë e të na ndihmojë Brukseli, Parisi, Berlini dhe të tjerë, faktori vendimtar jemi NE, jo me fjalë dhe përbetime, por me reforma në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së.
Bashkë me shqetësimet e tjera të shprehura në Progres Raportin e Komisionit Europian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, përfshirë sulmet ndaj medias kritike, këto rrezikojnë dhe ngadalësimin e dinamikës së negociatave të antarësimit.
Këto dhe të tjera deficite e shqetësime serioze, ndonëse mund t’i lehtësojë, nuk mund kursesi t’i zgjidhë vetëm ose kryesisht politika e jashtme, madje as aleatët tanë strategjikë, SHBA-të dhe BE-ja! Vendimtare mbeten politika, aktorët dhe faktorët tanë të brendshëm.
Ndryshe, kjo performancë e brendshme e dobët do të cënonte seriozisht imazhin dhe besueshmërinë edhe të gjeopolitikës sonë, e cila mund të na kthehet në bumerang politik. Këto problematika njihen dhe janë nënvizuar edhe në Progres Raportin më të fundit të Komisionit Europian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kërkohet frymë e re politike brenda vendit, opozitës, mazhorancës dhe mobilizëm i përgjithshëm për të zbatuar shpejt dhe me cilësi objektivat madhorë që përcaktohen në forumet e lartpërmendura; të shoqëruara me demarshe diplomatike në të gjitha dimensionet dhe në të gjitha qendrat e vendimmarrjeve të rëndësishme.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors