Menu

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet përfundimin me sukses të Presidencës Çeke të BE-së

0 Comments

Tiranë, 24 Janar 2023

Me rastin e përfundimit me sukses të Presidencës së saj të BE-së (1 Korrik – 31 Dhjetor 2022) Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i përcjell përgëzimet më të mira autoriteteve më të larta të shtetit, qeverisë dhe diplomacisë së Republikës Çeke.

Republika Çeke e mori këtë kryesim nga Franca në momente tejet të vështira, vetëm 5 muaj pas agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus ndaj një shteti të pavarur dhe sovran si Ukraina; kur BE-ja, SHBA-të dhe gjithë komuniteti progresiv ndërkombëtar ishin në kulmin e demarsheve dhe projekteve për shmangien e pasojave të rënda të këtij agresioni për Ukrainën, Europën dhe më gjerë.

Në këto kushte dhe rrethana, Presidencës Çeke i ra përgjegjësia e madhe për vijimin e forcimit të kohezionit politik, ushtarak dhe diplomatik të Aleancës Perendimore. Ajo u tregua në lartësinë e detyrës, duke drejtuar dhe bashkërenduar veprimtarinë e saj me Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Europian në procesin e vendimarrjeve madhore politike, ekonomike, diplomatike dhe humanitare. Kështu,  6 paketave të mëparshme, në Korrik, Tetor dhe së fundi më 14 Dhjetor  ju shtuan dhe 3 paketa të tjera të gjera, me sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë.

Po ashtu Presidenca Çeke bashkërendoi përpjekjet, masat dhe reformat madhore për përballimin e pasojave të rënda nga kriza energjitike dhe ushqimore e shkaktuar nga agresioni rus ndaj Ukrainës. Krahas masave për reduktimin dhe eliminimin përfundimtar të vartësisë ruse, ditët e fundit BE-ja miratoi Çmimin Tavan për gazin, arritje e dukshme në përballimin e krizës energjitike që ka prekur shumë vende perendimore.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë konstaton me kënaqësi se gjatë Presidencës Çeke u zhvilluan shumë veprimtari, procese, dhe programe për t’i ardhur në ndihmë popullit dhe ushtrisë ukrainase në rezistencën dhe luftën heroike ndaj agresorit Rus.

Kështu, BE-ja i akordoi Ukrainës ndihma shtesë financiare në shumën 20 miliardë Euro dhe ka planifikuar të tjera në të ardhmen. E ndërgjegjshme për dëmet kolosale që i janë shkaktuar infrastrukturës në Ukrainë që vlerësohen deri në 750 miliardë Euro, gjatë Presidencës Çeke, krahas akordimit të ndihmave te gjithanshme, u bënë përparime lidhur me procedurat për bllokimin e aseteve të oligarkëve rusë, për përballimin e shpenzimeve të rindërtimit.

Në një plan më të gjerë politik dhe institucional, KASH vlerëson në mënyrë të veçantë mikpritjen dhe lançimin gjatë Presidencës Çeke më 6 Tetor në Pragë të Komunitetit të Ri Politik Europian (KPE) me praninë e liderëve nga 44 vende antare, kandidate dhe jo antare të BE-së, përfshirë dhe 6 vendet e Ballkanit Perendimor. KPE është grupim i ri pan-europian që ofron një platformë të gjerë “për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe begatisë në kontinent”.  

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh vlerësimet më të larta, pasi, megjithë sfidat e tjera madhore, brenda dhe jashtë BE-së, Presidenca Çeke tregoi një vëmendje dhe interesim të jashtëzakonshëm për Ballkanin Perendimor, duke nxitur dhe promovuar procesin historik të përshpejtimit të antarësimit të tij në BE në të gjitha fushat, duke realizuar kthesën e shumëpritur  historike. Në Pragë u konfirmua vendosmërisht domosdoshmëria e “zgjerimit“ si alternativë e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme dhe në krye të axhendës së BE-së.

Presidenca Çeke ndikoi që kjo kthesë të realizohet  me një seri eventesh,  strategjish dhe plane veprimi, me objektiva të qarta dhe të guximshme, duke filluar nga samitet e BE-së, që jo vetëm i kushtohen por dhe zhvillohen në Ballkan. Këtu spikatin  Samiti i BE-së në Bruksel më 29 Qershor, i KPE-së në Pragë më 6 Tetor dhe Samiti BE – Ballkani Perendimor në Tiranë më 6 Dhjetor.

KASH çmon  faktin se këto samite, vizita dhe procese janë shoqëruar me akte, vendime dhe veprime intensive në kërkim të zgjidhjeve përfundimtare të problemeve të mbetura pezull me disa arritje  të spikatura dhe premtuese. Më 18 Korrik u çelën negociatat e antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Më tej, më 14 Dhjetor Këshilli i BE-së vendosi liberalizimin e vizave me Kosovën, jo më vonë se 1 janar 2024, ndërsa kjo e fundit më 15 Dhjetor dorëzoi në Presidencën çeke në Pragë kërkesën zyrtare për antarësimin në BE, si mesazh i qartë i kursit të saj Euro – Atlantik. Ditët e fundit, Këshilli Europian vendosi t’i japë statusin kandidat në BE Bosnje – Hercegovinës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë  në Deklaratën e tij më 6 Dhjetor është shprehur qartë se këto arritje dhe sfida u rikonfirmuan qartë dhe në Samitin BE – Ballkani Perendimor në Tiranë më 6 Dhjetor, i pari në Rajon dhe në Tiranë. Samiti i Tiranës ktheu dhe një herë në vëmendje rëndësinë e posaçme që ka mbajtja hapur e dyerve të perspektivës europiane dhe përshpejtimi i procesit të zgjerimit me vendet e rajonit në axhendën e institucioneve më të larta të BE-së dhe Shteteve Antare.

Më këtë rast, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i përcjell urimet më të mira dhe Ambasadës së Republikës Çeke në Tiranë, për punën dhe përpjekjet e saj cilësore  për të përcjellë frymën dhe  jehonën e Presidencës së saj në kryeqytetin tonë.

Së fundi, KASH beson se mbi bazën e kësaj përvoje të shkëlqyer të Presidencës Çeke, pasardhësja e saj, Suedia do të vijojë duke i çuar më tej këto arritje të shënuara, me synim konkretizimin e tyre sa më të shpejtë.