Menu

Letër e hapur për anëtarët e Këshillit Evropian.

0 Comments

Tiranë, 26 Dhjetor 2022

Letër e hapur për anëtarët e Këshillit Evropian.

Për dijeni: Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po ndjek me shqetësim të madh situatën në veri të Kosovës, e përshkallëzuar me tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, ngritjen e barrikadave dhe përdorimin e dhunës nga bandat kriminale që synojnë një agjendë politike destabilizuese, të mbështetur nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Këto momente kërkojnë qartësi gjykimi dhe vendosmëri veprimi nga NATO, BE dhe SHBA, përpara shpërthimit të një konflikti me pasoja të pakontrollueshme.

Vlen të kujtohet se Kosova ishte vendi i fundit i rajonit që vuajti nga gjenocidi dhe spastrimi etnik i regjimit të Millosheviçit, duke çuar në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Që prej asaj kohe, janë zhvilluar disa procese negociatash për arritjen e paqes, në përfundim të të cilave Kosova ka miratuar në mënyrë të njëanshme të gjitha propozimet ndërkombëtare, përfshirë pakon Ahtisaari, parimet e së cilës janë trupëzuar në Kushtetutën dhe qeverisjen e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës ishte një rast sui generis dhe një histori suksesi e investimit të përbashkët të popullit të saj dhe e vendosmërisë së palëkundur politike, transatlantike dhe evropiane.

Kosova tani është një vend lider i demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, duke lënë pas secilin nga 5 vendet e tjera të rajonit. Raportet ndërkombëtare e vendosin Kosovën e linjëzuar me BE në krye të renditjes, duke konstatuar progres thelbësor në të gjithë treguesit e qeverisjes.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE, i nisur në vitin 2011 me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjeneroi marrëveshje të rëndësishme, ku Marrëveshja e Brukselit 2013 ishte më gjithëpërfshirësja. Leva e BE dëshmoi të ishte e fortë dhe efikase, duke i shërbyer një epoke paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi midis dy vendeve, si dhe në mbarë rajonin tonë.
Fatkeqësisht, ato momente optimizmi dhe angazhimi janë zbehur, pasi qasja e BE në rajon u shndërrua në politika kontradiktore, pavarësisht papajtueshmërisë së tyre me projektin evropian dhe vlerat e tij.

Kjo qasje kontradiktore u thellua me sjelljen e disa liderëve evropianë të cilët arritën deri në miratimin e njëanshëm të skenarëve të shkëmbimit territorial, që çel kutinë e Pandorës me orekset monoetnike në rajon, duke minuar dhe vetë parimin themelues të Bashkimit Evropian.

Është për të ardhur keq që disa liderë evropianë kanë mbyllur sytë ndaj nostalgjisë së Presidentit Vuçiq për politikat e Millosheviçit, që jehon përtej fjalimit të tij provokues të vitit 2018 apo glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës. Gjatë kësaj kohe, Serbia ka vazhduar të forcojë lidhjet e saj me Rusinë, duke përdorur të njëjtën propagandë konflikt nxitëse, ka përparuar me importimin e armatimit të rëndë, me stërvitje të përbashkëta ushtarake, marrëveshje dypalëshe të koordinimit së politikës së jashtme, ka refuzuar zbatimin e sanksioneve, kundër të gjitha pritshmërive dhe politikës së BE-së. Presidenti Vuçiç shkoi deri aty sa bëri thirrje për dërgimin e 1000 trupave serbe në Kosovë, duke sfiduar hapur jo vetëm Kosovën por edhe aleatët evropianë dhe transatlantikë.

Ndërkohë që BE-ja ka qenë vigjilente për efektet e mundshme të agresionit Rus kundër Ukrainës sovrane dhe demokratike, ajo në mënyrë të pafalshme vazhdon politikën e saj paqtuese kundrejt aktorëve proxy të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sikur asgjë të mos ketë ndryshuar që nga shkurti i këtij viti.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fuqimisht se ka ardhur koha që BE-ja ta shohë realitetin ashtu siç është, me Kosovën qenësisht të ankoruar në rrugën evropiane, të përkushtuar drejt paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, ndryshe nga Serbia që ka zgjedhur kapelën e Rusisë, duke shpallur, pa asnjë kufizim, një luftë hibride kundër Kosovës, institucioneve legjitime demokratike dhe integritetit të saj territorial.

Ushtrimi i tepruar i presionit ndaj Kosovës, në vend të ndalimit të skenarëve destabilizues të sponsorizuar nga Rusia, sugjeron mesazhin më të keq të mundshëm duke rrezikuar investimin politik vizionar të aleatëve perëndimorë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

KASH beson se mekanizmi i dialogut mbetet alternativa më e mirë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë për të çelur përfundimisht dhe me vendosmëri një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Në këtë kontekst, Këshilli i bën thirrje BE-së që t’u kundërvihet me vendosmëri dhe pa vonesë përpjekjeve destabilizuese të Serbisë, dhe t’i udhëheqë negociatat duke i qendruar besnike parimeve dhe vlerave evropiane. U bëjmë gjithashtu thirrje të dyja vendeve, Serbisë dhe Kosovës, që të respektojnë angazhimet e deritanishme, të dakorduara në mirëbesim, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe perspektivës europiane të rajonit tonë.

Anëtarësimi në BE mbetet plani më i mirë i paqes dhe begatisë për rajonin tonë dhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbetet me shpresë se secili nga 6 vendet do t’i bashkohet familjes evropiane bazuar në meritat e proceseve të tyre individuale, të çliruar prej çdo ndikimi të palëve të treta që synojnë minimin e këtij projekti strategjik.

Me respekt,
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë