Menu

Letër e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë drejtuar Kryetarit të Radhës së OSBE-së

0 Comments

Tiranë, më 2 maj 2023

Për: Sh. T. Z. Bujar Osmani
Kryetari i Radhës i OSBE-së, Shkup

Në vëmendje: Z. Matteo Mecacci
Drejtor i Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Varshavë

Në vëmendje: Z. Kairat Abdrakhmanov
Komisioneri i Lartë për Pakicat Kombëtare i OSBE-së, Hagë

I nderuar Z. Kryetar,
I nderuar Z. Ministër,

Shpresoj që ky email t’ju gjejë mirë!

Vetëm pak javë më parë, një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, zhvilloi një vizitë pune dhe fakt-mbledhëse në Luginën e Preshevës, në Serbinë Jugore, në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc.

Delegacioni u takua dhe zhvilloi biseda me zotin Shaip Kamberi, deputet i Kuvendit të Serbisë, si dhe me përfaqësuesit politikë dhe drejtuesit e institucioneve vendore të Luginës, znj. Ardita Sinani, z. Shqipërim Arifi, z. Ragmi Mustafa,
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës z. Ragmi Mustafi, z. Arben Ferhati, etj.

Siç mund ta keni dëgjuar edhe nga disa raportime mediatike, si dhe nga raporti i Komisionit Evropian i vitit 2021 , nga raporti më i fundit i Departamentit të Shtetit të SHBA-së , nga raportet e Komisionit të Helsinkit të Serbisë për të drejtat e njeriut , situata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është kritike. Vizita jonë atje e konfirmoi plotësisht këtë situatë.

Një spastrim etnik modern me të drejtë quhet pasivizimi i adresave, i cili realizohet me ligj dhe që u mundëson autoriteteve shtetërore serbe të çregjistrojnë nga regjistri civil banorët e Luginës, të cilët në një kohë të caktuar nuk gjenden në shtëpitë e tyre.

Procesi i verifikimit është i njëanshëm dhe diskriminues, ndërsa vetë zbatimi i ligjit është jashtëzakonisht diskriminues i kryer vetëm në dëm të pakicës shqiptare në Serbi. Pasivizimi i adresave ka pasoja direkte negative për përditshmërinë e shqiptarëve. Më tej, ai sjell shpopullimin e Luginës nga shqiptarët dhe heqjen e të drejtës së votës.

Janë mijëra shqiptarë të Luginës, të cilëve tashmë e drejta e votës dhe e qëndrimit iu janë hequr nga regjistrat shtetërorë civilë të Serbisë.

Nga takimet e zhvilluara me personalitete politike të Luginës së Preshevës, por edhe me qytetarë të thjeshtë, mësuam për gjendjen e zymtë në Luginë, për mungesën e investimeve publike, diskriminimin ndaj shqiptarëve në punësim në administratën vendore dhe shtetërore, për mbylljen e gjykatës që detyron shqiptarët të shkojnë në qytetin e distancuar të Vranjës për çdo nevojë ligjore, etj.

Të gjitha sa më sipër kanë çuar në një spastrim etnik modern, diskriminim etnik dhe dhunë, veçanërisht ndaj minoritetit shqiptar që jeton në trojet e veta, të paprecedentë edhe për vetë Serbinë, siç dëshmohet nga raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe në raportet dhe studimet e Komitetit të Helsinkit të Serbisë.

Qëllimi është largimi i popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike në këtë zonë.

Përfaqësuesit e Luginës paraqitën një sërë kërkesash dhe vërejtjesh për qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Ata kërkuan më shumë vëmendje, ndërgjegjësim për gjendjen e tyre, trajtim reciprok të të drejtave të tyre me ato të serbëve në Kosovë, përfshirjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës në bisedimet Kosovë-Serbi, krijimin e një fondi kombëtar solidariteti të qeveritve të Shqipërisë dhe Kosovës për investime në Luginë, etj.

Duke kuptuar plotësisht shqetësimet dhe përshkrimin e situatës nga bashkëbiseduesit dhe duke i konfirmuar ato në terren, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të sjellë në vëmendjen tuaj nevojën për të rritur trysninë ndaj Qeverisë së Serbisë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për të ndalur pasivizimin absurd të adresave, për të rritur punësimin e merituar të shqiptarëve në institucionet shtetërore, si dhe për rritjen e investimeve që do të ndalonin plagën e largimit të planifikuar më së miri të shqiptarëve nga Lugina, apo siç e ka vlerësuar Departamenti Amerikan i Shtetit “spastrimin etnik modern” të Luginës së Preshevës nga shqiptarët.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të përgatisë dhe dërgojë letra, bazuar në gjetjet e tij nga vizita në terren, edhe organizatave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare, me qëllim ushtrimin e presionit për të siguruar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Me respekt,
Besnik Mustafaj
President
Ish-ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë

https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/serbia-report-2021_en
https://www.state.gov/reports/2022-country-reports-on-human-rights-practices/serbia
https://www.helsinki.org.rs/doc/izvestaj/presevo/eng.pdf