Tiranë, më 2 Korrik 2020
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet marrjen e presidencës së radhës të BE-së nga Gjermania si dhe shpreh entusiazmin për programin tërësor të kësaj Presidence.
Nisur nga katalogu i gjerë me një problematikë shpërthyese për shumë çështje, si për BE-në dhe jashtë saj, kjo Presidencë nga shteti më i madh dhe më i fuqishëm në Europë, model i demokracisë dhe solidaritetit, përbën një fat dhe ngjarje me rëndësi dhe efekte madhore për tani dhe të ardhmen e kontinentit tonë dhe shumë më gjerë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i uron kësaj Presidence sukses të plotë, në radhë të parë në menaxhimin efektiv të pandemisë COVID – 19, krizës më të madhe pas Luftës së II Botërore me pasoja tashmë të njohura.
Shprehim bindjen se me lidershipin e saj, Kancelarja Merkel do të arrijë konsensusin e nevojshëm për zbatimin sa më shpejt të projektit gjigand që ajo lançoi me Presidentin Macron më 18 Maj e të mbështetur nga Komisioni Europian, si ndihma dhe subvencione pa kthim prej 750 Miliard Euro, diçka që ndodh për herë të parë në historinë e BE-së.
Presidenca gjermane vjen në një kohë kur Ballkani Perendimor ndeshet me shumë sfida serioze. Ngjarjet e ditëve të fundit, me ngritjen e akt-akuzave tejet të rënda ndaj liderëve kryesorë të Kosovës nga Prokuroria Speciale e Hagës e bën dhe më të domosdoshëm rifillimin dhe nxitjen e dialogut Kosovë – Serbi në bashkëpunim me SHBA-të, në pritje dhe të Samitit të parashikuar më 17 Korrik në Paris.
Me këtë rast, KASH inkurajon përshpejtimin dhe realizimin brenda këtij viti të liberalizmit të vizave me Kosovën.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka besim se ashtu si dhe deri tani, edhe gjatë presidencës së saj të BE-së, Gjermania dhe Kancelarja Merkel, mikeshë e madhe e vendit tonë do t’i kushtojë përparësinë e duhur përshpejtimit të çeljes së negociatave të antarësimit në BE.
Ndërkohë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirje Qeverisë, diplomacisë dhe gjithë organizmave të tjera përkatëse në vend që të intensifikojnë dhe kokretizojnë përmbushjen e kushteve tashmë të njohura, me qëllim që presidenca gjermane në vjeshtë të jetë në gjendje të ndezë dritën jeshile për thirjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda këtij viti.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors