Menu

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë viziton Luginën e Preshevës.

0 Comments

Tiranë 23 Mars 2023

Një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), i kryesuar nga Presidenti i KASH, z. Besnik Mustafaj, ish Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, zhvilloi një vizitë pune në Luginën e Preshevës (Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc).

Delegacioni i KASH u takua dhe zhvilloi bisedime me z. Shaip Kamberi, deputet në Parlamentin e Serbisë, si dhe përfaqësuesit politikë dhe drejtuesit e institucioneve vendore të Luginës se Preshevës, znj. Ardita Sinani, z. Shqipërim Arifi, z. Ragmi Mustafa, Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës z. Ragmi Mustafi, z. Arben Ferhati, etj.

KASH u informua nga mikpritësit për sfidat dhe problematikat shumë tē vështira, nëpër të cilat po kalojnë shqiptarët e Luginës, duke filluar me zbatimin absurd dhe diskriminues të ligjit për pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave të Kosovës, burokracirat e panumërta për njohjen e atyre të Shqipërisë, diskriminimin në punësimet në institucionet shtetërore në favor të serbëve, mungesën e vëmendjes dhe investimeve shtetërore, zhvendosjen e gjykatës nga Presheva, etj.

Të gjitha këto kanë sjellë një diskriminim dhe dhunë raciale apo etnike, veçanërisht ndaj pakicës shqiptare që jeton në trojet e veta, të pashembullt edhe për vetë Serbinë, dhe një spastrim etnik modern, sikundër evidentohet edhe nga raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dhe në raportet e studimet e Komitetit të Helsinkit të Serbisë.

Përfaqësuesit e Luginës parashtruan edhe një sërë kërkesash dhe vërejtjesh ndaj qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Ata kërkuan më shumë vëmendje, sensibilizim të situatës së tyre, trajtim reciprok të të drejtave të tyre me ato të serbëve në Kosovë, përfshirjen e problematikës së shqiptarëve të Luginës në bisedimet Kosovë – Serbi, krijimin e një fondi kombëtar solidariteti të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për mbështetjen e projekteve zhvillimore në Luginë, hapjen e një konsullate të Shqipërisë në Bujanovc.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u shpreh se i aprovonte dhe e mirëkuptonte përshkrimin e gjendjes dhe kërkesat e përfaqësuesve të Luginës dhe se gjendja e vështirë vërehej qartazi në terren.

Delegacioni i KASH premtoi se do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e veta për të sensibilizuar kancelaritë perëndimore dhe qendrat më të rëndësishme të vendimmarrjeve, por edhe qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për më shumë vëmendje në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për të shtuar presionin ndaj Qeverisë së Serbisë për të rritur punësimin e merituar të shqiptarëve në institucionet shtetërore, si dhe për shtimin e investimeve që do të ndërprisnin sado pak hemorragjinë e largimit të planifikuar të shqiptarëve nga Lugina, apo siç e ka vlerësuar DASH ’’spastrimin modern etnik’’ të Luginës së Preshevës prej shqiptarëve.

KASH shfrytëzon rastin të falënderojë Dr. Dergut Aliun dhe z. Muharrem (Marco) Salihu anëtarë të Bordit Këshillimor nga Lugina e Preshevës, si dhe z. Fadil Selmani, Kryetarë i Lidhjes së Shoqatave të Bashkura të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes në Zvicër, për ndihmën e tyre të çmuar në realizimin e suksesshëm të kësaj vizite.