Menu

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u takua me grupet Parlamentare të opozitës në Parlamentin e Kosovës.

0 Comments

Prishtinë, 17 Dhjetor 2022.

Në vijim të vizitës zyrtare në Prishtinë, delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), zhvilloi takime të veçanta pune me Kryetarët e Grupeve Parlamentare dhe anëtarë të GP të opozitës parlamentare në Parlamentin e Kosovës.
Delegacioni i KASH u prit nga Z. Arben Gashi, kryetar i GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Z. Abelard Tahiri, kryetar i GP të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Z. Besnik Tahiri, kryetar i GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kryetarët e GP të LDK, PDK dhe AAK në këto takime ishin të shoqëruar nga deputetët e partive përkatëse, anëtarë dhe drejtues të Komisonit të Jashtëm, të Integrimeve Europiane dhe të Komisionit të Sigurisë të Parlamentit të Kosovës.

Gjatë këtyre takimeve, u shkëmbyen mendime e vlerësime në lidhje me zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në rajon si dhe shtruan ide dhe dhe sugjerime për bashkërendimin e përpjekjeve dhe iniciativave, në funksion të zgjidhjes së situatës së krijuar në veriun e Kosovës, si dhe të avancimit të përmbushjes së objektivave eurointegruese të vendeve tona.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) vlerësoi zhvillimin e proceseve të brendshme demokratike në Republikën e Kosovës, si një shembull për të gjithë rajonin. Nga ana e KASH u vlerësua lart se si zhvillohen zgjedhjet dhe procesi demokratik, si dhe respektimi dhe moskontestimi i rezultatit të tyre nga ana e qytetarëve, por edhe nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, u vlerësua si një ngjarje sa historike, aq edhe e argumentuar e plotësisht e mbështetur në arritjet e standarteve të kërkuara evropiane nga ana e Republikës së Kosovës, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Anëtarët e delegacionit të KASH, në bashkëbisedim me kryetarët dhe anëtarët e GP të LDK, PDK dhe AAK, theksuan rëndësinë e përqëndrimit të të gjitha përpjekjeve në drejtim të negociatave Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuara nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkundër përpjekjeve të Beogradit dhe veglave të tij në veriun e Kosovës, për të përshkallëzuar artificialisht tensionet, me qëllim bllokimin e negociatave për normalizimin dhe njohjen reciproke të dy vendeve, që do t`i shërbenin forcimit të mëtejshëm të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) beson se unifikimi i faktorit politik shqiptar dhe kapërcimi i ndasive politike të momentit, për përballimin e situatës së krijuar me Serbinë, janë me një rëndësi themelore kombëtare.

Gjatë bashkëbisedimit të delegacionit të KASH me kryetarët e GP të Parlamentit të Kosovës, me theks të veçantë u diskutua për rolin e pazëvendësueshëm të Diplomacisë Parlamentare, si një instrument i mirë për lidhje direkte dhe plasimit të së vërtetës për Kosovën dhe zhvillimeve rreth saj.

Kryetarët e GP të LDK, PDK dhe AAK, u shprehën se përcjellin me vëmendje veprimtarinë e KASH dhe vlerësuan rolin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë në këto momente delikate për Kosovën. Gjithashtu u shpreh gatishmëria dhe angazhimi i plotë i tyre për koordinim dhe bashkëpunim në mes të Grupeve Parlamentare dhe KASH.

Zëri i anëtarëve të respektuar të KASH, u theksua nga disa prej bëshkëbiseduesve, deputetë të Parlamentit të Kosovës, duhet të jetë më i fortë dhe i pranishëm për të gjitha zhvillimet në trojet tona, pasi bart një ekpseriencë të pazëvendësueshme profesionale.

KASH, nga ana e tij, u shpreh se eshtë i gatshëm për të ndihmuar me të gjitha kapacitetet e veta, si me përvojën dhe kontaktet diplomatike dhe miqësore kudo që ka mundësi, por edhe me vlerësime gjeopolitike, në mbështetje të anëtarësimeve të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, si edhe me angazhimin me lidhjet e tyre në shtetet mosnjohëse të Kosovës.