Tiranë, 8 Shkurt 2024.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka terhequr vëmendjen në vazhdimësi për shkeljen e të drejtave të njeriut, në veçanti për të drejtat e tyre legjitime si pakicë dhe situatën tejet të vështirë në të cilën ndodhen shqiptarët në Luginën e Preshevës në Serbi.
Së fundi, Qeveria e Republikës së Serbisë, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave e Serbisë ka reduktuar me mbi 1 milion dinarë buxhetin për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës për vitin 2024.
Ky vendim që e vështirëson shumë mbijetesën e jo më funksionimin normal të këtij institucioni shumë të rëndësishëm për shqiptarët e respektimin e të drejtave të tyre, është plotësisht nonsens, për rrjedhojë diskriminues e keqdashës.
Këshilli Kombëtar Shqiptar për shumë vite ka operuar me buxhet të zvogëluar, për shkak (sipas autoriteteve Serbe), të mospjesëmarrjes së Shqiptarëve të Luginës në censusin e vitit 2011.
Me këtë llogjikë/shkak/pretekst, duhej që buxheti për Këshillin Kombëtar Shqiptar të rritej tani, së paku me 40%krahasuar me vitin paraprak, për shkak të regjistrimit të popullsisë që është bërë në vitin 2022 dhe pjesëmarrjes së Shqiptarëve të Luginës në këtë regjistrim.
Ky akt skandaloz, sikundër e ka konsideruar me të drejtë edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, nuk është i pari dhe i vetmi akt që synon kufizimin/kërcënimin e veprimtarisë së Këshillit. Më parë janë përdorur metoda e forma të tjera.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se në kushtet e një situate të vështirë ekonomike, të mungesës së investimeve, mundësive pothuaj zero të punësimit të Shqiptarëve në administratën shtetërore të Serbisë, pasivizimit absurd të adresave që ka rezultuar në braktisjen masive të shqiptarëve nga Lugina Preshevës, të cilat përbënin sinjale alarmi për të gjithë, përfshi komunitetin ndërkombëtar, rritja e merituar e buxhetit do të ishte një sinjal minimalist pozitiv në drejtim të Shqiptarëve të Luginës nga ana e Qeverisë së Serbisë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë qëndron pranë Shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe i bën thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe gjithë faktorit ndërkombëtar të ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi qeverinë e Serbisë për të respektuar të drejtat e pakicës Shqiptare në Serbi, në të njëjtin standart të kërkuar për Serbët në Kosovë.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors
1 thought on “Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i shqetësuar për reduktimin e buxhetit për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.”
Comments are closed.