Menu

Deklaratë e KASH-së në lidhje me Samitin e Novi Sadit dhe Ohrit.

0 Comments

Tiranë, 11 nëntor 2019

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e dy Samiteve në Novi Sad të Serbisë, datë 10 tetor dhe në qytetin e Ohrit në MV, datë 10 nëntor, me pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Kryeministrave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, si dhe të zyrtarëve të lartë të BiH dhe Malit të Zi, pa pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës.

KASH mbështet çdo iniciativë rajonale në filozofinë e parakushteve integruese të rajonit në BE dhe qëllimin e mirë për përmirësimin e jetës, sigurisë dhe ekonomisë së Shqiptareve dhe të gjithë rajonit.

Nga ana tjetër, vlerësojmë se nisma të tilla, të një rëndësie të veçantë, me pasoja të ndjeshme në zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon, veçanërisht në botën shqiptare, duhet të gëzojnë një konsensus të gjerë politik e social, nëpërmjet një transparence dhe analize të plotë të avantazheve dhe disavantazheve për Shqipërinë, Shqiptarët dhe rajonin. Analiza duhet të jetë edhe më e kujdesshme, kur propozime të tilla vijnë nga shtete që janë kundër anëtarsimit në NATO, nuk zbatojnë plotësisht politikën e BE dhe janë pjesë e unionit Euro-Aziatik.

Vendimmarrja politike për këto iniciativa dhe zbatimi i tyre nuk janë e nuk mund të jenë ekskluzivitet i një qeverie të caktuar.

Projekti strategjik i shqiptarëve për t’u integruar në familjen Euro-Atlantike, si dhe qëndrimet e partnerëve tanë BE dhe SHBA, duhen kuptuar vetëm në perputhje me një qasje gjithëpërfshirëse dhe në respekt të plotë të integritetit dhe sovranitetit të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Republikën e Kosovës.

Këshilli Ambasadorëve Shqiptarë e konsideron çdo marrëveshje që nuk përfshin Republikën e Kosovës si shtet i pavarur jo në perputhje me interesat kombëtare dhe politikën tonë të jashtme.

Zbatimi në praktikë i kësaj marrëveshje nuk do të ishte i mundur në një kohë kur Serbia vazhdon t’a ketë në kushtetutë Kosovën si pjesë të saj. Në këto kushte, kjo marrëveshje nuk i shërben procesit të pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal. Ajo mund të dëmtojë interesat e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e lëvizjes pa viza të qytetarëve të Kosovës në hapësirën e Bashkimit Evropian.

Së fundi, theksojmë se, Integrimet Rajonale janë shumë të rëndësishme, por ato nuk mund të zëvendësojnë ato Euro-Atlantike. Shqipëria, Shqiptarët dhe Ballkani Perëndimor nuk kanë alternativë tjetë veç anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE.