Tiranë 11 Gusht 2026
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh keqardhjen dhe zhgënjimin për deklaratën e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Beograd, me të cilën konfirmoi se qëndrimi i Ukrainës ndaj pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar.
KASH e konsideron veçanërisht të pa vend një deklarim të tillë në Beograd, përballë një udhëheqjeje serbe që vazhdon të ruajë marrëdhënie të ngushta me Federatën Ruse dhe Presidentin Vladimir Putin.
Serbia mbetet ndër të paktat vende evropiane që nuk është bashkuar me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, pavarësisht agresionit të saj kundër Ukrainës.
Ky qëndrim bëhet edhe më shqetësues në një kohë kur nga Beogradi vijon një retorikë e papranueshme ndaj Republikës së Kosovës, përfshirë deklaratat e fundit të Presidentit Vuçiç lidhur me lumin Ibër. Çdo kërcënim apo ide për ndërhyrje në burimet ujore ndërkufitare, që mund të cenojë furnizimin me ujë, bujqësinë apo prodhimin e energjisë në Kosovë, bie ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe të drejtës ndërkombëtare.
KASH nënvizon se nuk mund të vendoset shenjë barazimi ndërmjet Kosovës dhe agresionit rus kundër Ukrainës.
Pavarësia e Kosovës është rezultat i një procesi historik dhe politik të veçantë, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, represionit dhe konfliktit, ndërhyrjes ndërkombëtare dhe një periudhe të gjatë administrimi nga Kombet e Bashkuara. Ajo nuk mund të krahasohet me aneksimin e Krimesë apo përpjekjet e Rusisë për të aneksuar territore të Ukrainës përmes forcës ushtarake.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në Opinionin Këshillimor të 22 korrikut 2010, arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së apo Kornizën Kushtetuese në fuqi. Përpjekjet për ta përdorur Kosovën si precedent për agresionin dhe aneksimin e territoreve sovrane janë, për rrjedhojë, juridikisht dhe politikisht të pabazuara dhe i shërbejnë vetëm retorikës së Moskës.
Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi e kanë dënuar që në fillim agresionin rus dhe kanë qëndruar qartësisht në krah të Ukrainës, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. KASH beson se ky solidaritet parimor me popullin ukrainas duhet dhe do të vazhdojë. Pikërisht për këtë arsye, deklarata të tilla në Beograd shkaktojnë zhgënjim të ligjshëm.
KASH shpreh shpresën se Ukraina do ta rishqyrtojë sa më parë qëndrimin e saj ndaj Republikës së Kosovës. Njohja e Kosovës do të ishte jo vetëm një akt miqësie ndaj një populli që ka qëndruar pa ekuivok në krah të Ukrainës, por edhe një vendim në përputhje me realitetin politik dhe juridik të krijuar në Evropën Juglindore.
Republika e Kosovës është sot një realitet i pakthyeshëm politik dhe ndërkombëtar. Konsolidimi i saj ka kontribuar në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors