Tiranë, 22 Janar 2024
Viti 2023 ishte shumë i ngarkuar dhe i ngjeshur me lajme dhe ngjarje – një pjesë e tyre tronditëse – politike, diplomatike dhe ushtarake, të trashëguara dhe të krijuara rishtazi në të gjithë botën.
Më kryesoret janë vazhdimi i agresionit rus në Ukrainë, përpjekjet e BE-së për zgjerimin drejt Ballkanit Perendimor, Ukrainës dhe Moldavisë, tensionet, zhvillimet dhe sfidat në dialogun Serbi – Kosovë dhe qëndrimet e vendit tonë ndaj tyre, lufta në Ukrainë, sfidat gjeopolitike të Perëndimit, zgjerimi i BRICS si kundrapeshë ndaj Perëndimit, përshkallëzimi i situatës pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, etj.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i ka ndjekur me shumë vëmendje dhe interes këto zhvillime. Gjithashtu, ai i ka trajtuar ato në veprimtaritë e zhvilluara, në takimet me Trupin Diplomatik në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Uashington, etj., në takimin dhe vizitat në rajon të delegacionit të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë dhe në deklaratat e tij të shumta të cilat kanë patur jehonë në median tonë dhe më gjerë.
Këto qëndrime janë vlerësuar nga publiku, kolegët e partnerët tanë në rajon, Evropë, SHBA, etj.
Vlen të theksohet se krahas gjetjeve dhe konstatimeve përkatëse, KASH dhe Bordi i tij ekzekutiv ka dalë me propozime dhe sugjerime konkrete gjeopolitike, për palën tonë, për BE-në, SHBA-të, OSBE-në, Këshillin e Europës, etj. Anëtarë të KASH-it i kanë shtjelluar këto qëndrime në shkrimet e tyre në shtypin e përditshëm dhe në intervistat televizive.
Për rrjedhojë, KASH është bërë një burim dhe pikë e rëndësishme referuese për këto dhe të tjera aspekte gjeopolitike.
Më poshtë po japim një vështrim të përmbledhur të zhvillimeve kryesore në vendin tonë, në rajon dhe në botë, me disa përfundime dhe me sugjerime për të ardhmen.
Viti 2023 ishte relativisht i mbarë për vendin tonë, edhe pse duhej dhe mund të ishte më i mirë dhe pa fërkime diplomatike. Shqipëria përfundon me sukses anëtarësimin e përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së 2022 – 2023; në tetor kryesoi për një muaj KS, duke drejtuar disa takime dhe forume të rëndësishme. Në vijim, në nëntor u zgjodhëm për të dytën herë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së me seli në Gjenevë dhe në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s.
Me shumë rëndësi ishte Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë më 16 tetor, i pari që u zhvillua në vendet e rajonit, me një prani të madhe të liderëve europianë; pati shumë vizita të nivelit më të lartë brenda dhe jashtë vendit, ku padyshim bie në sy ajo e Emanuelle Macron më 17 Tetor, e para e një presidenti francez në Tiranë.
Natyrisht janë ngjarje të madhore, me efekte pozitive për imazhin e vendit, forcimin e demokracisë, zhvillimin e ekonomisë, etj. Duhet thënë se nuk janë arritur brenda një nate, por janë produkt i demarsheve shumëvjeçare dhe përvojës së mëparshme në forume dhe organizma të ndryshme, si BE, KiE, OSBE, NATO, etj.
KASH i ka përshëndetur me deklarata, qëndrime dhe forma te tjera këto ngjarje.
Ndërkohë, krahas vlerave të njohura pozitive, Këshilli ynë ka tërhequr vëmendjen mbi disa dukuri negative në trajtimin dhe interpretimin publik dhe mediatik qeveritar të këtyre ngjarjeve diplomatike, të cilat trajtohen shpesh me tepëri dhe propagandë.
Nga ana tjetër, këto arritje kanë vlera kryesisht diplomatike dhe në fushën e imazhit, por nuk është se kanë ndonjë ndikim të madh në aspektet e përditshmërisë sonë të brendshme. Kryesorja në rolin dhe aktivitetin tonë jashtë vendit mbetet faktori i brendshëm, se ai të jep besueshmërinë e duhur për të qenë realisht aktivë dhe efektivë në politikën e jashtme.
Ngjarje shqetësuese e muajve të fundit ka qenë dhe mbetet tensionimi i marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë, për shkak të çështjes ”Beleri”. Madje, tashmë ajo i ka kapërcyer kufijtë e një çështjeje dypalëshe. Sipas palës greke, ajo ka të bëjë me respektimin e shtetit të së drejtës, të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor.
Nisur nga sa sipër, Greqia vendosi veton kundër çeljes së grup kapitullit të parë në Samitin e BE-së më 14 Dhjetor dhe ka paralajmëruar se këtë qëndrim do ta mbajë deri në fund, mbështetur në strategjinë e re të zgjerimit e muajit Mars 2020.
KASH vlerëson se tensione të tilla politike, sidomos me një vend fqinj dhe partner në NATO, zgjidhen me frymë pozitive, nëpërmjet kanaleve diplomatike, duke shqyrtuar dhe premtuar rrugë dhe mundësi për kapërcimin e problemeve.
Tërheqim gjithashtu vëmendjen te fakti tejet i rëndësishëm se anëtarësimi në BE, dhe, në këtë kuadër, çelja dhe zhvillimi i negociatave, nuk është vetëm apo kryesisht aspekt teknik dhe punë teknikalitetesh. Nuk është as shfrytëzimi i AI-së për përkthimin e shpejtë të ligjeve europiane, por zbatimi i tyre që është vetëm në dorën tonë. Në fakt, teknikisht asnjëherë nuk kemi patur probleme me BE-në; ekipet tona me ekspertë dhe negociatorë të aftë e të trajnuar jashtë vendit në të gjitha fazat e negociatave të deritanishme dhe në procesin e shqyrtimit analitik që sapo përfundoi janë vlerësuar me nota pozitive nga të gjitha institucionet e BE-së. Po të ishte për anën teknike dhe negociuese, ne do të ishim me kohë në BE!
Problemi dhe pengesa jonë kryesore ka qenë dhe mbetet mungesa e vullnetit politik të lidershipeve tona qeveritare (madje dhe kur gjeopolitika dhe momentet kanë qenë të favorshme për ne) në zbatimin e ligjeve dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Më 16 Tetor, për herë të parë në Tiranë, u mblodh Samiti i Procesit të Berlinit, që më vonë do të vijojë në kryeqytetet e tjera të rajonit, me qëllim”pronësimin” e tij nga vendet tona. Padyshim kjo është një ngjarje madhore e shumëpritur për vendin dhe diplomacinë tonë dhe rajonin.
Ky Samit i dha fund nismës gjysmake jetëshkurtër ”Ballkan i Hapur”. Në kuadër të Procesit të Berlinit, të lançuar në vitin 2014 nga ish Kancelarja Merkel, janë zhvilluar disa samite dhe veprimtari të tjera të rëndësishme, me plot angazhime, por nuk u zbatuan, për mungesë të vullnetit politik, përfshirë edhe nga tri vendet e ”Ballkan i Hapur”.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka theksuar në vijimësi dallimet thelbësore mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur. Ndryshe nga ky i fundit, Procesi i Berlinit jo vetëm që drejtohet nga Berlini, vendi më i madh dhe më demokratik i Europës, por aty janë dhe të mëdhenjtë e tjerë, si dhe me ”më të vegjëlit”, Franca, Italia, Austria, Polonia, Kroacia, Sllovenia, etj.
Berlini dhe BE-ja ishin kujdesur gjithashtu që përpara se të krijohej ”Ballkani i Hapur”, për krijimin e disa forumeve, njësive dhe proceseve rajonale që do t’i shërbenin më së miri zbatimit të Procesit të Berlinit dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal. Përmendim këtu Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal me seli në Sarajevë, i cili sponsorizohet nga BE-ja dhe 35 aktorë të tjerë ndërkombëtarë, CEFTA-n e suksesshme, Komunitetin Energjitik Rajonal, Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik me Detin e Zi, Nismën e Europës Juglindore dhe disa nisma të tjera sipas fushave përkatëse.
Një minus tjetër i madh për “Ballkanin e Hapur”, ishte fakti se veç Malit të Zi dhe Bosnje – Hercegovinës, u la pas dore Kosova, ndonëse me të kemi marrëveshje për mendim dhe veprim të përbashkët diplomatik. Veprim i pajustifikueshëm për politikën dhe diplomacinë tonë, e cila duhet ta ketë Kosovën përparësi absolute, pa kushte dhe në çdo rrethanë në veprimtarinë diplomatike.
Nga ana tjetër, dhe vetë brenda tri vendeve pjesëmarrëse të ”Ballkan i Hapur” kishte shumë kundërshti nga opozita, presidenti, shtypi, media dhe shoqëria civile, “think tanke” dhe ekspertët e akademikët më të njohur. Kjo nuk ka ndodhur me asnjë nga nismat e tjera rajonale të cilat kanë patur konsensus të plotë.
Ja pse shpresohet shumë, që pavarësisht nga problemet dhe zigzaget e tij gjatë këtyre 9 viteve, Samiti i Tiranës dhe ngjarjet vijuese do t’i shërbejnë rijetësimit të Procesit historik të Berlinit; me synimin e tij madhor, ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme për përshpejtimin e negociatave të anëtarësimit tonë në BE, sidomos tani që zgjerimi ka ridalë në krye të axhendës gjeopolitike europiane dhe më gjerë.
KASH vlerëson se lipset një riparim i shpejtë e tërësor i marrëdhënieve me Kosovën, të dëmtuara edhe për arësye të Ballkanit të Hapur.
Ca më tepër, tani na ndihmon shumë dhe era e re që ka filluar të fryjë në kancelaritë perendimore pas protestave, kritikave dhe kërkesave për ndryshimin e qëndrimit të tyre të gabuar ndaj Beogradit, siç ishte dhe Letra e 10 kryetarëve të Komisioneve të Jashtme të Parlamenteve europiane dhe Senatit amerikan dhe e 56 deputetëve të të gjithë krahëve politikë drejtuar Sekretarit të Shtetit Blinken dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell, ku kërkohet një politikë e re shtrënguese dhe jo qetësuese ndaj Beogradit, që është problem e jo zgjidhje, ca më pak aktor/faktor stabiliteti rajonal dhe për një qasje të re cilësore pozitive ndaj Kosovës, aleatja e vërtetë e Perëndimit. Politika dhe diplomacia jonë duhet ta kishte filluar këtë “rimont” pikërisht duke përshëndetur Letrën e mësipërme.
Gjatë kësaj periudhe kemi ndjekur me shumë interes dhe shqetësim zhvillimet në Serbi, dhe, në veçanti, dialogun e saj me Kosovën e në këtë kuadër, dakordësimin e tyre në Bruksel në shkurt dhe me anekset përkatëse në Ohër më 18 Mars. Kemi shprehur me këtë rast idetë, mbështetjen por dhe rezervat tona lidhur me zbatimin e tyre, për shkak të qëndrimeve refraktare serbe, e cila dhe sot e kësaj dite nuk pranon nënshkrimin e tyre, duke këmbëngulur vetëm te asociacioni.
Ka shumë zëra me peshë që shprehen me argumenta të drejta se sulmet terroriste të bandave serbe që kulmuan më 24 Shtator ne Banjce dhe tensionimi i mëtejshëm i situatës në Veri të Kosovës praktikisht shënuan fundin e një epoke me dialogun 12 vjeçar dhe Marrëveshjen e sforcuar të Ohrit. Natyrisht tani për tani synohet mbajtja nën kontroll e situatës, frenimi i agresivitetit serb dhe stabilizimi i situatës. Por, në një të ardhme të afërt, në vend të vazhdimit të një dialogu rutinor që nuk të shpie askund, nga SHBA-të dhe BE-ja kërkohet një qasje, një paradigmë, pra një strategji e re cilësore me masa tërësore ndaj Serbisë, Kosovës dhe më gjerë në rajonin tonë.
Është e pajustifikueshme që dhe pas agresionit rus, kur Serbia nuk iu bashkua sanksioneve ndaj Moskës, kur sabotonte pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme vendore në Kosovë dhe “i bënte naze” nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, SHBA-të dhe BE-ja vazhdojnë “ta marrin me të mirë” Beogradin. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se Serbia përpiqet të shfrytëzojë besimin dhe frymën paqtuese perendimore, duke e përdorur atë vetëm për të fituar kohë për realizimin e projektit të saj serbomadh.
Ja pse paradigma e re tashmë kërkon urgjentisht zbatimin e ”diplomacisë parandaluese dhe shtrënguese” ndaj Beogradit. Për fat të mire, duket se si SHBA-të dhe BE-ja po e bëjnë kthesën në këtë drejtim, duke i ngritur së fundi tonet e tyre ndaj Beogradit.
Sipas shumë analistëve, deri tani BE-ja, por dhe SHBA-të kanë punuar kryesisht për realizimin e synimeve të politikës së jashtme dhe për stabilokraci, duke mos u angazhuar seriozisht në fushën e demokracisë, shoqërisë civile, median dhe me mbështetje për opozitën, ku rajoni ynë dhe sidomos Serbia çalon ndjeshëm. KASH shpreh bindjen se stabiliteti pa demokraci është i rremë, iluzion dhe i përkohshëm.
Ndaj, në paradigmën në fjalë, përparësia duhet të shkojë te promovimi i shtetit të së drejtës, forcimi dhe emancipimi i opozitës, i shoqërisë civile, etj.
KASH bën thirrje për një ridimensionim cilësor të qëndrimit perëndimor ndaj Kosovës dhe lidershipit të saj të ri, demokratik dhe të pakorruptuar, siç sugjerojnë 56 kryetarët e Komisioneve të Jashtme dhe deputetët e vendeve të mëdha perendimore dhe shumë politologë dhe ekspertë të tjerë, duke i dhënë fund “kërbaçit” dhe me më shumë ”kulaç” për Prishtinën. Për më tepër kur në Kosovë, ndryshe nga Serbia, demokracia përparon, zhvillohen zgjedhje të lira, pa deformin të vullnetit të popullit, realizohet rrotacion politik normal dhe freskim të lidershipit politik. Krejt ndryshe nga Serbia, Kosova si aleat besnik i Perëndimit, ka zbatuar gjithçka i është sugjeruar nga Perëndimi, është linjëzuar me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, etj.
Në këtë qasje/paradigmë të re nuk ka si të shpresohet për dialog, ca më pak funksional pa elementët e tij themelorë – klima, terreni dhe mjedisi miqësor e jo si deri tani, çka nuk lejon qoftë dhe një shtrëngim duarsh! KASH vlerëson se nuk mund të ketë një klimë të tillë pozitive kur liderët serbë stërbetohen me zë të lartë kudo se nuk do ta njohin Kosovën, kur Serbia armatoset dhe bën provokime, kur mban anën e Rusisë dhe kryen veprime të tjera të dyshimta.
Sa i takon Këshillit i Ambasadorëve Shqiptarë, dhe gjatë vitit 2023, ai ka vazhduar përpjekjet dhe demarshet në drejtimet e mësipërme. Krahas deklaratave të shumta, KASH i ka trajtuar ato në të gjitha veprimtaritë e tij, përfshi në takimin me homologët amerikanë dhe në vizitat dhe takimet e përbashkëta në muajin Maj në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup me drejtuesit më të lartë të shteteve e qeverive përkatëse.
Në takimet e zhvilluara nga KASH me kancelari te ndryshme eshte theksuar se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, njohja reciproke, do të forconte paqen e sigurinë në rajon e do të minimizonte ndikimin Rus.
Lugina e Preshevës dhe shkelja sistematike e të drejtave të Shqiptarëve atje, ka qenë dhe mbetet në vëmendjen e KASH dhe një prioritet i veprimtarisë së tij. Gjatë vizitës sonë faktmbledhëse në Luginë në fillim të këtij viti, ndër të tjera, evidentuam vullnetin e munguar të palës serbe në drejtim të respektimit të të drejtave të Shqiptarëve të Luginës, si dhe standartet e dyfishta që Serbia kërkon për minoritetin Serb në Kosovë. KASH ka dërguar letër me sugjerime konkrete për respektimin e të drejtave të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës në KiE, Departamentin Amerikan të Shtetit, në BE, OSBE dhe gjetkë.
Kujtojmë këtu se raportet e DASH, KiE-së, apo të Komitetit të Helsinkit të vetë Serbisë, vendosin alarmin për gjendjen e Shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre legjitime në Luginën e Preshevës, në menyrë të veçantë për “Spastrimin modern Etnik”, nëpërmjet pasivizimit absurd të adresave atje. Medvegja, por dhe Bujanovci dhe Presheva janë duke e vuajtur prej kohësh këtë “shpikje” serbe vetëm kundër një minoriteti në Serbi – atij Shqiptar, autokton në atë zonë.
Gjatë këtij viti dhe në vazhdim, zgjerimi europian drejt Ballkanit Perendimor është ribërë temë qendrore e ditës në politikën e lartë europiane. Ajo ishte në krye të axhendës së Samitit Informal të BE-së në Grenada të Spanjës më 6 Tetor, në Samitin e Procesit të Berlinit më 16 Tetor në Tiranë dhe së fundi në Samitin BE-Ballkani Perendimor më 13 Dhjetor dhe në Këshillin e BE-së më 14 – 15 Dhjetor. Si ”ushqim për mendim“ po shërben studimi i paraqitur nga 12 ekspertë franko -gjermanë mbi shanset, kostot dhe përfitimet përkatëse, i paraprirë nga deklarimi i Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel për një afat indikativ vitin 2030, kur vendet e rajonit të jenë gati për anëtarësim.
Vlerësohet gjerësisht se zgjerimi ka ridalë në skenë me theks të veçantë i diktuar edhe nga interesi emergjent gjeopolitik, pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe drojës se, në mungesë të perspektivës së afërme të zgjerimit, vendet kandidate mund të gjejnë strehë gjetkë.
Padyshim që faktori gjeopolitik sidomos në këtë rast është tejet i rëndësishëm, sidomos për BE-në. Ndaj ajo i është përgjigjur me mesazhe dhe masa të drejtpërdrejta këtij momenti historik. Me 12 paketa sanksionesh kundër Rusisë, qindra miliarda euro ndihma ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, pranimin e saj si kandidate dhe çeljen e negociatave bashkë me Moldavinë, planin e investimeve prej 30 miliardë Euro për Ballkanin, rigjallërimin e Procesit të Berlinit, çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirja e këtyre vendeve në Komunitetin Politik Europian, etj.
Gjithsesi, vlerësojmë se ajo çka kërkohet sot është përshpejtimi i ndjeshëm/i prekshëm i procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perendimor, Ukrainës, Moldavisë dhe ndoshta dhe i Gjeorgjisë.
Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për pengesat e mëdha që vijnë nga vetë/brenda BE për përshepjtmin e këtij procesi. Këtu kemi parasysh gjendjen dhe ”humorin” e publikut mbi zgjerimin në vendet e BE-së. Për fat të keq, zgjerimi nuk është më joshës dhe tërheqës, ai nuk të jep, por të ”vjedh” vota në zgjedhje. Kjo u pa qartë dhe në zgjedhjet më të fundit parlamentare në Spanjë, Suedi, Itali, Sllovaki dhe në Poloni, ku zgjerimi nuk ishte fare në ”menunë zgjedhore”. Po ashtu, në prag të zgjedhjeve europiane 2024, shqetësimi kryesor i zgjedhësve mbetet siguria, niveli i jetesës dhe fuqia blerëse. Nga sondazhet e fundit del se shumica e popullsive në vendet anëtare të BE-së janë kundër këtij zgjerimi me vendet e Ballkanit.
Veç kësaj, ekziston frika në rritje se krahas avantazheve për BE-në dhe përparësisë gjeopolitike, ky zgjerim do të ketë kosto shumë më të mëdha ekonomike, sociale dhe financiare për vendet anëtare të BE-së e sidomos për ato shtete që tani e tutje do të kthehen nga përfitues në kontribues fondesh për BE-në. Mjafton të përmendim se sipas disa llogaritjeve të besueshme paraprake, vetëm procesi i anëtarësimit të Ukrainës në BE gjatë 5 viteve të ardhshme kërkon fonde shtesë prej 186 miliardë euro, ndërsa për Ballkanin Perendimor, Moldavinë dhe Gjeorgjinë 80 miliardë Euro.
Shqetësim tjetër madhor përbën edhe vlerësimi se BE-ja nuk do të mund të funksionojë normalisht me 33 apo 36 anëtare pa ndërmarrë urgjentisht reformat e duhura të brendshme.
Mbështetur në sa më lart, gjykojmë se vendet tona, institucionet shtetëtrore, e gjithë klasa politike duhet të investohen maksimalisht në plotësimin e kritereve të kërkuara.
Në këtë kontekst zgjidhja e mosmarrëveshjetve dypalëshe të vendeve kandidate është një domosdoshmeri si pengesë tjetër serioze në këtë proces. BE-ja shquhet pikërisht për aftësitë e saj për zgjidhjen e ngërçeve me bisedime, pa ultimatum, me lëshime, mirëkuptim, dhe kompromiset e rastit. Ndaj, vendet aspirante duhet ta kenë “vath në vesh” këtë mënyrë veprimi dhe të japin prova.
Veç kësaj, KASH vlerëson se sado e rëndësishme të jetë gjeopolitika, ajo nuk jep efektet saj, madje kthehet në bumerang për procesin e anëtarësimit nëse nuk shoqërohet me meritat e secilit vend në drejtim të ecurisë së krijimit të shtetit funksional të së drejtës, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës; liderët e BE-së e theksuan dhe në Tiranë më 16 Tetor se nuk do të falin më pa përparime cilësore në këto fusha.
Gjithashtu, ”fryma por dhe gërmat” e BE-së kërkojnë që të gjitha projektet dhe nismat ligjore të përputhen plotësisht dhe vazhdimisht me korpusin ligjor europian, duke hequr dorë nga konceptet sovraniste.
Tashmë BE-ja nuk dëgjon dhe ca më pak beson në deklarimet politike. Ajo sheh rezultatet e skanimit që po i bën të gjitha vendeve, përfshi vendit tonë, ku ka goxha problematika. Në shumë pika jemi mbi, në të tjera nën mesataren, por gjithandej me hendeqe dhe boshllëqe, që duan kohë të riparohen. BE-ja kërkon detyrimisht që këto kushte dhe riparime të realizohen gjatë negociatave dhe pa pritur anëtarësimin në BE.
KASH i bën thirrje shumicës, por dhe opozitës – të gjithë duhet sa më parë të krijojmë klimën, terrenin dhe frymën europiane të një vendi që me të vërtetë aspiron të bëhet sa më shpejt pjesë e BE-së. Tashmë me një paradigmë krejt të re cilësore, duke ofruar e dhënë, e jo vetëm vetëm duke kërkuar.
Së fundi, edhe pse për shkaqe të njohura, jo vetëm nuk u bë e mundur çelja e grup kapitujve të parë të negociatave me vendin tonë, por dhe nuk u caktua asnjë datë, kjo nuk do të thotë të çmobilizohemi duke nënvleftësuar apo dhe injoruar datat dhe afatet. Askush nuk na pengon të realizojmë objektivat etapë pas etape duke filluar qysh tani, duke shmangur konfliktet e brendshme dhe me vendet fqinje. Kjo me siguri do ta përshpejtojë procesin.
Diskutimet dhe parashikimet lidhur me fatin dhe kohëzgjatjen e luftës në Ukrainë, mundësitë reale për paqe apo skenarë të tjerë vazhdojnë. Hamendësimet e ndryshme në këtë fushë i përgënjeshtroi sërish më 9 nëntor gjatë vizitës së tij në Berlin Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Ai paralajmëroi Aleancën Perëndimore që “të përgatitet për një luftë që nuk dihet se sa mund të zgjasë”, duke garantuar ndihmë dhe mbështetje të vazhdueshme ekonomike, diplomatike dhe sidomos ushtarake për Ukrainën, sepse vetëm kështu “Putini do të bindet se nuk mund të fitojë dot as në fushën e luftimeve”.
Gjithsesi, pas tensionimit të situatës në Ballkanin Perendimor dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme, është vërejtur një shmangie dhe pakësim i vëmendjes nga Ukraina, megjithë premtimet se ndihmat perendimore ndaj saj “do të vijojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme“. Këtë fakt e konfirmoi vetë Kievi, duke njoftuar shtyrjen për në shkurt të Samitit që do ta mikpriste në nëntor kushtuar solidaritetit me Ukrainën. Sigurisht që këto spostime dhe dinamika të reja edhe mund të krijojnë disa lehtësi gjeopolitike për Rusinë.
Zgjatja pa afat e agresionit rus dhe për pasojë e luftës në Ukrainë shkaktohet nga pamundësia e arritjes në tryezën diplomatike të një armëpushimi dhe paqeje, ndonëse flitet e premtohet shumë dhe nismat e projektet në këtë drejtim nuk mungojnë; Kina, Brazili, vendet afrikane, vetë Ukraina dhe Rusia kanë dalë me projektet e tyre të paqes, të cilat janë diskutuar në Kiev, Moskë, Uashington, Bruksel dhe në metropole të tjera ndërkombëtare deri ditët e fundit.
Në fakt këto nisma, më shumë se sa realizimin e një paqeje të vërtetë, lançohen për efekte të brendshme zgjedhore, për protagonizëm diplomatik, për të qenë “politikisht në rregull“, dhe, në më të mirën e rasteve, jo më shumë se “një dëshirë e mirë“. Sepse realizimi i një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme me Putinin është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kushti i panegociueshëm është që Rusia të ndërpresë agresionin, të tërhiqet nga territoret e pushtuara më 2014 dhe 2022, si dhe të japë garancitë e duhura se nuk do të përsërisë më sulme të tilla të paprovokuara, diçka e pamundur për Putinin. Veçanërisht tani, që ai nxitet dhe nga disa suksese ushtarake dhe një farë tërheqje e Ukrainës në mbrojtje, është shprehur hapur kundër negociatave për paqe.
Nisur nga sa sipër, ndihma dhe mbështetja e plotë dhe e gjithanshme për Ukrainën vazhdon të mbetet kërkesë përparësore, edhe për t’i treguar Rusisë se Perëndimi e ka shumë seriozisht dhe se do ta mbështesë Ukrainën në të gjitha drejtimet – duke mbrojtur Ukrainën mbrohen gjithë vendet e tjera sovrane dhe demokratike.
Këtë ide e përforcoi në nëntorin e kaluar dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, kur deklaroi se “nuk ka vend për lodhje në ndihmën për Ukrainën, sepse ajo mbron vlerat dhe sigurinë europiane“.
Lajm i mirë për Ukrainën është rekomandimi i Komisionit Europian i datës 8 Nëntor për çeljen e negociatave të anëtarësimit, i cili u miratua (jo pa vështirësi) në Samitin e BE-së më 14 Dhjetor. Gjithsesi, rruga deri në anëtarësimin e saj në BE do të jetë e gjatë, e mundimshme dhe plot kthesa e të panjohura. Faktori vendimtar do të jetë fati i luftës.
Përfundimisht, në krye të axhendës politike, ushtarake dhe diplomatike të Ukrainës dhe Perëndimit qëndron lufta, përparimi në frontin ushtarak dhe vazhdimi i ndihmës ndërkombëtare për fitoren e plotë me çdo kusht dhe realizimin e një paqeje të qëndrueshme, që të garantojë stabilitet, siguri dhe begati për të gjithë.
Në të gjithë veprimtarinë e tij diplomatike, KASH ka mbështetur dhe mbështet Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, përshpejtimin e rrugëtimit të saj eurointegrues. Mbështetja pa kushte e pa kompromis për Ukrainën është udhërrëfyes në veprimtarinë tonë.
Siç dihet, më 7 Tetor 2023 bandat terroriste të Hamasit bënë reprezalje, vranë 1200 civilë të pafajshëm, plagosën qindra të tjerë si dhe morrën e mbajtën peng 240 civilë të pafajshëm në territorin e Gazës. Me të drejtë konsiderohet ”11 shtatori i Lindjes së Afërme” jo vetëm se deri tani ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima civilë të pafajshëm, ndërmjet tyre shumica gra dhe fëmijë; por, mbi të gjitha, për pasojat e shumta në gjeopolitikën planetare, për shkak të rëndësisë strategjike të këtij rajoni për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë botën.
Ndryshe nga lufta ndaj ISIS, ku në përgjithësi pati një kohezion mbarëbotëror, zgjidhjen e lëmshit të sotëm gjeopolitik e pengon pikërisht mungesa e një fronti unik ndërkombëtar për shkak të përçarjeve të brendshme dhe të jashtme, parimeve dhe interesave të papajtueshme brenda, jashtë dhe midis tyre.
Plani i Paqes i propozuar më 13 nëntor nga Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Borrell është hapi i parë, tejet i vështirë dhe pa shumë shpresa, duke ditur ndarjet brenda BE-së. Me shumë mundime, në takimin e tyre më 13 nëntor, ministrat e jashtëm ranë dakord për krijimin e një pauze dhe korridori humanitar për t’i ardhur në ndihmë popullsisë në Rripin e Gazës.
Gjithsesi, për shumë arësye të njohura e historike, BE-ja nuk bën dot më shumë se sa të shpërndajë ndihma humanitare dhe të bëjë deklarime e vizita politike.
Në Perëndim, problemi tjetër i madh është ndarja e opinionit publik në vendet Europiane, dukshëm në favor të Palestinës. Shfaqjet anti-semite në 4 muajt e fundit janë trefishuar në Gjermani, Francë, Britani, por dhe në SHBA, dhe gjetkë.
Pas 7 Tetorit, jemi dëshmitarë të një rikthimi të fuqishëm të Administratës amerikane në atë rajon, nëpërmjet vizitave të shumta të udhëheqësve më të lartë amerikanë, forcimit sinjifikativ të pranisë ushtarake në rajon e mesdhe, etj.
Injorimi në të kaluarën e afërt të faktit se në thelb të konfliktit izraelito-palestinez nuk janë tregtia dhe ekonomia, por sfondi dhe konfliktet historike dhe politikat e gabuara, bën që SHBA-të tashmë duhet të veprojnë në rrethana dhe terrene shumë më të pafavorshme.
Perëndimi ka përballë shumë shtete dhe blloqe të lëkundur dhe kundërshtarë, çka ia vështirëson së tepërmi punën.
Këto përplasje dhe mosmarrëveshje po pasqyrohen dhe në OKB, e cila po tregon paaftësinë e saj për menaxhimin e gjendjes, le më pastaj si garante e sigurisë dhe paqes. Më 15 nëntor, Këshilli i Sigurimit miratoi mes shumë debatesh rezolutën mbi krijimin e korridoreve disaditore për qëllime humanitare. Ndonëse detyruese, Izraeli deklaron se nuk do ta zbatojë atë rezolutë, sepse u shërben miliantëve të Hamasit.
Në krijimin e një situate të tillë përshkallëzimi konflikti e lufte, ku vijojnë të vriten çdo ditë qindra viktima të pafajshme, dhe, veçanërisht e pamundësisë për të gjetur një zgjidhje paqësore, sigurisht nuk mund të injorohen edhe problematikat e shumta në qeverisjet përkatëse në Tel Aviv dhe Ramallah.
KASH vlerëson se thelbi për një zgjidhje definitive të këtij konflikti shekullor mbetet pranimi dhe realizimi i politikës ”së dy shteteve”, bashkë me krijimin e masave të besimit dhe sigurimit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, shmangien e dhunës dhe vendosjen e Rripit të Gazës, krahas Bregut Perendimor, nën administrimin e shtetit të ardhshëm të Palestinës. Siç deklaroi dhe Presidenti Biden, mbas qetësimit të gjendjes, Izraeli duhet detyrimisht të largohet nga Gaza.
Me ftesë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), një delegacion i zgjeruar i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë (KAA), i drejtuar nga Presidenti i këtij Këshilli Ambasadori Timothy Chorba, ishte për një vizitë një javore (7-13 Maj 2023), faktmbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, për tu njohur me zhvillimet e proceseve demokratike, të integrimeve euroatlantike, si dhe praninë dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin tonë.
Për tu theksuar se:
* * *
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë të ndjekë me kujdes zhvillimet në rajon dhe jo vetëm. KASH do të punojë me përkushtim në funksion të misionit për të cilin jemi themeluar – në mbështetje të politikës sonë të jashtme kombëtare dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve kudo që ata janë e jetojnë.
Prej vitit 2018 kur Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u themelua si një organzatë mbarë-kombëtare, kemi zënë një hapësirë jo vetëm të besueshme, por edhe të pa konkurueshme në politikën tonë të jashtme. Qindra mijëra vizitorë të faqes sonë zyrtare, marrëdhëniet shumë të mira me të gjtha misionet diplomatike në kryqytetet tona janë dëshmi e kësaj.
Ne i jemi mirenjohës Bordit të Nderit dhe atij Këshillues, si dhe kujtdo që na ka mbështetur në rrugëtimin dhe misionin tonë. Në mënyrë të veçantë, i jemi mirënjohës Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, vizita e të cilit pati një jehonë të madhe në rajonin tonë.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors