Menu

Mirësevini në Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë !

0 Comments

Mesazh nga Presidenti i CAA, Z. Besnik Mustafaj : Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një organizatë e pavarur, jo fitim prurëse, themeluar së fundmi nga një grup ish- ambasadorësh, sipas modelit që kanë organizatat e tilla në vendet demokratike. Në përputhje me ligjin shqiptar, ky Këshill do të jetë një shoqatë e hapur për antarësim të të gjithë atyre që kanë dëshirë dhe plotësojnë kushtet e parashikuara në statut. Anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve duhet të kenë mbajtur të paktën për një mandate postin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë ose të kenë qënë diplomatë të lartë, me funksione drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme për më shumë se pesë vjet. Të drejtën për t’u antarësuar në këtë Këshill e kanë edhe ish – ministrat e jashtëm.

Po mbushen 28 vjet që Shqipëria u shkëput nga e kaluara e një regjimi stalinist, i cili na kishte izoluar nga bota e lirisë dhe demokracisë. Kjo për ne do të mbetet si periudha e korrigjimit të gabimeve të mëdha të historisë. Vendi ynë u bashkua më në fund me vlerat perëndimore. Marrëdhëniet ndërkombëtare filluan nga pika zero për të hyrë në një rrugë të re, që ishte rruga e bashkëpunimit, e solidaritetit, rruga e integrimit euro – atlantik. Sot Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës, anëtare e Nato- s, vend kandidat për në Bashkimin Eurpoian dhe qytetarët shqiptarë gëzojnë të drejtën e qarkullimit të lirë, pa viza, në hapësirën Schengen. Të gjitha sondazhet tregojnë se shoqëria shqiptare, krahasuar me vendet e tjera ish – komuniste, mbetet thellësisht pro – europiane, me mbi 90 për qind në mbështetje të objektivit strategjik të intëgrimit.

Pavarësisht alternancave politike të pushtetit, ky objektiv ka qenë gjithë kohën pika e bashkimit të shumicës qeverisëse me opozitën.

Gjatë kësaj periudhe është afirmuar një trupë diplomatike shqiptare me vizion rrënjësisht të ri, me mendje të hapur, përkushtim të lartë ndaj interesave jetike të atdheut dhe shumë e aftë të përballojë sfidat e vështira dhe dinamike të integrimit. Brenda kësaj trupe diplomatike, sigurisht që ambasadorët kanë mbajtur një peshë të veçantë.

Për arsye të moshës, por shpesh edhe për arsye të vendimeve politike të pushtetit të radhës, shumë nga këto personalitete që kanë mbajtur me nder mandatin e përfaqësimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, janë tashmë jashtë sistemit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky fakt nuk e zhvlerëson aspak përvojën e tyre të pasur në fushën e politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare e as nuk e ul përkushtimin e tyre ndaj interesave jetike të atdheut.

Despite political rotation, this goal has always been the uniting point between the ruling majority and the opposition.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u themelua pikërisht me qëllimin e mirë për të vënë përvojën e çmuar të këtyre personaliteteve në shërbim të kauzës së integrimit të pakthyeshëm. Ne, ish – ambasadorët, duam të jemi të dobishëm për vendin tonë. Asgjë më shumë.

Sigurisht që anëtarët ë shoqatës tonë kanë secili preferencat e veta politike, të cilat i kanë shprehur dhe do t’i shprehin individualisht sipas dëshirës. Por Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të qëndrojë me vendosmëri jashtë këtyre preferancave. Në qëndrimet e tij publike apo konfidenciale, ky këshill do të udhëhiqet vetëm nga interesa kombëtare specifikisht lidhur me politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit shqiptar, por edhe më gjerë, lidhur me zhvillimet e rëndësishme në vend. Ky Këshill do të jetë vlerësues për arritjet, por edhe kritik për të metat, duke u kujdesur të jetë gjithmonë këshillues dhe sugjerues për zgjidhje më të mira të problemeve.

Fushat e veprimtarisë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë do të jenë të gjera. Ato do të përfshijnë si analizën e historisë së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, me qëllim rivlerësim të traditës së mirë, ashtu edhe analiza të zhvillimeve të ditës, për të ndihmuar në përmirësimin e praktikave dhe të strategjive diplomatike të shtetit shqiptar.
Ne shprehim gatishmërinë tonë për të ndërtuar një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha institucionet e shtetit e posaçërisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ne e vemë përvojen tonë në shërbim të Akademisë Diplomatike, pranë kësaj Ministrie, e cila vepron për kualifikimin e diplomatëve.

Si pjesë specifike e shoqërisë civile shqiptare, ky Këshill dëshiron një dialog të përhershëm e të sinqertë me përfaqësitë diplomatike të vendeve mike si dhe me delegacionet e organizatave ndërkombëtare, të akredituara në Tiranë. Një dialog i tillë do t’i ndihmojë diplomatët miq t’i njohin më mirë Shqipërinë dhe shqiptarët, historinë, kulturën dhe aspiratat e tyre.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vendosë pa vonesë lidhje me organizatat e ngjashme në vendet mike dhe do të përfshihet me kapacitetet e veta në veprimtari të përbashkëta me këto organizata, në dobi të qëllimit tonë të përbashkët për ta mbështetur thellimin e bashkëpunimit midis vendeve tona. Ne do të marrim pjesë aktivisht në programet dhe projektet e organizatave ndërkombëtare, me përparësi Bashkimi Europian, lidhur me Shqipërinë apo me rajonin, me bindje se kontributi ynë do të jetë në të mirë të këtyre programeve dhe projekteve.

Është rasti t’i shpreh një falenderim zemre Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë ne Washington DC, i cili na ka shoqëruar qysh në zanafillë gjatë punës përgatitore për themelimin e organizatës tonë.

Ne jemi te bindur se do kemi bashkepunim te ngushte dhe te qendryeshem me organizata te tilla ne mbare boten me qellimin e vetem per te promovuar vlerat e diplomacise.