Tiranë, 25 Shkurt 2026
Presidentit të Republikës së Shqipërisë
SH.T. Z. Bajram Begaj
I nderuar Zoti President,
Shumica parlamentare, përmes një vendimmarrjeje jokonsensuale dhe pa marrë në konsideratë asnjë zë të arsyeshëm nga njohësit më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe funksionimit të shërbimit të jashtëm shqiptar, miratoi për herë të dytë brenda 10 viteve një ligj të ri për shërbimin e jashtëm të vendit.
KASH ofroi bashkëpunimin e vet, me vërejtje e sugjerime për ndryshimin e Projekt Ligjit, si pranë MEPJ ashtu dhe pranë Komisionit përgjegjës kuvendor, duke kërkuar edhe zhvillimin e një seance dëgjimore në Kuvend, të cilat u refuzuan.
Për këtë arsye, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) po Ju drejtohet përmes kësaj letre të hapur, me besimin se Ju, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, jeni i angazhuar dhe i interesuar që ky ligj t’i shërbejë si çështjes kombëtare, ashtu edhe asaj shtetërore.
Në vlerësimin tonë, ligji i miratuar pa konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë më 19 shkurt 2026, ndër të tjera, cenon rëndë sigurinë juridike të diplomatëve të karrierës, hap rrugë për një politizim të skajshëm të shërbimit të jashtëm në të gjitha nivelet e karrierës diplomatike dhe, në dy dispozita të veçanta, cënon edhe kompetencat Tuaja kushtetuese si President i Republikës.
Në këtë kontekst, me respekt dhe konsideratë të lartë, do të sugjeronim që Ju ta ktheni këtë ligj për rishqyrtim në Kuvend, në mënyrë që shërbimi i jashtëm shqiptar të mos politizohet dhe të mos përkeqësohet më tej. Dëshirojmë të theksojmë se ligji i vitit 2015 ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në këtë drejtim, pasojat e të cilit ndihen ende sot.
Zoti President,
Siç e keni vënë re, vetëm katër ditë pas miratimit, ligji është shkelur hapur. Të gjithë, përfshirë edhe deputetë të shumicës parlamentare në Komisionin për Evropën dhe Politikën e Jashtme, kanë mbetur të habitur kur janë informuar për një propozim për përfaqësimin e vendit në nivelin e Ambasadorit/Amabasadores, i cili përbën shkelje flagrante të çdo parimi të funksionimit të administratës shtetërore, të çdo norme diplomatike, politike, etike dhe protokollare në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndërmjet shteteve.
Kjo është një dëshmi tjetër se si shërbimi i jashtëm shqiptar është dëmtuar dhe është bërë pre e ndërhyrjes të rënda politike. Ky rast përbën një precedent të papranueshëm për çdo vend demokratik, aq më tepër për një vend që synon integrimin evropian.
KASH vlerëson se një shërbim i jashtëm i politizuar në mënyrë ekstreme do të ndikojë negativisht jo vetëm në performancën e përditshme të tij, por mbi të gjitha në frymën, cilësinë dhe mënyrën e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
Zoti President,
Mbetemi me shpresën se ky ligj do të kthehet për rishqyrtim në Kuvend, me qëllim që shërbimi i jashtëm të trajtohet dhe të respektohet si pjesë integrale e shërbimit civil, duke mbrojtur njëkohësisht edhe kompetencat Tuaja kushtetuese.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbetet i gatshëm t’Ju vërë në dispozicion informacion të detajuar mbi dëmin që ky ligj i shkakton shërbimit të jashtëm, si dhe mbi cënimin e kompetencave Tuaja kushtetuese.
Me respekt,
President i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors