Tiranë, 15 prill 2019.
Në vijim të takimeve me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka zhvilluar së fundi takime të veçanta pune me Ambasadorët e Republikës Federale të Gjermanisë Susanne Schutz dhe Ambasadorin e Britanisë së Madhe Duncan Norman.
Këto takime janë pjesë e aktiviteteve që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë zhvillon me Ambasadorët e akredituar në Tiranë me qëllim shkëmbimin e vlerësimeve mbi zhvillimet rajonale e ndërkombëtare, politikën e jashtme të Shqipërisë, sfidat e integrimit në BE dhe angazhimet në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe lidhur me situatën politike në vend.
Ambasadorët u njohën me opinionet e anëtarëve tanë duke vlerësuar si shumë të çmuar informimin për çështje që kanë rëndësi madhore për Shqipërinë. Ata vlersuan rolin e pazëvendësueshëm të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë në këtë drejtim, si dhe shprehën gadishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në mënyrë konstante për të kuptuar më mirë dinamizmin e zhvillimeve në vend dhe në rajon.
Ambasadorët Schutz dhe Norman njohën antarët me priorietet e vendeve të tyre në marrëdhëniet me Shqipërinë, si një aleat i vyer, si dhe shprehën angazhimin për mbështetje në rrugëtimin e saj drejt integrimit Evropian.
Në një periudhë të shkurtër, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, në përbërjen e të cilit janë ish-Ministra të Punëve të Jashtme, ish-Ambasadorë dhe antarë të trupës tonë diplomatike, është bërë një zë i rëndësishëm dhe me ndikim në qarqe të ndryshme diplomatike.
Të gjitha deklaratat e KASH janë publike. Ato janë të mirëpritura në të gjithë kancelaritë e partnerëve tanë Evropiane dhe në SHBA, pasi shërbejnë si referenca të sakta të zhvillimeve të ndryshme politike e diplomatike me rëndësi për vendin dhe kombin.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors