25 Janar, 2024.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë organizoi një drekë mirëseardhjeje me Ambasadoren e re të Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Saj Pang Chuxue, në kuadër të fillimit të misionit të saj diplomatik.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e uroi diplomaten e lartë kineze për fillimin e misionit në vendin tonë, duke i uruar suksese dhe punë të mbarë në forcimin e mëtejshëm të komunikimit midis dy vendeve.
Duke ju referuar miqësisë së hershme midis dy vendeve, u theksua se ekziston një bazë solide tradite dhe mirëkuptimi për shkëmbime më intensive dhe të institucionalizuara në fushën e ekonomisë, kulturës, turizmit si dhe në fusha të tjera me interes reciprok.
Shqipëria ka vlerësim të veçantë për arritjet në të gjitha fushat nga Republika Popullore e Kinës, dhe në vazhdim, ky vlerësim do të fitojë përmasa më të mëdha në se diplomacia kineze lëviz me dashamirëse ndaj shtetit të Kosovës, duke bërë hapa praktikë që çojnë në njohjen e saj përfundimtare. Një rrugë efektive do të ishte në fillim njohja e dokumenteve të Kosovës.
Shqiptarët janë një komb i shtrirë në disa shtete dhe ne ndjehemi si një të tërë mes vetes sonë dhe e konsiderojmë shumë të rëndësishëm kur edhe miqtë e partnerët tanë na vlerësojnë pa dallim pavarësisht kufijve gjeografikë.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme dhe veçanërisht të situatës në Ukrainë, si rrjedhojë e agresionit rus, mundësisë së arritjes së paqes atje dhe qëndrimit/rolit të Kinës, si një anëtar i përhershëm i KS të OKB-së.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors