Tiranë, 13 Nëntor 2025
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) përshëndet publikimin e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë të mbajtura më 11 maj 2025. Duke falënderuar misionin për vëzhgimin e kujdesshëm, KASH ndan plotësisht shqetësimet e tij për disa çështje sistemike që, në vlerësimin tonë, nuk i përmbushin standardet zgjedhore të pritshme për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Raporti evidenton kushte të pabarabarta dhe një fushë loje jo të drejtë; keqpërdorim të burimeve shtetërore; presione mbi administratën publike dhe votuesit; si dhe një numër të konsiderueshëm akuzash për blerje votash apo praktika klienteliste, që minojnë besimin e publikut dhe ngrejnë pikëpyetje mbi barazinë dhe integritetin e garës elektorale.
Mungesat në kuadrin ligjor, mungesa e llogaridhënies dhe transparencës; media që nuk mundësoi një shkëmbim të vërtetë idesh dhe u karakterizua nga vetëcensura dhe pluralizëm i kufizuar; mungesa e fshehtësisë së votës, votimi në grup dhe parregullsitë procedurale, janë ndër çështjet e theksuara.
Siç theksohet edhe në raport, për rrugën drejt Bashkimit Evropian, Shqipëria duhet të sigurojë që shteti i së drejtës, llogaridhënia dhe transparenca të mos jenë vetëm në letër, por të funksionojnë realisht në praktikë.
Në këtë kuadër, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se më e rëndësishme dhe me vlerë sesa ndërmarrja e një tjetër reforme të gjerë zgjedhore do të ishte angazhimi dhe vullneti i klasës politike për të zbatuar ligjet ekzistuese në frymë dhe në shkronjë.
Veprimet dhe përpjekjet për të ndryshuar vullnetin politik të qytetarëve janë jashtëzakonisht të vështira për t’u adresuar me reformë pas reforme. Perspektiva dhe përparimi drejt Bashkimit Evropian duhet të jenë mekanizmi i duhur për të ushtruar presionin e nevojshëm mbi klasën politike që ajo të respektojë vullnetin e qytetarëve në zgjedhje dhe të garantojë standardet e kërkuara për një vend që synon t’i bashkohet familjes evropiane të vlerave.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors