Menu

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbi ndryshimet Kushtetuese në Maqedoni.

0 Comments

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet Kuvendin e Maqedonisë për miratimin e paketës se re të ndryshimeve kushtetuese, që siguron zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë.

Republika e Maqedonisë së Veriut ka realizuar një tranzicion të vështirë që nga shpallja e pavarësisë në fillimin e viteve ‘90 e deri sot për ndërtimin e demokracisë dhe integrimin euro-atlantik.

Marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe integrimi në NATO dhe BE do të jenë një garanci më shumë për perspektivën e Maqedonisë dhe shtetasve të saj.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson gjithashtu vendosjen e gjuhës shqipe në statusin e gjuhës zyrtare. KASH përshëndet në mënyrë të veçantë rolin thelbësor që ka luajtur faktori shqiptar në parlament dhe jashtë tij për të siguruar orientimin demokratik dhe perëndimor të Maqedonisë, si dhe për të tejkaluar vështirësitë e brendshme që janë trashëgimi e problemeve të hasura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Maqedonia është një realitet i demokracisë multietnike, brenda të cilit shqiptarët janë faktor shtetformues.

Vendimi që mori Kuvendi i Maqedonisë është një shembull dhe inkurajim edhe për aktorë të tjerë në rajon, për arritjen e marrëveshjeve pajtuese, bashkëpunuese dhe integruese.