Menu

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të bashkëpunojë me Fondin e Ballkanit Perëndimor për promovimin e veprimtarisë të Shoqërisë Civile.

0 Comments

Tirana, 7 Nëntor 2024

Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë i është besuar së fundmi roli drejtues i një projekti rajonal nga Fondi i Ballkanit Perëndimor. Projekti do të sigurojë aftësi diplomatike për përfaqësuesit e Shoqërisë Civile nga rajoni ynë.

Në partneritet me Këshillin e Ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut, Këshillin Atlantik të Bosnjës dhe Hercegovinës (ACBiH), Institutin për Zhvillim të Qëndrueshëm Demokratik në Kosovë dhe Horizontin e Ri në Mal të Zi kemi hartuar një agjendë gjithëpërfshirëse për përfaqësuesit e OSHC-ve të të gjitha niveleve.

Në zbatim të projektit, do të organizohen dy workshope. I pari do të zhvillohet në Shkup, Maqedonia e Veriut, më 22 dhe 23 janar 2025, e ndjekur nga takimi në Tiranë, më 6 dhe 7 shkurt 2025.

Programi dy-ditor do të synojë të pajisë përfaqësuesit e shoqërisë civile me aftësitë dhe teknikat e nevojshme për komunikim efektiv diplomatik, duke u mundësuar atyre të angazhohen në mënyrë produktive me zyrtarët qeveritarë, organizatat ndërkombëtare dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një kontekst kombëtar dhe ndërkombëtar.

Sapo kemi përfunduar raundin e parë të takimeve dhe konsultimeve me partnerët tanë në rajon dhe së shpejti do të ofrojmë linkun online për thirrjet për pjesëmarrësit, si dhe agjendën dhe vendin ku do të zhvillohen aktivitetet.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të përfitojë nga ky rast të falenderojë Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian për mundësinë për të kontribuar me përvojën tonë të gjerë në forcimin e dialogut me shoqërinë civile për rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në takimet tona në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Malin e Zi jemi dakordësuar që të vazhdojmë bashkëpunimin edhe në të ardhmen, mbi parimet e respektit dhe besimit reciprok dhe të zgjerojmë partneritetet në aktivitetet tona, duke përfshirë edhe organizata të tjera të vendeve tona fqinje dhe më gjerë.