Menu

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë, Raporti i Misionit të Ballkanit

0 Comments

7-14 maj 2023

Në maj 2023, një delegacion prej dhjetë anëtarësh të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë (CAA), i shoqëruar nga disa bashkëshortë, të ftuar dhe staf, udhëtoi me mision në Ballkanin Perëndimor, konkretisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Qëllimi i delegacionit ishte të vlerësonte progresin, problemet dhe çështjet me të cilat përballen këto demokraci të reja pothuajse një çerek shekulli pasi ndërhyrja e NATO-s në Luftën e Kosovës 1998-1999 ndaloi “spastrimin etnik” të Kosovës nga Serbia dhe detyroi atë të tërhiqej nga ky rajon me shumicë dërrmuese shqiptare, pothuajse gjashtëmbëdhjetë vjet pasi Presidenti Xhorxh W. Bush deklaroi se Kosova duhet të jetë e pavarur dhe tre vjet pasi Maqedonia e Veriut u pranua në NATO pasi kapërceu kundërshtimet greke lidhur me emrin e republikës.

Vizita u realizua me ftesë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, i cili është partner i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë. Pa kontaktet dhe ndihmën e tyre, misioni nuk do të ishte i mundur.

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë i është thellësisht mirënjohës Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe anëtarëve dhe homologëve të tij të shumtë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut që kontribuan në suksesin e misionit.

 Gjetjet:

  • Të tre këto vende ballkanike janë jashtëzakonisht të prirur ndaj Shteteve të Bashkuara, gjë që nuk është për t’u habitur kur merret parasysh se Shtetet e Bashkuara bënë shumë për të siguruar lirinë dhe pavarësinë e tyre.
  • Secili prej këtyre vendeve ka bërë hapa mbresëlënës drejt ekonomive të begata, funksionale, më të larmishme dhe me sektorë privatë në rritje që zëvendësojnë dekadat e dominimit total shtetëror të veprimtarisë ekonomike nën komunizmin totalitar.
  • Të tre vendet gëzojnë demokraci funksionale që sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një ndarje të pushteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, por funksionimi dhe ekuilibri i sistemeve demokratike të këtyre kombeve janë ende subjekt i tensioneve nga problemet e brendshme dhe fërkimet me fqinjët mbi pakicat etnikë brenda kufijve të tyre.
  • Të tre vendet janë të interesuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) si mundësi për zhvillimin ekonomik, komplementare me garantimin e sigurisë që anëtarësimi në NATO ofron për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut — dhe që Kosova ende e dëshiron.
  • Megjithatë, fraksione të ndryshme të anëtarëve ekzistues të BE-së kanë shqetësime për praktikat e brendshme demokratike të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe/ose fërkimet me fqinjët e tyre, dhe këto shqetësime krijojnë arsye – ose justifikime – për të zgjatur proceset e aplikimit, shqyrtimit dhe pranimit eventual në BE për këto shtete relativisht të vogla dhe ekonomikisht të brishta.
  • Mundësia që fërkimet etnike ndërkufitare me vendet fqinje mund të përshkallëzohen në luftime ndërkufitare, u jep anëtarëve të BE-së skeptikë ose të kujdesshëm edhe më shumë argumenta/justifikime për të vonuar anëtarësimin në BE për këto shtete ballkanike.
  • Ekziston gjithashtu një frikë midis këtyre demokracive më të vogla ballkanike se Serbia, fqinji i tyre relativisht i madh (dhe shpesh antagonist), mund të shihet nga disa anëtarë të BE-së si një kandidate më e dëshirueshme ose me prioritet më të lartë për pranimin në BE, megjithëse Serbia shpesh dyshohet si proxi për mikun dhe aleatin e saj historik, Rusinë. Pranimi i Serbisë mund të zhgënjejë pafundësisht, “të rrisë kushtet e pranimit” ose thjesht të pengojë anëtarësimin eventual të këtyre tre shteteve ballkanike në BE.
  • Në një përpjekje për të demonstruar denjësinë e tyre për anëtarësim në NATO dhe BE, këto republika të Ballkanit Perëndimor kanë qenë aq të afërta sa e lejojnë madhësia dhe aftësitë e tyre të kufizuara në mbështetje të Ukrainës dhe të solidaritetit evropian/NATO në kundërshtimin e pushtimit të Rusisë.
  • Politikëbërësit e SHBA-së dhe udhëheqësit e NATO-s duhet të jenë vigjilentë ndaj ndërhyrjes ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Rusia mund të manipulojë ose të shfrytëzojë marrëdhëniet e saj të ngushta historike me Serbinë ose Bullgarinë për të penalizuar NATO-n dhe BE-në në përpjekjet e tyre për të penguar pushtimin e planifikuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.

 SHQIPËRIA

Ambasadorja e atëhershme Yuri Kim dhe ekipi i saj pritën delegacionin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë në Tiranë për ta informuar rreth situatës në Shqipëri.

Delegacioni u prit dhe morri informacione edhe nga Presidenti i sapozgjedhur Bajram Begaj, nga Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Mimi Kodheli, nga liderë të ndryshëm të partive opozitare shqiptare [nga të dy palët e Partisë së ndarë Demokratike dhe nga Partia e Lirisë], si dhe nga liderët politikë shqiptarë nga Mali i Zi.

Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të tij nuk iu pergjigjën ftesës tonë për takim. Është e vështirë të përcaktohet nëse kjo ishte për mungesë kohe apo për të anashkaluar çdo gjë kritike që mund të dilte nga misioni ynë. Gjithësesi, kryeministri Rama mbeti temë e vazhdueshme e bisedës në pothuajse të gjitha takimet tona.

Shqipëria doli nga më shumë se katër dekada sundimi brutal Stalinist nën udhëheqësin e Partisë Komuniste Enver Hoxha, i cili vdiq në 1985. Vendi ishte i ngecur në zhvillimin e tij ekonomik dhe politik, por i etur dhe duke punuar me zell për t’u modernizuar.

Ato vite varfërie dhe vështirësie, frike dhe represioni të regjimit Hoxha manifestohen fizikisht në mungesën e dukshme të ndërtimit modern të Tiranës nga ajo periudhë, përveç sheshit qendror Skënderbej.

Tani, ndërtimet e larta në bulevard dhe trafiku i Tiranës drejtojnë shoqërinë moderne që shqiptarët aspirojnë të ndërtojnë. Disa dyshojnë se ndërtimet e larta në qytet janë produkt i pastrimit të parave të krimit, veçanërisht pasi krimi i organizuar, rrjetet e trafikut të drogës dhe korrupsioni janë bërë shenjat dalluese të Shqipërisë postkomuniste. Këto probleme endemike po dëmtojnë demokracinë elektorale të Shqipërisë.

Kryeministri Rama dhe Partia e tij Socialiste e Shqipërisë tani gëzojnë monopolin e qeverisë qëndrore dhe vendore.

Partia Demokratike dikur në pushtet bëri një sërë llogaritjesh të gabuara dhe braktisi vendet parlamentare në favor të bashkimit me protestat e rrugës në 2017 dhe më pas bojkotoi zgjedhjet lokale të 2019-ës që pretendonte se ishin të manipuluara.

Vizita jonë përkoi pak dite para zgjedhjeve lokale dhe Partia Demokratike po luftonte për të fituar disa mandate, por u dëmtua keq nga ndarjet e brendshme. Besohet që partia e Ramës ka ndikuar dhe financuar përcarjen.

Në maj 2021, Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken mori këshillën e Ambasadës së SHBA dhe shpalli ish-presidentin shqiptar (1992-1997) dhe ish-kryeministër (2005-2013) Sali Berisha – i cili drejtoi qeverinë e parë postkomuniste të Shqipërisë dhe vendosi vendin në një rrugë demokratike – si të përjashtuar përgjithmonë nga e drejta për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, sipas nenit 7031(c) i Aktit të Departamentit të Shtetit, të vitit 2021, që i jep Sekretarit Blinken dhe Sekretarëve të ardhshëm të Shtetit fuqinë për të përcaktuar/penalizuar një individ dhe familjen e tij/saj në bazë të provave të paraqitura për aktivitet kriminal ose korrupsion me vendimarrje me dyer të mbyllura, pa asnjë mundësi apelimi.

Mbretëria e Bashkuar ndoqi shembullin dhe Berisha pranoi në mesin e vitit 2022 se nuk kishte më të drejtë të vizitonte Mbretërinë e Bashkuar.

Nisur nga kjo, Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, e përjashtoi Berishën nga partia, duke çuar në një ndarje në partinë kryesore opozitare përpara zgjedhjeve bashkiake.

Disa anëtarë të delegacionit tonë pyetën nga afër ambasadoren Kim dhe anëtarët e ekipit të saj në lidhje me vendimin për të përjashtuar Berishën nga Shtetet e Bashkuara dhe kohën e vendimit duke kërkuar:

  • se cilat prova mund të justifikojnë një veprim të tillë gjithëpërfshirës dhe përfundimtar kundër një politikani dikur të afërt me Shtetet e Bashkuara;
  • informacione nëse këta persona të akuzuar kanë pasur ndonjëherë akses në mekanizmat për kundërshtimin e akuzave ose provave;
  • nëse ndërhyrja, mbështetja dhe favorizimi në zgjedhje ishte bërë tërësisht në këshillimin e Sekretarit Blinken;
  • nëse kishte precedentë për aplikimin e kësaj politike në raste të ngjashme.

Ambasadorja Kim dhe stafi i saj na siguruan se provat që mbështesin përcaktimin ishin thelbësore, por na thanë me vendosmëri se nuk mund të ndajnë me ne asnjë prej tyre.

Ata gjithashtu pranuan se procesi ishte një përcaktim tërësisht diskret, i përjashtuar nga mundësia për ta kundërshtar dhe pa të drejte apelimi. Kjo është shumë e pazakontë, nëse jo unike, në jurisprudencën amerikane.

Simpatizantët e Berishës u ankuan se përcaktimi i tij ishte i ngjashëm me një proces arbitrar/mesjetar, antitezë e traditës amerikane të një procesi të rregullt ligjor.

Ambasadorja Kim u shpreh se lufta kundër korrupsionit ishte e një rëndësie kaq thelbësore për politikën e SHBA-së dhe e një prioriteti kaq të lartë, saqë zyrtarët e administratës së Biden e konsideruan të rëndësishme të bënin një shembull dikë me profil të lartë si Berisha për të nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin ose imun kur bëhet fjalë për krimet dhe korrupsionin.

Berisha është 79 vjeç dhe mund të konsiderohet se po i afrohet fundit të jetës së tij politike, gjithsesi një figurë politike e pazëvendësueshme për disa, por nuk është mënyra amerikane e drejtësisë që të bëjë shembull apo të dënojë dikë pa provuar me fakte fajësinë e tij. Kjo do të ishte më e ngjashme me shprehjen kineze për “vrasjen e pulave për të trembur majmunët”.

Berisha ka ngritur padi në Francë kundër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së dhe ai përfaqësohet pro bono nga një lobist i shquar i Uashingtonit.[1]

Pas dekadash sundimi të ngurtë dhe mizor Stalinist, Shqipëria është një komb me një afinitet të fortë për Shtetet e Bashkuara. Ky aspekt i referohet Presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, në të cilën ai vlerësohet se u ngrit për një Shqipëri të pavarur kur fuqitë e tjera u përpoqën ta ndanin në pjesë, pas rënies së Perandorisë Osmane pas Luftës së parë Botërore.

Kushtetuta e Shqipërisë e ngarkon qeverinë shqiptare që të mbrojë dhe të veprojë për të promovuar mirëqënien e shqiptarëve edhe jashtë kufijve të vendit – përqendrimi më i madh dhe më i afërt janë shqiptarët në Kosovën fqinje.

Afiniteti i Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara u forcua më tej nga deklarata e Presidentit George W. Bush në vitin 2007 – në një udhëtim të parë ndonjëherë në Shqipëri nga një president amerikan se Kosova duhet të jetë e pavarur. Që atëherë, shqiptarët kanë mbështetur/përgëzuar përparimin domethënës, ndonëse ende të paplotë, të Kosovës drejt njohjes ndërkombëtare të sovranitetit dhe pavarësisë së saj.

Partitë e ndryshme opozitare të Shqipërisë paraqitën gjatë takimeve tona një sërë ankesash kundër qeverisë së Edi Ramës.

Kundërshtarët thanë se partia e tij monopolizon pushtetin; blen kundërshtarët; përdor pushtetin qeveritar për të mbytur opozitën dhe për të ndëshkuar ekonomikisht kundërshtarët; po përdor reformën gjyqësore për të politizuar gjykatat dhe për të dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit [2]; dhe ka lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe përfitime prej tij.

Sigurisht roli i opozitës është të bëjë opozitë, kështu që pak nga këto pretendime ishin befasuese, por ato na kujtuan se si dyshimet e BE-së për qëndrueshmërinë e demokracisë së Shqipërisë dhe problemet e ndërthurura të krimit dhe korrupsionit po pengojnë përparimin drejt një prej synimeve kryesore të vendit: anëtarësimin në BE.

 KOSOVA

Udhëtimi ynë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, përfshinte një ndalesë në qytetin historik të Prizrenit për një drekë me kryetarin e komunës Shaqir Totaj dhe personalitete të tjera vendore dhe një vizitë në Bashkinë e qytetit. Anëtarët e delegacionit patën një përshtypje shumë të mirë për zyrtarët kosovarë pas këtij takimi të parë. Kryebashkiaku Totaj është relativisht i ri, energjik, imagjinativ, i përkushtuar dhe i shkathët dhe ka një vizion të qartë dhe pozitiv për komunitetin të cilit i shërben.

 Në Prishtinë, delegacioni ynë u takua me:

  • Ambasadori i SHBA-së Jeffrey Hovenier dhe ekipi i tij të ambasadës;
  • Kryeministri Albin Kurti;
  • Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja për Punët e Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gervalla Schwartz;
  • Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca;
  • Kryetari i Prishtinës Përparim Rama;
  • Liderët e të gjitha partive kryesore opozitare (PDK, ADK, AAK);
  • Udhëheqësit e komunitetit të pakicës serbe; dhe
  • Udhëheqësit e komunitetit të pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës në Serbi.

Ne vizituam gjithashtu forcat e ushtrisë amerikane të stacionuara në kampin Bondsteel, ku dëshmuam dhe u informuam për punën krenare të ushtarakëve, burrave dhe grave amerikane që kishin strehuar dhe mbështetur rivendosjen e refugjatëve afganë. Kampi Bondsteel shërben si një nga qendrat e pritjes në Evropë për këta refugjatë.

Kujdesi i treguar edhe për nevojat fetare, dietike, shëndetësore dhe familjare të këtyre njerëzve të zhvendosur tragjikisht ishte vërtet frymëzues. Edhe pse terheqja nga Afganistani ishte tragjike – siç e panë miliona drejtpërdrejt në televizion – puna e trupave amerikane në kampin Bondsteel na bëri krenarë që jemi amerikanë.

 Të gjitha diskutimet tona në Kosovë u rrotulluan rreth dy temave të ndërlidhura:

  • Kërkesa e Kosovës për njohje të plotë ndërkombëtare të sovranitetit dhe pavarësisë së saj dhe, me këtë, anëtarësimin e saj të shpresuar në NATO dhe BE (d.m.th., pranimi i plotë në komunitetin euroatlantik); dhe
  • Sfidat dhe pengesat ndaj atyre synimeve të paraqitura nga pakica serbe e Kosovës, përafërsisht 5% që banon në një pjesë të vogël të qyteteve në veri. Serbia manipulon këtë komunitet dhe çështjet e tij në atë që duket të jetë një përpjekje e vendosur për të nxitur ankesat. Ndonëse mund të pretendojë se po kujdeset për serbët etnikë në Kosovë, qëllimi i Serbisë duket se është të shkatërrojë sovranitetin e Kosovës, ndoshta me shpresën që një ditë ta kthejë nën Serbi këtë krahinë të dikurshme.

Këto tema të ndërthurura duket se formojnë sfondin e politikës së brendshme të Kosovës.

Palët argumentojnë për një qasje më agresive ndaj serbëve të Kosovës dhe Serbisë fqinje, duke lënë në hije dallimet normale partiake mbi politikat e brendshme në ekonomi, buxhete, punë publike, arsim, shëndetësi ose energji.

Të qenit politikan kombëtar në Kosovë duket se përfshin lundrimin midis zgjidhjeve të papërshtatshme në çdo rast: një qëndrim tepër i ashpër dhe pa kompromis me serbët rrezikon njohjen e plotë nga anëtarët e BE-së dhe anëtarësimin eventual në BE/NATO; një pozicion tepër kompromentues dhe akomodues me serbët rrezikon të humbasë mbështetjen e brendshme për politikanët që mbajnë një linjë më të ashpër.

Disa shtete anëtare të BE-së, si Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia nuk kanë gjasa të mbështesin njohjen dhe integrimin e plotë të Kosovës në BE, pavarësisht se çfarë bën Kosova, për shkak të tendencave të pavarura apo aspiratave të fshehta irredentiste në vendet e tyre.  Megjithatë, Belgjika dhe Hungaria, dy kombe të tjera me preokupime të ngjashme e kanë njohur Kosovën e pavarur.

Pastaj, siç u përmend më herët, Kosova shqetësohet se BE-ja mund të llogarisë se Serbia, e cila gjithashtu aspiron anëtarësimin në BE, është çmim më i madh dhe me më interes.

Kjo duket të jetë kriza që e ka prodhuar kryeministrin e Kosovës Kurti, një lider të zgjuar, të ri dhe të aftë, duart e të cilit tani janë disi të lidhura.

Ai u zgjodh me një politikë më nacionaliste, “Në Këmbë për Kosovën”, për t’u ashpërsuar me serbët, gjë që për ironi e bën atë më të prekshëm ndaj provokimeve serbe.

Kjo është pikërisht ajo që ndodhi pas misionit tonë, kur serbët protestuan kundër rezultateve të zgjedhjeve lokale në qytetet e tyre veriore – zgjedhjet që ata i bojkotuan – dhe penguan kryetarët shqiptarë etnikë që u zgjodhën të merrnin detyrën.

Përçarjet, që rezultuan të kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të rivendosur rendin; nxiti Serbinë të ndërhyjë, gjoja për të mbrojtur shtetasit e tyre etnikë të kërcënuar; dhe (në mënyrë të parashikueshme) e detyroi Kurtin të bënte kompromis dhe të riorganizonte zgjedhjet e reja.

Gjetja e një balance është ajo për të cilën bëhet fjalë në politikën e Kosovës. Kushdo që gjen një rrugëdalje nga kjo situatë e nderlikuar, mund të gëzojë një të ardhme të gjatë politike në këtë shtet të sapolindur.

Pothuajse të gjithë politikanët dhe udhëheqësit kosovës me të cilët u takuam ishin seriozë, të përgatitur mirë, të rinj, energjikë dhe në dukje të vendosur për të bërë më të mirën për popullin e Kosovës. Të gjithë dukeshin krenarë dhe te vendosur për mbrojtjen në kushtetutën e Kosovës të të drejtave të pakicave etnike, dhe udhëheqësit duket se i marrin seriozisht këto dispozita dhe nevojat e tyre, ndonëse u dallua një rrymë e fshehtë zemërimi me faktin që pakica serbe i zgjeroi dhe abuzoi me këto të drejta.

Dreka jonë me kryebashkiakun e Prishtinës, Rama ishte veçanërisht mbresëlënëse. Një arkitekt i suksesshëm shqiptar i cili u zhvendos në Kosovë për të ndihmuar në ndërtimin e qytetit, ai ka një vizion të qartë për përmirësimin e shërbimeve të qytetit dhe efikasitetin ekonomik për të mirën e qytetarëve të Prishtinës.

Por, përmes këtyre takimeve, ne zbuluam shenja dyshimi te zyrtarët kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikes, megjithëse nga jashtë, të gjithë dhe gjithçka afirmon miqësinë e fortë të vendeve tona. Në të vërtetë, pothuajse të gjitha sinjalistikat reklamash janë në anglisht dhe shumë peisazhe rrugësh duken më shumë sikur i përkasin Shteteve të Bashkuara sesa Evropës.

Megjithatë, disa zyrtarë të Kosovës treguan privatisht ankthin se Shtetet e Bashkuara mund të jenë shumë të preokupuara nga agresioni rus kundër Ukrainës, armiqësia e Kinës ndaj Tajvanit dhe kriza të tjera ndërkombëtare për të ndihmuar Kosovën nëse Serbia sulmon, pa dyshim me ndonjë pretekst që rrjedh nga ajo pakicë etnike serbe në veri.

MAQEDONIA E VERIUT

Një udhëtim i shkurtër nga Prishtina në Shkup na solli në Maqedoninë e Veriut, ku u takuam me zëvendëskryeministrin Bojan Maricak dhe darkuam me kryeministrin Dimitar Kovacevski. Të nesërmen u takuam me:

  • Zëvendës shefi i misionit Eric Meyer (në vend të ambasadores Angela Aggeler, e cila ishte larguar në udhëtim) ​​dhe ekipi i Ambasadës Amerikane atje;
  • Presidenti Stevo Pendarovski;
  • Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi [3]; dhe
  • Liderët e opozitës Hristijan Mickovski dhe Bilall Kasami.

Në Kosovë ishin serbët; në Maqedoninë e Veriut ishin grekët – pastaj bullgarët!

Maqedonasit e Veriut janë krenarë për pranimin e tyre në NATO tre vjet më parë për shkak të durimit dhe fleksibilitetit për të ndryshuar kushtetutën e tyre për të ndryshuar emrin e vendit të tyre për të adresuar ndjeshmërinë greke mbi emrin “Maqedoni”. Por tani ata janë tepër të ndjeshëm ndaj kërkesave të mëtejshme për të akomoduar pakicat etnike në vendin e tyre dhe sponsorët e tyre fqinjë.

Bullgaria, e cila tashmë është anëtare e BE-së, ka filluar të bëjë zhurmë për të kërkuar mbrojtje të qartë kushtetuese për pakicën etnike bullgare në Maqedoninë e Veriut si çmimin fillestar për anëtarësimin eventual të Maqedonisë së Veriut në BE. (Më tej, shtetet e tjera anëtare të BE-së ka të ngjarë të mos jenë të interesuar për të pranuar një anëtar tjetër të vogël që mund të kërkojë subvencione të konsiderueshme në këtë fazë të trajektores së BE-së.)

Këtu, një pakicë etnike (kjo që supozohet se numëron vetëm disa qindra) me një sponsor ndërkufitar ka të njëjtin efekt shtrembërues në politikën e brendshme në Maqedoninë e Veriut që ka në Kosovë. Meqenëse kushtetuta e Maqedonisë së Veriut tashmë përmban mbrojtje të plotë të të drejtave civile për çdo pakicë etnike, kërkesat etnike të bullgarëve fryhen. Disa pretendojnë se kërkesat shkojnë aq larg sa mohojnë autenticitetin e identitetit kombëtar të maqedonasve, duke i lënë ata në një rritje të etnisë bullgare.

Që kur ndryshimi kushtetues i ndryshimit të emrit të vendit u bë një çështje politikisht nevralgjike, politika e Maqedonisë së Veriut është shndërruar në një kontest mbi atë se kush mund të jetë më i vendosur për t’i rezistuar kërkesave të mëtejshme me bazë etnike. Si rezultat, zbehen çështjet e politikës së brendshme dhe të menaxhimit më tradicional, me rëndësi materiale.

Në një front tjetër, duket se elita politike e Maqedonisë së Veriut e admirojnë presidentin serb Vuçiç, i cili ka lejuar një fluks mediash pro-ruse dhe ka rritur ndikimin për Kishën Ortodokse Ruse në Maqedoninë e Veriut. Presidenti Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut mbështet përfundimin e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që, vlerësoi ai, do të pajtonte rajonin dhe do të hiqte pikën hyrëse për ndikimin rus – në veçanti, ndërhyrjen shqetësuese të shërbimeve të inteligjencës ruse në çështjet politike dhe sociale të Maqedonisë së Veriut, përmes Kishës Ortodokse dhe përmes operacioneve masive të dezinformimit.

Si kryeqyteti i një republike të vogël ballkanike me vetëm 2.06 milionë banorë, Shkupi është çuditërisht mbresëlënës. Statujat gjigante, monumentale të heronjve nga e kaluara e lashtë dhe më moderne e kombit janë kudo në zonën qendrore të qytetit në sfondin e ndërtesave monumentale neoklasike të sapondërtuara.

Kryeqyteti është një mësim i gjallë në gur, bronz dhe ujë për identitetin kombëtar dhe nacionalizmin maqedonas. Këto ndërtime janë vepër e paraardhësve të qeverisë aktuale – me orientim më socialist – e cila kritikohet se ka ndalur ndërtimin e disa ndërtesave të rëndësishme në qendër të qytetit për arsye ekonomike dhe vetëm tani po i rikthen ngadalë këto projekte në binarë. Kjo kritikë ka bërë që opozita e VMRO-DPMNE-së të presë fitoren në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Ne do të shohim në maj 2024, nëse ky është një optimizëm i tepruar.

Konkluzione

Ballkani ka qenë një pikë konflikti në Evropë që të paktën nga fundi i shekullit të 15-të. Osmanët pushtuan tokat gjatë shekujve 16 dhe 17, duke arritur kulmin me heqjen e rrethimit të Vjenës në 1683; Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike shënuan fillimin e shekullit të 20-të; dhe vrasja e vitit 1914 e arkidukës austriak Franz Ferdinand në Sarajevë, Bosnje, shkaktoi Luftën e Parë Botërore.

Pasojat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000 sollën gjakderdhje të përtërirë – dhe gjenocidale – në këtë rajon të karakterizuar dhe të trazuar nga ndërlikimet dhe armiqësitë e lashta. Por nga gjithë kjo dhunë, ka dalë një koleksion shtetesh të pavarura, kryesisht me bazë etno-gjuhësore. Tre vendet të vizituara nga Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë në maj 2023 – Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut – kanë përparuar dukshëm drejt qeverisjes demokratike të qëndrueshme, konkurruese dhe shoqërive materialisht më të begata.

Sfidat mbeten

Në Shqipëri, pothuajse monopoli i pushtetit i qeverisë aktuale nuk mund të lejohet të degjenerojë në një sundim de facto njëpartiak që është një mashtrim i demokracisë. Për më tepër, krimi i organizuar, i cili mund të përbëjë një të tretën ose më shumë të PBB-së kombëtare, nuk duhet të lejohet të përfshijë vendin. Të dyja rrezikojnë aspiratën kryesore kombëtare të Shqipërisë: anëtarësimin në BE.

Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, sfidat kryesore mbeten konsolidimi i njohjes ndërkombëtare si një kusht sine qua non për të përmbushur aspiratat e tyre për anëtarësim në BE.

Për Kosovën, edhe anëtarësimi në NATO është synim parësor. Tensionet ndërkufitare mbi pakicat etnike që banojnë në çdo vend rrezikojnë të shpërthejnë në konflikte të nxitura nga fqinjët me motive të fshehta dhe këto armiqësi ushtrojnë një efekt shumë shtrembërues në politikën e brendshme. Menaxhimi i tyre do të kërkojë kreativitet, diplomaci të palëkundur, të durueshme dhe parimore, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj në NATO.

Në një botë me kriza në dukje në rritje – lufta Izrael-Hamas që shpërtheu në tetor 2023 nuk është veçse shembulli më i fundit – sfida për Shtetet e Bashkuara do të jetë të ruajë të paktën një gjerësi brezi për këtë rajon, ku investimi ynë i fuqisë luftarake dhe diplomacia energjike historikisht ka ndalur gjenocidet dhe ka sjellë vetëvendosje dhe liri për shumë popuj të Ballkanit. Vëmendja dhe përfshirja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara mund:

  • të mbështesë zhvillimet pozitive të dekadave të fundit;
  • të dekurajojë tendencat e pafavorshme të brendshme si krimi, trafiku i drogës, korrupsioni dhe çdo zbrazje e demokracisë në Shqipëri; dhe
  • të ruajë vigjilencën kundër shfrytëzimit rus të ndarjeve etnike dhe tensioneve të rajonit, ndërsa kërkon të largojë vëmendjen nga agresioni i saj kundër Ukrainës. 

[1] Në janar 2024, një gjykatë urdhëroi Sali Berishën në arrest shtëpie në lidhje me një hetim që daton nga korrupsioni i dyshuar gjatë mandatit të Berishës në 2005-2009, si kryeministër, që përfshinte privatizimin e pasurive të paluajtshme në pronësi të qeverisë.

Arrestimi shtëpiak i ndalon Berishës të takohet me këdo jashtë familjes së tij të ngushtë dhe të largohet nga vendi. Arrestimi shtëpiak është bërë edhe pse prokurori nuk kishte ngritur aktakuzë kundër Berishës.

[2] Informimi i Ambasadës sonë përfshinte komente mbi përpjekjet për reformën në drejtësi që po zhvillohen nga qeveria socialiste e kryeministrit Rama. Përpjekjet synojnë të eliminojnë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, keqbërja e të cilëve detyroi palët ndërgjyqëse dhe qytetarët të paguajnë për të marrë drejtësi. Reformat, të cilat mbështeten nga Ambasada Amerikane, shpresojnë gjithashtu të kënaqin rezervat e Bashkimit Evropian për integritetin gjyqësor të Shqipërisë dhe të pastrojnë pengesat për anëtarësimin përfundimtar të Shqipërisë në BE. Fatkeqësisht, shpejtësia dhe mënyra e largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar e ka lënë gjyqësorin shqiptar në mënyrë kritike me staf të shkurtuar, duke shkaktuar pritje të pacaktuara të gjata për shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjeve.

Na u kujtua një informim i ngjashëm nga Ambasada e Varshavës gjatë misionit tonë të vitit 2018 në Poloni. Atje, qeveria konservatore e atëhershme në pushtet, Ligji dhe Drejtësia u përpoq të tërhiqte gjyqtarët “strukturalisht të korruptuar” të rrënjosur nga epoka komuniste e Polonisë. Krejt ndryshe nga mbështetja në dukje entuziaste e Ambasadës në Tiranë për reformat në drejtësi në Shqipëri, Ambasada e Varshavës kundërshtoi dhe kritikoi vullnetarisht përpjekjet reformuese të Partisë Ligj dhe Drejtësi, duke i bërë jehonë karakterizimeve nga opozita polake dhe media kryesore perëndimore se përpjekjet polake po politizonin gjyqësorin dhe po kërcënonin pavarësinë e gjyqësorit.

Stafi i Ambasadës në Tiranë nuk kishte informacionin e nevojshëm për të kuptuar këtë kontrast paradoksal në përgjigjet e qeverisë së SHBA.

[3] Pas misionit tonë, në shkurt 2024, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut zgjodhi një ‘qeveri teknike’ të përkohshme, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, për një periudhë prej 100 ditësh për t’u përgatitur për zgjedhjet e plota dhe të hapura parlamentare që do të mbahen në Maj, 2024. Zgjedhja e Xhaferit shënon herën e parë që një shqiptar drejton një qeveri – qoftë edhe të përkohshme – në Maqedoninë e Veriut dhe konsiderohet si një shenjë progresi në kapërcimin e paragjykimeve historike etnike.

Zgjedhjet parlamentare të majit do të përkojnë me zgjedhjet për President të Maqedonisë së Veriut dhe, shpresohet se do të zgjidhin turbulencat që kanë tronditur politikën e Maqedonisë së Veriut për më shumë se një dekadë.

https://www.americanambassadors.org/publications/mission-reports/balkans-mission-report