Menu

KASH PERSHENDET MBAJTJEN E SAMITIT TE VI TE KOMUNITETIT POLITIK EUROPIAN NE TIRANE.

0 Comments

 Tiranë, më 17 Maj 2025

Këshilli i Ambasadorëve të Shqiptarë ( KASH) përcolli me vëmendje dhe interesim të veçantë zhvillimin e Samitit të VI të Komunitetit Politik Europian ( KPE)  më 16 Maj në Tiranë. Ky Samit, i pari në Ballkanin Perendimor është ngjarja më e rëndësishme e vitit për vendin tonë. Atë e nderuan me praninë e tyre 47 liderë të vendeve anëtare, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Marc Rutte, Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen,  etj.

Rëndësia e këtij Samiti ishte më e madhe për shkak dhe të gjendjes tejet të ndërlikuar gjeopolitike në kontinentin tonë, sidomos pas vazhdimit të agresionit rus kundër Ukrainës, rifillimit të negociatave për një armëpushim dhe paqe të mundshme  të ndërmjetësuara nga Turqia më 16 maj në Stamboll, konflikti në Lindjen e Mesme, etj.

Nga ana tjetër, vendet e rajonit tonë ndeshen me sfidën madhore të  anëtarësimit në BE dhe në kuadrin e krijimit të një Europe të re më të sigurt dhe më të begatë që ishte dhe motoja e këtij Samiti.

Ndonëse ky Komunitet nuk merr asnjë vendim dhe nuk lëshon asnjë lloj deklarate, mbasi sipas Presidentit Macron ai është konceptuar si ”intimitet strategjik”,  fjalimet dhe mesazhet e liderëve europianë në seancën plenare,  diskutimet në të tre panelet dhe takimet dyplëshe në sfondin e tij janë me ndikime në rakordimin dhe kolaudimin e pozicioneve të ndryshme gjeopolitike në Europë dhe më gjerë.

Gjithashtu, mikpritja e  këtij Samiti në Tiranë, pas  3 – 4 samiteve të mëparshme  europiane luan një rol të ndjeshëm pozitiv në imazhin e vendit tonë si partner Euro-Atlantik, brenda e sidomos jashtë vendit. Ai dëshmon dhe për kapacitetet tona diplomatike në të gjitha nivelet.

Nga ana tjetër, situata dhe sfidat të cilat u përmenden dhe gjatë këtij Samiti  kërkojnë intensifikimin e përpjekjeve për zbatimin e reformave madhore, veçanërisht  për realizimin e objektivit madhor të anëtarësimit në BE në vitin 2030.

KASH beson se suksesi i këtij Samiti  do të jetë impuls i fuqishëm për arritje dhe përparime të reja në politikën tonë të jashtme dhe për përfitime sa më të mëdha  në politikën tonë të brendshme.

Ndërkohë, KASH i bashkohet shqetësimit të shprehur lidhur me të ardhmen e KPE-së, që ai të jetë forum i lartë serioz dhe i besueshëm. Kjo kërkon veç të tjerash plotësimin e kornizës së tij institucionale me komponentët e tij të munguar –  programi, axhenda, struktura drejtuese, fondet, sekretariati, vendime e deri te hartimi i një Deklarate përfundimtare ose komunikate shtypi.

Në këtë kuptim, propozimi i Kryeministrit Rama për krijimin e një strukture bashkërenduese pranë Këshillit Europian  vlen për t’u përshëndetur.

Lidhur me protestën e organizuar nga opozita ditën e Samitit, KASH dëshiron të rikujtojë se demokracia është pluraliëm zërash. Ndaj, është me  rëndësi që krahas opinionit të qeverisë dhe aktorëve të tjerë politikë dhe publikë për të gjitha çështjet dhe në rastin konkret të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, të dëgjohet dhe respektohet, si në çdo vend të qytetëruar Euro-Atlantik edhe mendimi, faktet, dhe shqetësimet e saj serioze. Ca më tepër kur protesta opozitare ishte krejtësisht paqësore dhe ndërgjegjësuese, krejt ndryshe nga sa ndodh në rastet e samiteve të G-7, G – 20, Forumit të Davosit, etj.

Së fundi, Këshilli i Ambasadorëve të Shqiptarë shfrytëzon këtë rast për t’i shprehur falenderimet më të mira të gjithë liderëve europianë dhe organizatave ndërkombëtare  që nderuan vendin tonë me praninë dhe ndihmesën e tyre të vyer në suksesin e këtij Samiti të rëndësishëm.