Menu

Dialogu për ndryshim në Ballkanin Perëndimor, Shkup, 22-23 Janar 2025.

0 Comments

Tiranë, 24 Janar 2025.

Jemi krenarë të ndajmë me ju disa nga temat kryesore nga seminari i organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë në bashkëpunim me Këshillin e Ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut, financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe mbështetur nga BE.

Ky aktivitet mblodhi së bashku organizata të shoqërisë civile nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke nxitur diskutime aktive mbi diplomacinë dhe integrimin rajonal. Temat kryesore përfshinin, proceset integruese të Ballkanit Perëndimor në BE si dhe diplomacinë e gjelbër.

Pjesëmarrësit trajtuan sfidat e paraqitura nga vendet fqinje në bisedimet e pranimit në BE, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt integrimit të plotë.

Pjesëmarrësit patën nderin të dëgjonin nga folës me përvojë të gjatë diplomatike, të cilët nënvizuan se diplomacia është një mjet jetik për paqen. Ata theksuan gjithashtu sesi përfaqësuesit e shoqërisë civile mund të veprojnë si ambasadorë të ndryshimit, si mund të angazhohen në mënyrë efikase me qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, të shërbejnë si ura bashkëpunimi duke dhenë kontributin e tyre në promovimin e institucioneve demokratike në rajonin tonë.

Disa nga temat përsëritën rëndësinë e komunikimit duke theksuar se pa dialog të ndërsjelltë, nuk mund ta kuptojmë njëri-tjetrin.

Folësit u thelluan edhe në stilet e komunikimit dhe ndjeshmërinë kulturore, duke theksuar rëndësinë e rregullave të mirësjelljes në një mjedis multikulturor. Të kuptuarit se si të përshëndesësh individë të moshave, gjinive dhe prejardhjeve të ndryshme, së bashku me mbajtjen e gjuhës së trupit apo të folurit me respekt, u theksua si thelbësore për një komunikim efektiv.

Pjesëmarrësit dikutuan mbi dallimet kulturore në protokollet diplomatike midis Lindjes dhe Perëndimit, duke theksuar se diplomatët dhe përfaqësuesit e Shoqërisë Civile duhet të pajisen me njohuri kulturore dhe historike për të qenë në gjendje për të zgjidhur dallimet e ndryshme.

Gjithashtu u theksua se respekti dhe toleranca e ndërsjellë është e një rëndësie të madhe, duke na kujtuar se shumëllojshmëria e traditave e kulturave tona nuk janë pengesa, por mundësi për bashkëjetesë në harmoni.

Në përfundim të aktivitetit, përcollem edhe një mësim i vlefshëm: “Fol një herë, dëgjo dy herë dhe bëje këtë me durim dhe një buzëqeshje”. Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm në Ballkan, ku nxitja e mirëkuptimit dhe respektit është çelësi për ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë së bashku.

Ne shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë ata që morën pjesë dhe kontribuan në këtë aktivitet domethënës, veçanërisht Fondi i Ballkanit Perëndimor me qendër në Tiranë.

Le të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt paqes dhe përparimit në rajonin tonë!