Dhjetë vjet më parë Shqipëria u anëtarësua në Aleancën më të madhe që ka njohur ndonjëherë historia botërore, të krijuar posaçërisht për të mbrojtur vlerat më të qenësishme euro-atlantike: të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Më datë 7 Prill 2009 flamuri kombëtar shqiptar u valëvit krenar krahas flamujve të aleatëve tanë të NATO-s. Sot, ashtu si dhjetë vjet më parë, kjo arritje madhore është motiv krenarie për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Proçesi i anëtarësimit në NATO nxiti transformime të jashtëzakonshme demokratike dhe në fushën e mbrojtjes, pa të cilat Shqipëria nuk do të mund të bëhej pjesë e vendeve të lira dhe demokratike të Aleancës së Atlanikut të Veriut. Duke aderuar në NATO, kombi shqiptar u bashkua në mënyrë të pakthyeshme me vlerat euro-atlantike që mishëron kjo Aleancë dhe garantoi sigurinë e tij për të ardhmen.
Gjatë këtij dhjetëvjeçari Shqipëria ka dëshmuar me vepra se është një anëtare e denjë e Aleancës, e aftë të kontribojë në sigurinë e përbashkët të hapësirës euroatlantike dhe të përmbushë detyrimet politike dhe ushtarake që burojnë nga ky anëtarësim.
Shqipëria është thellësisht e përkushtuar që të ruajë fort lidhjen transatlantike mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto të fundit luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e vlerave perëndimore dhe garantimin e sigurisë së kontinentit Europian, të cilat, ende kërcënohen nga aktorë të ndryshëm.
Në këtë përvjetor, Shqipëria kujton me mirënjohje dhe falenderim miqtë e shumtë që mbështetën fuqimisht procesin e gjatë të anëtarësimit në NATO, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin George Bush, i cili ktheu në realitet premtimin e dhënë gjatë vizitës së tij në Tiranë në Qershor 2007.
Një falenderim dhe vlerësim i veçantë i shkon trupës tonë diplomatike, ushtarakëve dhe ekspertëve shqiptarë në Bruksel dhe në Tiranë, që punuan me përkushtim dhe profesionalizëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të anëtarësimit.
Vlerësimi i diplomatëve, i eksperiencës së tyre dhe integrimi i gjithë kontributeve në veprimtarinë e shërbimit me jashtë të Republikës së Shqipërisë është më imperative se kurrë sot.
Gjejmë rastin të deklarojmë se mbështesim nismën më të fundit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme për ndërtimin e një trupe diplomatike profesioniste, larg praktikave të nepotizmit, klientelizmit, korrupsionit, apo dhe qasjes absurde e të papreçedentë se “eksperienca pengon progresin”.
Inkurajojmë drejtuesit e MEPJ ta realizojnë këtë premtim me transparencë dhe në koherencë të plotë me synimet e deklaruara.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors