Menu

Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë mbi Vendimin Nr. 137, datë 30/09/2017, të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe penalizimin financiar të diplomatëve të karrierës.

0 Comments

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin për raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të datës 06.08.2018 për MEPJ, dhe gjetjet përfundimtare të auditimit të kryer në këtë institucion në periudhën 2017-2018.

KLSH në raportin e botuar në faqen zyrtare ka urdhëruar zhdëmtimin e arkës së shtetit nga ana e 44 nëpunësve të cilët kanë përfituar të ardhura nga lista e pritjes, si me poshtë:

Të kontabilizohet dhe të ndiqet në rrugë ligjore arkëtimi i vlerës 15,833,657 lekë, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera në të gjitha shkallët e gjykimit të përfituar padrejtësisht për shkak të trajtimit të nëpunësve në listë pritje nga 44 nëpunës dhe ish nëpunës të MPJ, sipas listë pagesave të deklaruara për vitin 2014 dhe 2015, në kundërshtim me ligjin 152/2013 date 30.05.2013 “Për statusin e nëpunësit civil”.

KASH vlerëson kundërshtimin me argumente që MEPJ i ka bërë këtij raporti, por në të njëjtën kohë kujton se asnjë punonjës i vendosur në listë pritje – jo për faj të tyre – nuk mund dhe nuk duhet të penalizohet financiarisht.

Detyrimi për të zhdëmtuar arkën e shtetit është në kundërshtim me kodin e punës, detyrimet dhe të drejtat e çdo të punësuari në administratën shtetërore, dhe përgjegjësitë duhet të kërkohen vetëm tek shkaktarët apo vendimmarrësit.

Kujtojmë se, trajtimi dhe implikimi në rrugë gjygjësore individuale për çdo punonjës të MEPJ-së i këtij urdhëri do të ishte jo korrekt nga strukturat drejtuese të MEPJ-së, që duhet të marrin përgjegjësinë ligjore dhe insitucionale për t’a ndjekur deri në fund kundërshtimin e këtij urdhëri.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të rishikojë vendimin e tij për këtë rast dhe të shmangë proçeset e gjata gjyqësore për diplomatët shqiptarë, pasi: personat e ngarkuar nuk kanë bërë një analizë të hollësishme auditive mbi shkaqet, motivet dhe arsyet e vendimit të institucionit për të nxjerrë në listë pritje diplomatët e karrierës; nuk mund të kalojë përgjegjësia financiare tek nëpunësit; sipas kuadrit ligjor në fuqi (Ligji për Shërbimin Civil nr. 8485, datë 12.05.1999 dhe nr. 152/2013, hyrë në fuqi, më 26 shkurt 2018), punonjësit që janë në listë pritje apo të larguar nga puna, kanë të drejtën e një dëmshpërblimi, në përputhje me vjetërsinë e tij në punë, që shkon deri në 1 vit.

KLSH qëndron përkrah diplomatëve shqiptarë të prekur nga ky urdhër dhe do t’i mbështesë ata deri në zgjidhjen përfundimare të çështjes.