Menu

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbi konferencën e dytë ndërqeveritare BE – Shqipëri dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit për grup kapitujt e parë.

0 Comments

Tiranë, më 14 Tetor 2024

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) përshëndet ngrohtësisht mbajtjen e konferencës së II Ndërqeveritare BE – Shqipëri më 15 Tetor në Luksemburg, e cila shënon çeljen e negociatave të anëtarësimit për Grup Kapitujt e Parë “Themeloret”.

Pas Konferencës së Parë Ndërqeveritare në Bruksel më 22 Korrik 2022, çelja e negociatave për kapitujt jetikë të drejtësisë, gjyqësorit, shtetin e të drejtës, luftën kundër korrupsionit, etj është moment me rëndësi të madhe politike, institucionale, diplomatike dhe sociale për vendin tonë.

Ajo është sintetizim i përpjekjeve të shumta gjatë këtyre dy viteve të fundit, përmes shqyrtimit të suksesshëm analitik të legjislacionit dhe praktikave të ndryshme nga institucionet e ndryshme shtetërore dhe ato jo qeveritare.

Me këtë rast, KASH përshëndet dhe përgëzon ekipin e negociatorëve, institucionet pjesëmarrëse në këtë proces, MEPJ-në, në veçanti Këshillin Kombëtar i Integrimit, si institucioni më gjithëpërfshirës dhe mbikqyrës i këtij procesi jetik, aktorë dhe faktorë të shoqërisë civile, medias, grupeve të interesit, etj për ndihmesën dhe përpjekjet e tyre, që të shkojmë në Luksemburg me bilanc pozitiv dhe më pak problematika, për një përfaqësim sa më dinjitoz dhe të frytshëm.

Padyshim, arritjet dhe realizimet në fushat që përfshihen në këtë grup kapitujsh janë bazë e mirë për një ecuri normale të procesit të gjatë të këtyre bisedimeve. Po ashtu, trajnimet, seminaret, shkëmbimi i përvojës me shumë vende anëtare të BE-së, ndihma dhe mbështetja e gjithanshme e kësaj të fundit në procesin e afrimit të legjislacionit tonë me atë europian, niveli i lartë i kualifikimit i negociatorëve tanë, etj përbëjnë premisa të favorshme në këtë drejtim.

Megjithatë, KASH e sheh të nevojshme të nënvizojë nevojën e një kujdesi dhe vlerësimi më të drejtë dhe pa eufori të këtij procesi të ndërlikuar. Madje, pa mohuar aspektet pozitive, theksi të vihet në mangësitë dhe shqetësimet e krijuara vitet e fundit, të cilat ndikojnë negativisht në kohëzgjatjen e negociatave. Ca më tepër se problemet janë shkaktuar pikërisht në kapitujt e grupimit të parë që janë dhe thelbi i përmbajtjes së negociatave. Prej tyre varet dhe realizimi dhe përparimi në pesë grup kapitujt e tjerë. Përmendim me këtë rast se të dyja palët do t’i rikthehen këtij grupimi edhe në mbyllje të procesit të negociatave.

KASH-i rikujton se në këto drejtime, BE-ja ka bërë një sërë vërejtjesh dhe paralajmërimesh serioze, sidomos lidhur me disa ligje dhe draft-ligje kundrathënëse që bien ndesh me frymën dhe gërmat e ligjeve europiane, si ai i investitorëve strategjikë, amnistia penale, etj., si dhe për korrupsionin galopant, krimin e organizuar, mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë, e deri te problemet lidhur me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Përvoja e mëparshme e vendeve më të përparuara dëshmon se BE-ja do të “kalojë në lupë” të gjitha draft- ligjet e reja, aktet dhe veprimet e ndryshme qeveritare dhe mbi këtë bazë do të bëjë vlerësimin dhe vazhdimin e procesit negociues në vitet e ardhshme.

Nisur nga sa sipër, KASH i bën thirje qeverisë dhe mazhorancës parlamentare që në procesin e hartimit dhe sidomos miratimit të ligjeve të mbajë më mirë parasysh frymën, legjislacionin dhe praktikat e BE-së, të bëjë konsultime me të, në mënyrë që ato ligje të mos kthehen në shkaqe, pengesa dhe vonesa të mëtejshme.

Në këtë drejtim, shpallja e vitit 2030 si objektiv për anëtarësimin tonë në BE, duhet konsideruar më tepër si një rast dhe thirje për mobilizim total në të gjitha drejtimet, së pari nga qeveria, duke krijuar një klimë, terren dhe mjedis shumë më të favorshëm, afrues dhe pajtues dhe me opozitën, e cila ka rolin e vet të rëndësishëm.

KASH pajtohet me mendimin se anëtarësimi në BE nuk i takon vetëm qeverisë dhe diplomacisë, por gjithë shoqërisë, ekonomisë, medias, publikut të gjerë, të gjithëve. Gjithsesi, në krye të këtij procesi historik dhe përgjegjësja kryesore është qeveria. Edhe opozita ka rolin e saj të ndjeshëm. Me rëndësi vendimtare këtu është krijimi i një fronti të gjerë mbipartiak europian, me qëllim që të përshpejtohet ritmi nëpërmjet dialogut, konsensusit dhe frymës së kompromisit mbipartiak.

Përvoja e deritanishme kërkon një vlerësim të drejtë dhe të barabartë të Komisionit, Këshillit, Parlamentit dhe Shërbimit të Jashtëm Europian, pa mbivlerësuar apo nënvleftësuar asnjerin prej tyre, siç dhe ka ndodhur.

Po ashtu, kjo kërkon zhvillimin e marrëdhënieve sa më të mira dhe pa asnjë incident me të 27 Shtetet Anëtare të BE-së e veçanërisht me vendet fqinje; kjo është dhe mënyra më e mirë për të shmangur çdo veto apo bllokim të mundshëm në të ardhmen. Kujtojmë se Metodologjia e Zgjerimit e vitit 2020 i jep të drejtën çdo vendi anëtar të BE-së të kërkojë ndërprerjen dhe pezullimin e negociatave, kur sipas tyre vendi aspirant nuk përmbush vlerat dhe standardet e duhura europiane.

Më tej, KASH shpreh keqardhjen dhe shqetësimin për ndarjen në këtë proces të Maqedonisë së Veriut nga vendi ynë për shkaqe të njohura. Shpresojmë shumë që autoritetet përkatëse në Shkup por dhe në Sofje të reagojnë dhe të zgjidhin bashkë e në mirëkuptim europian mosmarrëveshjet, duke zbatuar detyrimet e tyre me rastin e hapjes së bisedimeve dy vite më parë.

Pavarësisht nga ky veçim që urojmë të jetë i përkohshëm, janë të gjitha mundësitë që të dy vendet tona të vijonë dhe forcojnë bashkëpunimin e tyre në këtë fushë, ashtu si në 20 vitet e fundit, me shpresë që sa më shpejt të jenë dhe të përparojnë sërish bashkë dhe në këtë proces jetik.

Së fundi, KASH shpreh bindjen se Konferenca e II Ndërqeveritare BE- Shqipëri dhe çelja e bisedimeve për grup kapitujt e parë do të shërbejnë si një moment i rëndësishëm për një punë dhe përkushtim më të madh, me frymë europiane, të linjëzuar me BE-në, në fushën e politikës së e jashtme dhe në drejtimet e tjera.

Ashtu si dhe më parë, KASH shpreh gatishmërinë për të dhënë ndihmesën e vet në këtë proces, falë përbërjes së tij, me diplomatë të lartë, ambasadorë dhe ish ministra të jashtëm, të cilët kanë shërbyer me devotshmëri në Tiranë dhe në shumë metropole europiane dhe vazhdojnë të kontribuojnë në këtë proces historik në detyra dhe funksione të tjera elitare, me dijet, përvojën, dhe botimet e tyre me vlerë.