Tiranë, 19 Gusht 2025,
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit që lidhen me kufizimet ndaj lirisë së medias në Shqipëri, duke marrë si shembull mbylljen e një prej televizioneve më të mëdha informative në vend, News 24.
Liria e shprehjes dhe e medias përbëjnë themelet e një shoqërie demokratike. Çdo tentativë për të zbehur zërin kritik e të pavarur rrezikon jo vetëm transparencën, por edhe besimin e qytetarëve tek institucionet.
Mbyllja e sinjalit të transmetimit për disa ditë të TV News 24 ngre pikëpyetje serioze për gjendjen e pluralizmit mediatik dhe për klimën e lirisë së fjalës në Shqipëri.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kujton se respektimi i standardeve evropiane për lirinë e medias është një detyrim thelbësor në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një media e lirë dhe e pavarur është garant i demokracisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Në këtë kontekst, BE, OSBE, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe misione të tjera diplomatike dhe organizata ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, kanë shprehur hapur shqetësimin e tyre dhe kanë bërë thirrje për transparencë të plotë, respektim të shtetit të së drejtës dhe garanci për funksionimin e lirë të mediave.
Ky sensibilizim ndërkombëtar tregon se çështja e lirisë së medias nuk është vetëm një problem i brendshëm, por një tregues i drejtpërdrejtë i demokracisë dhe besueshmërisë së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ne i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të garantojnë kushtet për një ambient mediatik të hapur, pluralist dhe të mbrojtur nga çdo formë presioni apo ndërhyrjeje politike dhe ekonomike.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vijojë të ndjekë me vëmendje këtë situatë dhe të ngrejë zërin në mbrojtje të lirisë së medias, si një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe perspektivës europiane të Shqipërisë.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors