Tiranë, 20 Janar 2025
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet vendimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, znj. Kaja Kallas, për emërimin e diplomatit danez, z. Peter Sørensen, si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Zgjedhja e z. Sørensen, një diplomat me përvojë të spikatur në çështjet rajonale dhe të angazhuar në promovimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Fakti që z. Sørensen vjen nga Danimarka, një vend anëtar i Bashkimit Evropian që ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, përbën një vlerë të shtuar për procesin e dialogut. Ky element rrit besueshmërinë e tij si ndërmjetës dhe reflekton mbështetjen për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson rëndësinë e një dialogu të hapur, gjithëpërfshirës dhe të barabartë, si dhe nxit palët të angazhohen me seriozitet dhe konstruktivitet në zgjidhjen e çështjeve të hapura. Një proces i tillë është thelbësor për të garantuar paqen, stabilitetin dhe integrimin e mëtejshëm të rajonit në strukturat euroatlantike.
Këshilli shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe z. Sørensen në këtë rol të rëndësishëm dhe inkurajon bashkësinë ndërkombëtare të vijojë të mbështesë të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Members Login
Copyright Council of Albanian Ambassadors
1 thought on “Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbi emërimin e diplomatit danez, z. Peter Sørensen, si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.”
Comments are closed.